Marina Grabovari: Pse kthehem pas 30 vitesh mungesë

“Albanian Excellence” sjell në skenë këngëtaren.

Arsyet e vërteta të largimit të interpretueses së këngës fituese “Një djep në barrikadë”

Pas 30 vitesh mungesë, ajo kthehet në një mbrëmje yjesh. Marina Grabovari, këngëtarja që arriti suksesin me këngën e Avni Mulës “Një djep në barrikadë”, duke fituar çmimin e parë në Festivalin e RTSH-së në vitin 1982, pas largimit nga skena publike, do të prezantojë mbrëmjen gala të “Albanian Excellence”.

 Një projekt që promovon 100 shqiptarë të suksesshëm të shpërndarë kudo në botë. Këngëtarja që mbeti në kujtesën e publikut më shumë për zërin e saj, sesa për tekstin e politizuar të këngës së saj, tregon si u bë pjesë e projektit “Albanina Excellence” dhe si u bind t’i kthehej këngës. Bashkëshortja e njërit prej orkestruesve më të njohur shqiptarë, Selim Ishmakut, tregon si iu besua kënga me muzikë të Avni Mulës dhe tekst të Hysni Milloshit, e njohur ndryshe edhe si “Ne ishim komunistë”. Cilat ishin arsyet që e shtynë të largohej nga skena 30 vjet më parë.

 

Marina Grabovari e Flora Nikolla në një nga udhëtimet “në kërkim” të ersonazheve të “Albanian Excellence”

