Tefta Radi: Kam flokë të bukur, më ka dalë nami se mbaj paruke

teftaradiIkona e Radio Televizionit Shqiptar Tefta Radi, në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, ka pranuar të rrëfejë historinë e jetës së saj, si u përzgjodh folëse në televizionin e vetëm në vend, nga puna në mësuese në Pukë e më pas në Fushë-Arrëz. Zonjën Radi, sapo e takon të jep përshtypjen e një aristokrateje të vërtetë, të mbajtur pavarësisht viteve që ka mbi supe, ndërsa flet me nostalgji për vitet e punës si në Fushë-Arrëz, ashtu edhe në Televizionin Shqiptar. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, ka qenë pikërisht zëri i saj i veçantë dhe kumbues, që do të spikaste dhe fare rastësisht, ajo do të zgjidhej për të qenë më pas folësja kryesore në Radio Televizionin Shqiptar në vitet ’80. Radi rrëfen për ne punën e vështirë dhe Tefta Radi në aksion emocionet që dhuronte ajo çdo ditë.

Zonja Radi, të gjithë ju njohin si folësen e Televizionit Shqiptar, për shkak të karrierës suaj të gjatë në ekran. A mund të na tregoni si ndodhi që ju u bëtë folëse në TVSH?

Unë kam mbaruar studimet në vitin 1975 për gjuhë letërsi dhe sapo mbarova studimet, më emëruan në Lezhë si mësuese. Pas një jave erdhi vendimi i dytë, në të cilin thuhej që duhet të shkoja në Pukë. Në atë kohë ishim të detyruar të shkonim sado larg të ishte. Pasi ishte një vit që bëhej stazhi dhe pa bërë këtë vit, nuk merrej diploma. Por problemi ishte se ikje dhe nuk dihej se kur vije, pra nuk kishe limit në kohë. Kishte vajza që kanë ndenjur 10 vite e më shumë larg Tiranës, pra harroheshe. Me thënë të drejtën, unë një vajzë e vetme mes tre vëllezërve, nuk do të thotë se isha e përkëdhelur, përkundrazi, duke pasur dy prindër të angazhuar nga mëngjesi në mbrëmje, babi ka qenë ushtarak, ndërsa nëna ka punuar në shëndetësi 40 vjet me tre turne dhe mua më binte barra në familje. Kisha tre vëllezër nën vete. Jam rritur, me thënë të drejtën para kohe, me punët e shtëpisë, me vëllezërit që përkujdesesha me gjithçka. Kur mora emërimin për në Pukë babai u ndje keq, pasi ishte zonë e thellë. Dhe më shoqëroi atë ditë. Isha e re, 21 vjeç dhe s’kisha udhëtuar ndonjëherë në malësinë e veriut. Me thënë të drejtën një vend që më la shumë përshtypje, bukuria, natyra, ujërat e kaltër në të gjelbër, malet me pyje, një gjelbërim i paparë, por dhe një rrugë e frikshme me lartësira, me gremina. Mbërritëm dhe shkuam tek shefi i seksionit të arsimit dhe mua më kishin caktuar në Berishë të epërme.Është një zonë shumë e thellë.

Pse ju emëruan kaq larg, ishte dënim apo…?

