Hygerta Sako, më drejtpërdrejt se kurrë

Kështu quhet emisioni më i ri që drejton. Por nuk flet vetëm për të. Ajo rrëfen sinqerisht se nuk i heq asnjë presje “Miss Albania”-s për ndihmën që i ka dhënë në start, se sa e vuajti shkëputjen nga televizioni, se kjo është puna që di të bëjë, e se si aktore, profesion për të cilin ka studiuar, nuk do hante dot bukë. Por edhe se tani as nuk ka përmasat e një Miss-i e as nuk do ta thërrasin ashtu. Bashkë me ca rrëfime për jetën private.
E ka lënë takimin pranë punës së saj. Pothuaj një vit pas intervistës së fundit, atëherë kur po përgatitej për të prezantuar Festivalin e 50-të të Këngës. Në mëngjes, sepse më vonë duhet të mbyllet në zyrë për t’u marrë me përgatitjet e emisionit “Drejtpërdrejt” që nis në orën 14:00. E megjithatë, biseda i ndërpritet disa herë. Duhet të bëjë një telefonatë, të lërë një porosi, ka një ndryshim plani në minutën e fundit… “Të paktën një temë në javë e përgatis vetë, për këtë jam duke folur”, – justifikon ndërprerjen Hygerta e ndërkohë porosit një kafe të dytë. Ka mbaruar koha e mëngjeseve me titull “Jo vetëm kafe”, tani, kur ditën në vijim e ka shumë më të ngarkuar, ato mund të quhen “jo vetëm një kafe” për Hygertën. E cila (sa për të mos i lënë përshtypjet e para për më vonë) është si gjithmonë e njëjta: me atë lloj bukurie të thjeshtë që nuk tradhton kurrë, flokë të zinj të kapur bisht, grim i rregullt, imazh klasik. Vitet që kanë kaluar, duket se më merak i ka ajo vetë që t’i përmendë, pak e bezdisur nga ata që duan të shohin gjithmonë Miss-in tek ajo, që e thërrasin me titullin që i ka dhënë spektakli “Miss Albania” 17 vjet më parë, duke lënë në hije, qoftë dhe për pak, gjithë programet apo spektaklet që ka prezantuar gjatë këtyre viteve, të cilët mund ta pagëzojnë fare mirë me një emër më të vonë. Është e bezdisur dhe nga komentet ngjyrë këpucësh-gjatësi fustani-kombinim vëthësh, që rrotullohen gjithmonë rreth së njëjtës pikë duke ndryshuar radhën e aksesorëve që marrin në shqyrtim. “Unë tani dua të më komentojnë prezantimin, pyetjet që drejtoj, programin ku jam pjesë. Do më pëlqente shumë më tepër një koment pozitiv profesional sesa një kompliment për pamjen”. Dhe kjo është e mundur më shumë se kurrë në programin që ka nisur në 27 shtator në TVSH, nga ora 14:00 deri në 19:00, i drejtuar në pjesën e parë që zgjat deri në 15:50 nga ajo dhe pas edicionit informativ deri në fund nga Ketrin Gjoçaj. “Pjesa ime e programit është e ndarë në dy puntata. Secila me katër të ftuar. Në fillim është një temë pozitive, ku flasim për diçka që funksionon mirë, diçka të dobishme për shoqërinë tonë. Në pjesën e dytë trajtojmë një temë problematike që na shqetëson të gjithëve. Për çdo pjesë ka lidhje të drejtpërdrejta, jo më kot programi quhet “Drejtpërdrejt”, fjalë që përshtatet dhe me idenë e autores Alda Bida dhe realizuesve për të shkuar drejtpërdrejt në zemër të problematikës. Kështu që duhet një përgatitje serioze për të drejtuar një emision të tillë, duhet të lexoj shumë, të informohem për çështjet, shqetësimet, për të ftuarit. Nuk është se ata ulen në studio, si tek emisioni i mëngjesit, për të folur për jetën e tyre, apo një libër që kanë botuar, ku pyetjet ishin pak a shumë të përgjithshme dhe bisedën e mbanin më shumë përgjigjet. Këtu më duhet të drejtoj, të ngacmoj të ftuarit, të kundërshtoj pse jo”. Është një format, ku vetëm një kukull nuk duhet në vend të prezantueses dhe Hygerta vetëm kukull që nuk do të jetë në këtë fazë. “Nuk dua të jem më ajo vajza me fustan mbrëmjeje deri në fund të këmbëve, që dal për të recituar tekstin e mësuar përmendësh”.

Dhe meqë jemi te fustanet, dhe atyre u kushton rëndësi, madje më shumë se në emisionin e mëngjesit, jo si elementi ku duhet të bjerë theksi, por sepse në këtë imazh prej moderatoreje serioze që është duke ndërtuar, veshja duhet të plotësojë siç duhet vendin e saj në puzzle.