U bënë shumë vite që jeni larguar nga jeta publike, ç’ju lidhi me “Albanian Excellence”?
Ka qenë një takim tërësisht i rastësishëm me Flora Nikollën. U ndodhëm në një tavolinë miqsh të përbashkët dhe aty mësova mbi projektin “Albanian Excellence” dhe, të them të drejtën, u entuziazmova shumë, kur mësova mbi misionin e këtij projekti. Pas kësaj njohjeje dhe disa bisedave të mëvonshme, Flora më ftoi të bëhesha pjesë e bordit të “Albanian Excellence” dhe hap pas hapi u njoha me projektin, i cili kishte për protagonistë shqiptarë të suksesshëm kudo në botë, histori dhe jetë dinjitoze.Gjatë këtij rrugëtimi, më propozohet që të isha pjesë e stafit të ngushtë të projektit. Gjatë gjithë kohës kam jetuar me këtë projekt. Ishte diçka shumë e çuditshme, pasi e ndieja shumë të afërt. Im shoq gjithmonë ka dashur të promovojë të rinj, t’u japë një dorë të parë dhe ndoshta kjo ide e promovimit të vlerave njerëzore më bindi që të bëhesha pjesë e tij. Flora më propozoi që të realizonim bashkë skenarin, por, të them të drejtën, unë jam thjesht një zë i dytë, i ngrohtë, i përmbajtur, i mirë.
Por jo vetëm, ju do të drejtoni edhe mbrëmjen gala që do të mbahet nesër, si u bindët?
Teksa punonim, e pyes Florën se kush do të drejtonte mbrëmjen gala. Po flitej shumë për librin, që ishte diçka shumë e bukur, por promovimi i tij në një mbrëmje gala ishte edhe më i bukur, më i dukshëm. I propozoj që prezantuesi të mos ishte një emër që e shohim shpesh, i konsumuar, por që gjithsesi të ishte dikush. Do më pëlqente që të ishte dikush i larguar në këta 20 vjet dhe të shënonte një kthim në këtë gala. Kaq mjaftoi që Flora të më thoshte: Ti do e drejtosh galanë! Nuk dija t’i thosha as po as jo, isha e befasuar, por pse të mos e pranoj, m’u përkëdhel sedra. Gjatë këtyre viteve nuk më kanë munguar kurrë ftesat për bashkëpunim apo interesi i gazetarëve, të cilëve duhet t’u kërkoj ndjesë, por nuk e ndieja se ishte momenti. Nuk e di se çfarë ndodhi këtë herë. Si duket janë ca ndjesi, që e tejkalojnë atë dëshirën për të ikur, për t’u fshehur..
Kjo periudhë ka qenë shumë e ngarkuar për ju, me udhëtime, në “kërkim” të protagonistëve të mbrëmjes…
Që projekti të merrte përmasa më të vërteta, që të mund të preknim realisht atë që po shkruhej, duhej të ndërmerrnim disa udhëtime në disa shtete të Europës. Nuk është me vend fjala “verifikim”, por nëse ne do të ndërtonim një gala, nëse donim t’i kishim të pranishëm në skenën tonë, ajo pjesë e përballjes me realitetin ku ata jetonin, ishte shumë e rëndësishme. Ndoshta nuk është bukur të thuhen ca gjëra, por nuk e patëm të lehtë të realizonim këto udhëtime, pasi “Albanian Excellence” është një shoqatë jofitimprurëse dhe u përpoqëm përmes miqësish të siguronim udhëtimet, ndërsa gjetëm mikpritjen e personazheve që ne vizituam. Ajo që ne gjetëm nëpër këto udhëtime, në këto vizita te personazhet tanë ishte shumë më e vërtetë dhe më e madhe nga sa ata shkruanin.
Dhe një pjesë e mirë e tyre kanë pranuar të vijnë posaçërisht në galanë tuaj, apo jo?
Janë mbi 50 protagonistë që do të jenë të pranishëm. Vijnë me shpenzimet e tyre dhe i bashkohen energjisë shumë pozitive të projektit që kemi ndërtuar.
Vetëm një ditë larg prekjes së skenës, si po e përjetoni emocionalisht këtë kthim?
Përgjithësisht nuk përjetoj shumë emocione. Ende jam e ftohtë, më duken gjërat e thjeshta, por e njoh veten. Për aq pak sa kam dalë në skenë, e di se emocioni ndikon pozitivisht tek unë dhe shpresoj që te Marina e para 30 viteve të ketë mbetur kjo, aq më tepër që kthehem në një tjetër pozicion, unë nuk do të këndoj, thjesht do të drejtoj galanë.
Nuk grisheni të këndoni apo prisni reagimin e publikut?
Mendoj që është herët për mua, ndërsa në të ardhmen ndoshta do të jetë vonë. Njerëzit duan të dëgjojnë muzikë dhe, nëse ajo është e kënduar mirë, nuk ka asnjë problem, edhe pse mosha bën të vetën. Në gjendjen shpirtërore në të cilën ndodhem, është herët për të kënduar. Nuk kam bërë asnjë plan për të ardhmen lidhur me këngën.
Thatë se ktheheni pas 30 vitesh në skenë…
Kam dalë në skenë 18 vjeç dhe kthehem sërish në të njëjtën skenë, pas 30 vjetësh.
Ishit në kulmin e suksesit, pse u larguat?
Unë nuk kam dashur të flas për largimin tim nga skena. Ai nuk ka të bëjë fare me jetën time personale. Shumë është diskutuar e ndoshta unë i kam një borxh tim shoqi, ai kurrë në jetë nuk më ka thënë: mos këndo, përkundrazi, nëse ka njeri që më ka vlerësuar si këngëtare, i pari është im shoq.
Cila ishte arsyeja e vërtetë?
Largimi im i beftë lidhet me sistemin. Unë vija nga një familje e persekutuar, me gjyshin në burg… Jemi larguar herët nga Berati, por kur unë dola në skenë, ata që ma njihnin familjen, nisën të evidentonin këtë pjesë të biografisë sime. Pastaj ndodhi që një vit më vonë unë e lashë festivalin në natën e parë. Nuk më pëlqeu kënga dhe me kurajën e një të reje u largova. Kjo krijoi nervozizëm. Pra u lidhën dy gjëra. Që atë herë unë u largova. Ndryshe nga ç’ndodhte me këngëtarët e tjerë, të cilët i stimulonin përmes arsimimit apo vendeve të mira të punës, unë punoja si mësuese në një fshat pas malit të Dajtit, ku më duhej të përshkoja 2 orë me makinë e 2 orë më këmbë për të arritur në shkollë. U transferova në Tiranë në vitin 1989, por tashmë unë kisha krijuar familje, isha bërë me fëmijë. Sistemet ndërruan dhe unë mund t’i isha kthyer skenës, por nuk më dukej se në vitet ’90 skena kishte po atë cilësi, për të qenë pjesë e saj. Në imazhin tim vazhdonte të ishte ajo skena, e shoqëruar me orkestër, të kënduarit live… Nuk e gjeja veten duke kënduar në një lokal për të siguruar jetën. Për fat, në familjen time ka punuar fort im shoq dhe unë kisha luksin të punoja si mësuese në Liceun Artistik. Por më së shumti asokohe unë ndihesha e vrarë shpirtërisht dhe për një kohë të gjatë nuk dëgjoja muzikë.
Thatë se vinit nga një familje me “probleme” në biografi, megjithatë ju besuan një këngë me përmbajtje të fortë ideologjike, si ndodhi?
Besimin ma dha kompozitori Avni Mula. Kur isha në vit të katërt, ai më besoi një këngë në Dekadat e Majit, me të cilën unë përfaqësova Liceun Artistik dhe fitova vendin e parë, por njohja ime me të ishte shumë më e hershme, qysh kur isha fëmijë. Në Festivalin e fëmijëve kisha këngën e tij “Kur këndoj për ty moj nënë”, e cila natën finale u këndua nga Arditi dhe Inva, edhe pse ata ishin në gjimnaz. Por asokohe kështu ishte rituali, me dublantë… dhe unë kalova në plan të dytë. Pas liceut konkurrova për art dramatik, jo për kanto, pasi nuk më pëlqente të isha këngëtare lirike, edhe pse thonë se kam qenë një mexosoprano e mirë. Kur kontaktohem nga Avniu, punoja në një pallat kulture, jepja solfezh dhe ka qenë Inva, e cila vjen në shtëpinë time, në ditët e para të dhjetorit dhe më thotë se “babai do të të takojë”. Shkoj në shtëpinë e tij dhe ai më beson këngën. E kur ai e bënte këtë, nuk merrej parasysh ana biografike. Unë nuk u përfshiva fare në provat e Radio Televizionit dhe jam paraqitur në festival vetëm për provat gjenerale në mëngjes, madje edhe orkestra mua më ka dëgjuar mirë në mbrëmje, pasi ai nuk donte të më ekspozonte. Unë isha 18 vjeç, shumë gjëra nuk i kuptoja. Kam kënduar atë natë e mund të them se më bukur nuk kam kënduar kurrë.
Cili ishte reagimi pas interpretimit tuaj?
Mbaj mend që kur kam kënduar para një komisioni final me të dërguar nga Komiteti Qendror, si dhe kompozitorë, orkestra guxoi të trokiste harqet kur mbarova këngën (orkestra nuk duartroket me pëllëmbë, por me harqe), si shenjë e pëlqimit të tyre.
Po të dërguarit e Komitetit?
Ata mbetën të befasuar dhe unë mendoj se çmimi i parë është vendosur në atë moment dhe nuk u pyet se kush isha unë apo për biografinë time. Kënga kishte patosin, tekstin, ishte orkestruar pa modesti, mjeshtërisht nga im shoq dhe qe një bashkëpunim shumë shpirtëror. Teksti ishte i Hysni Milloshit e mund të them se, përtej politikës dhe mesazheve që përçonte, ai bënte tekste shumë të bukura për këngët. Fjala i është kënduar, i është mbajtur mend, pasi ka pasur gjithnjë një fabul.
Ndjetë xhelozi kolegësh?
Nuk pati kohë që të shfaqeshin xhelozi. Unë u shfaqa në sekondën e fundit dhe, kur impakti është pozitiv, krijohet një hutim dhe njerëzit vendosen para një fakti të kryer. Por e vërteta është që unë nuk kam ndier xhelozi nga askush. Isha shumë shkurt në atë mjedis, e kam ndier dashamirësi nga kompozitorët dhe artistët e kohës, jo vetëm të muzikës së lehtë, por edhe asaj klasike.