Emërimet bëheshin për të gjithë, ishin të planifikuara. Kishte një planifikim për intelektualët që duheshin për zonat e thella, qoftë në veri, qoftë në jug. Nuk kam vajtur me dënim, absolutisht, kisha marrë një emërim. Atje gjeta shumë kolegë nga të gjithë rrethet e vendit, deri nga Dropulli, Gjirokastra, Vlora, nga e gjithë Shqipëria, inxhinierë, mjekë, doktorë.Pas një farë kohe, u afrova disi dhe më lanë shkollën e mesme të Fushë-Arrëzit. Në atë kohë, i kushtohej një rëndësi e madhe arsimimit të zonave të veriut, emancipimit të gruas, zhvillimit të kulturës. Puna jonë nuk ishte thjeshtë mësimdhënie, por kishte një rol të dyfishtë, kishim rol të punonim me fjalët e rralla me leksikologjinë, të punonim me shprehjet e veçanta, si dhe të merreshim me emancipimin e gruas. Kam njohur një popull të pasur shpirtërisht, me një botë të madhe dhe me një dëshirë për të mësuar. Kisha nxënës që ecnin dy orë si në kohën e Migjenit, në mes të dëborës me këpucë llastiku, që bëheshin ujë dhe të vinte keq, duheshin të thaheshin dhe pastaj t’i bëje mësim. Por kam pasur nxënës shumë të mirë. Nuk mund të them se kam kaluar keq. Mendoj se është mirë për të rinjtë për të punuar fort, pasi puna të pjek, të bën të vlerësosh punën, njeriun, karakterin, të prekësh realitetin me dorë, të dish të menaxhosh edhe paranë, të mos e shpërdorosh. Mendoj se ajo kohë, na poqi para kohe dhe na bëri mirë. Kisha shoqe mjaft të mira, nga Korça, Gjirokastra e Shkodra, vajza të shkëlqyera. Ne jetonim në bodrum dhe kur ecnim në Fushë-Arrëz, në mes të ftohtit edhe qerpikët na ngrinin. Megjithatë them se në rini, kalohet çdo gjë. Të bën të besosh se çdo gjë është e mundur, çdo gjë arrihet. Ndenja 4 vjet atje dhe në vitin 1979 ne merreshim me aktivitete jashtëshkollore. Unë isha me grupin artistik dhe bënim takimet folklorike mes zonave të veriut. Një ditë, vjen Jani Duri nga Radioja, i cili erdhi për të bërë një emision për rininë dhe kur më dëgjoi, më tha se zëri yt më duket interesant dhe sikur të vish në Radio të bësh një provë se kemi nevojë për folëse. Të them të drejtën, s’e kisha menduar kurrë se do të ndërroja profesionin dhe aq më tepër na dukej një gjë e paarritshme Radio dhe Televizioni. Ta shikonim nga larg me dëshirë. Erdha bëra provën edhe fillova. Lashë mësuesinë dhe fillova fillimisht në Radio, ku gjeta një kolektiv jashtëzakonisht të mirë. Duke filluar me të madhen Vera Zheji, Meropi Matlinë, Elsa Xhaja, Viron Noti, Arben Kamberi, Dhimitër Gjkoka, Maria Dhamo, Kiço Sotiadhi, me të cilin kam punuar shumë dhe kemi patur zërat më të kombinuar. Po kështu dhe Liliana Meçanin, një folëse shumë të mirë. Të më falin emrat e tjerë, sepse ishin një brez që punuan me shumë devocion, me shumë idealizëm, pavarësisht vështirësive, por profesionalisht jemi përpjekur të bëjmë më të mirën e mundshme.

Pas punës në Radio, si ndodhi që kaluat në Televizion?

Në Radio jam ndjerë shumë komode dhe e kam nostalgji radion, pasi të zhdërvjelltëson të folurën, të pasuron leksikun. Edhe kultura është më e madhe në radio. Kam punuar paralel me televizionin. Nga fundi i vitit ’79 fillova dhe në televizion, që me provën e parë që bëra, më pranuan. Unë nga natyra jam një tip i qetë, gjakftohtë dhe habia ishte se nuk reflektova emocion. Thashë që kam karakter të ftohtë dhe di ta përmbaj veten edhe në momente të vështira. Ndoshta kjo më bëri që të pranohesha që në fillim. Jam përpjekur të jem vetvetja me zërin tim origjinal, larg impostimeve, të respektoj teleshikuesin. Kam qenë korrekte në veshje, në të ftohur, larg lëvizjeve të ekzagjeruara. Larg emocioneve që shprehnin një qëndrim të caktuar. Kjo ndoshta më bëri të kisha një lloj individualiteti. Kisha një disiplinë të hekurt në punë. Nuk jam ulur kurrë në minutën e fundit në lajme. Kam parapëlqyer 5 minuta para të ulesha për frymëmarrjen, për të parë tekstin, sepse atëherë daktilografoheshin lajmet në një letër të vjetër, që mezi shiheshin germat. Me lajme që redaktoheshin në minutën e fundit. Nuk ishte komoditeti që është sot.

Duke pasur pasur parasysh edhe regjimin e egër që ishte, a ndjenit ju një farë frike në dhënien e lajmeve?

Me thënë të drejtën, për lapsuse nuk ka pasur ndonjë lloj reagimi, pasi është njerëzore, por për gjëra që kishin të bënin me politikën, leximi keq i një emri të rëndësishëm, natyrisht që kishte probleme.

A e ndjenit shikimin e njerëzve në rrugë?