“Në emisionin e mëngjesit gjithçka ishte më e thjeshtë. Qëndroja ulur, kështu që i kushtoja më shumë rëndësi pjesës së sipërme. Ndërsa këtu jam në këmbë, duhet të dukem sa më mirë e gjitha, por nuk është aq e lehtë, – qesh ajo në një nga ato batutat e sinqerta që nuk do i mungojnë gjatë kësaj bisede, – se unë jam nënë, në palestër nuk shkoj prej kohësh, nja dy defekte që mund të kem, duhen mbuluar”. Por, për fat, dosjen “veshje” e hap dhe e mbyll me qetësi tashmë, pasi veshjet i merr në një butik. Në fillim shfaqej me rrobat e gardërobës personale dhe kjo po që ishte pak problem sepse ‘babëzia’ e saj për blerje, se kështu e quan, nuk mund të ndiqte gjithsesi ritmin e përditshëm të programit, aq më tepër që kërkesat strikte që ka tani për look-un e vet nuk i pranonin të gjitha dëshirat e çasteve të blerjes, që mund të kenë qenë herë më të shkujdesura e herë më moderne. “Dua të paraqitem me një imazh sa më shik. Shkon me natyrën e programit, me seriozitetin e temave dhe të të ftuarve, por dhe me moshën time. Nuk jam më vajzë e vogël. Këtë gjë dua të arrij me imazhin. Më pëlqen që tani të kem një imazh klasik. Prandaj dhe grimin ia besoj duarve të mia sepse ia kam marrë dorën, ndërsa flokët parukieres, që e kam shumë mike, ku shkoj prej vitesh. Kurse në jetën e përditshme mundohem të dukem më e vogël, – qesh në një tjetër shprehje sinqeriteti, – në ekran më pëlqen të kem imazh serioz prej një prezantueseje të rritur”. Ajo është vetëm 35 vjeç, duke hyrë për 36, në një moshë kur disa mund ta nisin karrierën televizive, por duke qenë se është prej shumë vitesh në ekran, që atëherë kur ishte vërtet vajzë e vogël, tani e ndjen se ka mbërritur në derë nevoja për imazhin prej të rriture dhe ia hap me dëshirë.

Ashtu si ndjente nevojën për ndryshim. Në një kuptim, jo shumë ndërgjegjshëm: ai ndryshim që dëshiron dikush pas një kohe të gjatë në të njëjtin vend. Dhe pas katër vitesh në emisionin e mëngjesit “Jo vetëm kafe”, kishte arritur në këtë fazë. Por dhe një ndryshim të menduar me shumë kujdes nga ana tjetër, që ia ndjente nevojën pikërisht atëherë kur gjërat i peshonte në qetësi. “Nga ana profesionale ky emision është një mundësi shumë e mirë për mua.