Gala, mbi 50 protagonistë të mbrëmjes
Më shumë se 50 emra të njohur të muzikës apo shkencës i janë përgjigjur ftesës për të qenë pjesë e mbrëmjes gala, që zhvillohet nesër në mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një mbrëmje e cila kurorëzon punën njëvjeçare të “Albanian Excellence” për hartimin e një database mbi të gjithë ata shqiptarë, që kanë arritur të jenë të suksesshëm në profesionet e tyre jashtë atdheut. Fillimisht do të promovohen 100 prej tyre në librin “Albanian Excellence 2012 – 100 histori suksesi në 100-vjetorin e Pavarësisë”. Promovimi i këtij libri do të bëhet në mënyrë të veçantë, në një mbrëmje gala, nën skenografinë e artistit Andis Gjoni, me regji televizive të Petri Bozos, skenar të Flora Nikollës e drejtim të Marina Grabovarit. Në këtë listë të shkëlqyerish do të jenë edhe shqiptarë që janë shkolluar jashtë vendit, por kanë zgjedhur të kthehen në Shqipëri për të dhënë kontributin e tyre. Një ndër to është edhe Fabiola Hysenbelliu, zv/presidente e “Hysenbelliu Group”, e cila do të ndajë me të pranishmit eksperiencën e saj. Kjo mbrëmje mbështetet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, Radio Televizioni Shqiptar dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.

ALMA MILE

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s