Po e ndjej, edhe sot madje edhe pse kam vite që jam larguar nga ekrani. E ndjej vështrimin e tyre. Madje shumë më flasin. Unë përpiqem t’i respektoj, të mos u shmangem, sepse do të thonë ç’është kjo fodulle. Unë i dua, ashtu siç më duan. Si rregulloheshe për të dalë në ekran, pasi ju i mbanit flokët shumë të rregullta, madje ka pasur zëra që mbanit paruke? E di, mua më ka dalë nami që kam pasur paruke. Por unë, tërë jetën me flokët e mia. Unë kam pasur një flok të dendur dhe të bukur. Në Fushë Arrëz i mbaja bishtkali, i thonim. Dhe kisha një nxënëse Vitore Rushën, këngëtaren popullore me emër. Dhe bënte ç’bënte, kur afrohesha afër bankës, fuste gishtin dhe më spërdridhte flokët. “Aman moj mësuese sa të bukur i ke flokët”,- më thoshte. Pra s’më kanë besuar njerëzit që kisha flokët e mia. Por unë nga natyra, kam një flok që qëndrojnë mirë pa i bërë hyzmet, të mos them që s’i bëj fare. Ideja e të pasurit paruke, ka qenë deri vonë. Bile kishte njerëz që kur futesha në dyqan, përpiqeshin të shikonin nga afër ose fshehurazi edhe t’i preknin. Ne kemi pasur grimierë shumë të mirë në TVSH, Zhani Petushi, MondLako, etj. Në atë kohë është investuar shumë, pasi dihet që diktatorët investojnë shumë për propagandën, është makina që i mban në këmbë. Ne kishim materiale për grim, më të mirat që vinin nga Franca. Nuk ka munguar asgjë. Por veshja stononte, pasi visheshim me xhaketa blu, nuk lejoheshin varëset, vathët. Dukeshim si burra, ose sikur ia merrnim borxh njëra-tjetrës. Nuk e di, ju që punonit në televizion, a shikonit stacionet e huaja, a kishit modele në dhënien e lajmeve? Në atë kohë ekranet ishin të mbyllura, shikonim ndopak Italinë, gjithsesi nuk kishim shembuj. Ne ishim vetvetja dhe mësuam çka gjetëm nga të parët tanë, për të cilët ruaj një konsideratë të veçantë, pasi nuk kishin brenda vetes egoizëm, por përpiqeshin të jepnim më të mirën, duke ruajtur individualitetin.

Si e shikoni ndryshimin sot?

Si ka ndryshuar gazetaria, dhënia e lajmeve? E vërteta është se është arritur shumë në aspektin e teknologjisë televizive. Në Shqipëri ka ekrane dhe ka teknologji, që edhe vendet e zhvilluara nuk e kanë. Por, ende mund të them se nuk ka liri në fushën e informimit. Sepse të gjithë jemi ndjerë të autocensuruar. Të gjithë e dimë se çfarë transmetojmë dhe çfarë jo. Nuk ka politika editoriale të mirëfillta. Po t’i vesh re ekranet, lajmet janë të gjitha njëlloj. Janë lajme edhe ato që nuk duhet të jenë lajme. Konferenca shtypi rutinë, gjëra të stërzgjatura në minutazh dhe të lodhshme.

Po spikere të mira lajmesh ka?

Spikere nuk mund të them që nuk ka. Ndryshojnë nga ne, pasi koha ecën përpara. Nuk janë të karakterit tonë. Ne jetuam në një kohë tjetër. Ne jetuam në kohën e Luftës së Ftohtë. Ka ekrane që e kanë formuar identitetin e tyre, që japin shumë në aspektin e gazetarisë.Ne jetuam në një kohë që kërkohej një fare deklamacioni. Por ajo iku. Nuk ka më rëndësi zëri. Ajo që më tërheq vëmendjen, është mosrespektimi i gjuhës shqipe. Po të ndjekësh edicionet e lajmeve, përdoren aq fjalë të huaja, sa të bën vërtetë të tronditesh për atë që po pëson gjuha shqipe. Pale politikanët që janë keq e më keq, përdorin fjalë aq të mëdha sa po t’i pyesësh dhe ata vetë nuk ia dinë kuptimin. Jo më populli, që i dëgjon. Mendoj se në këtë drejtim, ka ende nevojë për ndryshim.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s