Tani nuk jam më ajo vajza që i besohen gjëra të thjeshta. Jam më e rritur në moshë, kam më shumë përvojë, informacion e njohuri. Dhe kam vite që punoj në televizion”. Më shumë se pesëmbëdhjetë. I numërohen disa ekrane si TV Klan, TVA, ‘Vizion Plus’ dhe prej katër vitesh një besnikëri shembullore ndaj TVSH-së, disa lloje programesh nga ato sportive, tek ato kulturore e me karakter rozë, e pastaj dhe skena festivalesh kombëtare, plot katër. “Këto ditë kam qenë shumë e ngarkuar, sepse përveç emisionit kam prezantuar edhe dy festivale “Junior Fest Albania”, që zgjodhi përfaqësuesin e të rinjve në ‘Eurovision Song Contest’ si dhe Festivalin e Këngës Popullore, një projekt shumë i lodhshëm, sepse për herë të parë isha e vetme në skenë, me pushim vetëm një këngë, nga një dalje në tjetrën, por që ma ka shijuar pa fund, ndoshta pikërisht edhe për këtë angazhim të plotë, për faktin që më bëri të ndjeja një përgjegjësi në skenë, që nuk e kisha pasur kurrë më parë dhe që ia dola”. Dhe se ka hiç të shtirur entuziazmin. “Kjo është ajo që kam dashur gjithmonë. Prandaj mora pjesë edhe në ‘Miss Albania’, që të bija në sy e të mund të futesha paskëtaj në botën e televizionit. Tjetër gjë pastaj, që unë pata fat dhe fitova titullin e duke qenë vetëm e katërta e Miss-eve, ishte më e lehtë të më jepnin mua prezantimin e një spektakli se sa një vajze tjetër të panjohur. Fakti që mbeta në këtë fushë vjen nga brumi që panë te unë për prezantuese”, analizon ajo ftohtë e sinqerisht hapat e saj në karrierën si vajzë ekrani, që e ka vijuar pothuaj rregullisht, përjashto një shkëputje të cilën e ka vuajtur jo pak. “Nuk e imagjinoni dot se sa e kam vuajtur shkëputjen nga ekrani. Jo se dua të jem figurë publike, fytyrë mediatike, po sepse kjo punë më jep kënaqësi”. Hygerta bën pjesë në njerëzit që bën punën që do, kjo është prezantimi, në skenë, ose në studio, pak rëndësi ka. Këtë gjë e ka ditur që nga fillimi dhe bindet çdo ditë e më shumë. Nuk ka asnjë marrje me të mira të vetes në këtë mes. Sepse ajo nuk di ta bëjë këtë gjë. “Kjo është ajo që unë di të bëj dhe që më pëlqen. Sepse kështu ndihem Hygerta. Unë vërtet kam mbaruar shkollën për aktore, por nuk jam rehat duke u shtirur si një tjetër, qoftë dhe për një rol. Vërtet, unë si aktore nuk do kisha ngrënë bukë”, duket si dita e të vërtetave në kalendarin e kohëve moderne që e kanë bërë shumë të rrallë pranimin e dobësive, dhe pse këtë gjë me siguri Hygerta mund ta thoshte kurdo. “Kam bërë një rol, që mbeti i vetëm,- qesh sërish me atë buzëqeshjen e ëmbël që nuk i bën aspak punë për imazhin e një zonje të rritur, që po stërvit këto kohë,-rolin e Persefonit te “Stinë e mërzitshme në Olimp”, që për çudinë time të madhe, -ajo ditë nëse nuk është, le të quhet dita e të vërtetave,-edhe u vlerësua pozitivisht, por aq. Nuk ndjej së brendshmi nevojën për t’u marrë me aktrim”. Duket se gjithë dëshirat profesionale ia mbush ekrani e tashmë me programin e ri dhe festivalet kombëtare që ajo prezanton e pret të prezantojë, i mbush edhe kohën. Nga e hëna në të premten, katër ditët e para është në transmetim të drejtpërdrejt dhe në të pestën bëhet mbledhja…Ngelet vetëm fundjava, kushtuar e gjitha familjes. “Kur kam pushim jam vetëm për familjen. Dua t’i qëndroj sa më afër vajzës, e cila tani po mbush gjashtë vjeç dhe është një kohë, kur ka shumë pyetje, do të dijë shumë gjëra”. Në fakt Anais-it nuk i lë mangët asgjë, as ato që për vete nuk gjen kohë, dy herë në javë e çon në palestër dhe dy herë në javë në balet. Vitin e kaluar ndiqte dhe vetë seancat e zumbas në palestrën ku çonte të bijën duke kombinuar kështu dy gjëra në një, gjë që mendon të gjejë kohë ta përsërisë dhe tani, sepse ai imazhi perfekt që kërkon të ketë, ka nevojë edhe për përpjekje ekstra. Gjithashtu e shoqëron gjithmonë vetë në kopsht çdo mëngjes, duke mos i lejuar vetes, tani kur nuk i duhet më të jetë në transmetim në 8.20 ca minuta gjumi më shumë në mëngjes. “Thjesht nuk kam një orar strikt kur duhet të jem gati, e krehur dhe e grimuar, tani pasi çoj vajzën në kopsht mund ta marr pak me më shumë nge, madje ndonjëherë mund të dal dhe e pagrimuar nga shtëpia”. Por megjithatë, herët a vonë do gjendet në TVSH, për të nisur ditën e saj të ngarkuar të punës. Si në këtë ditë, kur pas jo vetëm një kafeje, pranon të flasë për ato që mendon se duhet folur

“Duhet një përgatitje serioze për të drejtuar një emision të tillë, duhet të lexoj shumë, të informohem për çështjet, shqetësimet, për të ftuarit. Nuk është se ata ulen në studio për të folur për jetën e tyre, apo një libër që kanë botuar dhe bisedën e mbajnë më shumë përgjigjet. Këtu më duhet të drejtoj, të ngacmoj të ftuarit, të kundërshtoj”

“Në emisionin e mëngjesit gjithçka ishte më e thjeshtë. Qëndroja ulur, kështu që i kushtoja më shumë rëndësi pjesës së sipërme. Ndërsa këtu jam në këmbë, duhet të dukem sa më mirë e gjitha, por nuk është aq e lehtë, – qesh ajo në një nga ato batutat e sinqerta që nuk do i mungojnë gjatë kësaj bisede, – se unë jam nënë, në palestër nuk shkoj prej kohësh, nja dy defekte që mund të kem, duhen mbuluar”

“Nuk e imagjinoni dot se sa e kam vuajtur shkëputjen nga ekrani. Jo se dua të jem figurë publike, fytyrë mediatike, po sepse kjo punë më jep kënaqësi”

“Nga ana profesionale ky emision është një mundësi shumë e mirë për mua. Tani nuk jam më ajo vajza e vogël që i besohen gjëra të thjeshta. Jam më e rritur në moshë, kam më shumë përvojë, informacion e njohuri. Dhe kam vite që punoj në televizion”

“Kjo është ajo që unë di të bëj dhe që më pëlqen. Sepse kështu ndihem Hygerta. Unë vërtet kam mbaruar shkollën për aktore, por nuk jam rehat duke u shtirur si një tjetër, qoftë dhe për një rol. Unë si aktore nuk do kisha ngrënë bukë”.

MAPO

One response to “Hygerta Sako, më drejtpërdrejt se kurrë

  1. What’s up, every time i used to check website posts here in the early hours in the break of day, since i enjoy to find out more and more.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s