Justina Aliaj: Pse më dënuan në Festivalin e 11 për këngën e Agron Xhungës “Në ekranin e televizorit”

Sa më shumë ikin vitet aq më tepër afrohet ai festival dhe aq më tepër vlerësohen ata që e mundësua realizimin e tij, duke pranuar vetësakrifikimin. Njëra nga këngëtaret që hyri në historinë e muzikës si një meteor, ka pranuar të flasë nga Nju Jorku i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në lidhje me Festivalin e 11-të, të Këngës në Radiotelevizion. Dhe duke filluar të flasë për atë kohë, Justina tregoi me sinqeritetin e një artisteje se ajo nuk e kishte menduar kurrë që budallenjtë e pushtetit të djeshëm do të arrinin deri aty sa të shkatërronin karrierën dhe jetën e artistëve të talentuar të asaj kohe vetëm e vetëm për faktin se Enver Hoxha nuk e kishte pëlqyer këtë festival.

Në një farë mënyre historia e Justina Aliajt është disi ndryshe nga historitë e tjera njerëzore që mbartin brenda akuza politike, kundërshtime dhe sharje. Përkundrazi, me Justinën u veprua pabesisht, duke mos i thënë kurrë se po e largonin nga puna për shfaqje të huaja në këngët e këtij festivali. Madje, fill pas festivalit asaj i thanë të kundërtën: Do të shkosh në Teatrin e Shkodrës se drejtuesit e këtij teatri kanë kohë që të kërkojnë me ngulm. Dhe Justina ishte nisur një mëngjes pa e ditur se festivali do t’i dilte përpara gjithmonë si një gur kilometrazhi që do të shërbente si postbllok për jetën e saj. Atëherë ishte vetëm 21 vjeç dhe në vend të Teatrit të Shkodrës i caktuan një shkollë të Dukagjinit për të dhënë mësim si mësuese. Dhe më pas kalvari i vuajtjeve profesionale vazhdoi për 18 vjet rresht, ku ajo erdhi në Tiranë dhe punoi në NISH- Mjetet Mësimore.

-Si ndodhi që ju u gjendët papritur në skenën e Festivalit të 11 të Këngës në RTVSH?

Nuk ishte çështje dëshire, por në thelb ishte diçka e natyrshme që pritej. Unë isha këngëtare e provuar në shumë interpretime gjatë asaj kohe. Pastaj kisha marrë pjesë me sukses gjatë çdo viti edhe në festivalet e tjera të mëparshme. Dhe të gjithë e dinin se, megjithëqë unë në atë kohë punoja në Televizionin Shqiptar, si regjisore, prezantuese, spikere, etj, përsëri kisha një pasion të veçantë, e cila ishte kënga. Pavarësisht se kisha mbaruar shkollën e lartë të aktorëve, (Konservatorin), një nga ëndrrat e mia ishte muzika. Pra, përpara Festivalit të 11-të, unë kisha marrë pjesë edhe në festivale apo koncerte të tjera. Dhe njihesha shumë mirë me rrethet artistike të vendit. Por këtu çështja ishte se me çfarë kënge do të përfaqësohesha në festival. Dhe për këtë unë zgjodha një këngë ritmike e cila titullohej “Në ekranin e televizorit”. Kënga ishte një kompozim i Agron Xhungës.

-Kush i caktonte këngëtarët në përzgjedhjet e këngëve?

Ishte një marrëveshje që vendosej në heshtje midis kompozitorit dhe këngëtarit. Deri atëherë këngët kishin funksionuar me dublant. Pra, ishin dy këngëtarë që këndonin të njëjtën këngë. Mirëpo në Festivalin e 11-të ky rregull u hoq fare dhe filloi eksperimentimi me një këngëtar. Unë zakonisht kam punuar me këngët e Agim Krajkës dhe Tish Daisë, por në këtë festival zgjodha këngën e A. Xhungës. Kënga ishte vërtet shumë e bukur dhe më pëlqeu. Tani kur i mendoj këto gjëra them ndonjëherë me vete se atje na kishin çuar për të zgjedhur jo këngën, por avionin e luftës me të cilin ishte paracaktuar se do të rrëzoheshim. Dhe kjo vlen për të gjithë ata artistë të talentuar dhe fisnikë, të cilët iu përkushtuan artit muzikor duke mbajtur më pas mbi shpinë sakrifica të llahtarshme në emër të pasionit për muzikën. Pra, iu thashë se bëhej një lloj marrëveshje e heshtur, por sidoqoftë asgjë nuk vendosej pa marrë miratimin e atyre “ustallarëve” më lart. Kishte raste që këngëtarit i hiqej kënga edhe një apo dy net para festivalit. Kjo ka ndodhur shpesh. Dhe për këtë arsye këngëtarët deri në natën e fundit ishin gjithmonë në ankth.

-Si është pritur kënga juaj “Në ekranin e televizorit”?

Aty për aty u prit shumë mirë nga publiku. Edhe më pas të gjithë më thanë fjalët më të mira. Njerëzit e pëlqyen dhe e bënë të tyren, melodinë e kësaj kënge. Por ndryshe nga të tjerët, entuziazmi im nuk zgjati shumë. Do të thosha vetëm pak ditë. Sepse menjëherë kritikat u bënë mjaft të ashpra, sidomos për mënyrën e interpretimit. Bëhej fjalë për “dredhje të zërit”, diku afër refrenit. Por kjo akuzë që tani duket qesharake, në fakt për atë kohë ishte shumë. Kështu që goditja ndaj meje ishte e menjëhershme.

-Cila ishte përplasja e parë pas festivalit?

Më shumë se përplasje direkte ishte një veprim i shëmtuar që ishte urdhëruar në prapaskenat politike të asaj kohe. Mua nuk më thanë asgjë për largim nga puna në Televizionin Shqiptar. Por ato ditë më erdhi Kadri Metohu dhe më tha: Ka shumë kohë që Teatri i Shkodrës të kërkon që të punosh si aktore në këtë qytet. Dhe unë nuk mund të kundërshtoj këtë urdhër”. Në fakt, u çudita disi por u detyrova ta pranoj kushtin, aq më tepër që nuk kisha ndonjë zgjidhje të ndërmjetme. Mirëpo, kur shkova në Shkodër dhe kur u paraqita në Teatrin “Migjeni”, atje nuk më pranuan.

-Çfarë të thanë?

Më thanë se nuk mund të më pranonin ngaqë unë isha e dënuar për shkak të Festivalit të 11-të. Dhe për këtë arsye duhet të kërkoja një lloj pune tjetër në Komitetin Ekzekutiv.

-Si veprove?

Shkova në Komitet dhe ata më caktuan në Dukagjin, për një shkollë apo një vatër kulture. Vetëm tani unë e kuptova planin që luhej mbi mua. Gjithçka ishte përcaktuar qysh në Tiranë, por mua nuk më thoshin asgjë haptazi. Vetëm se vazhdonin të më sillnin vërdallë sa në njërin vend, në tjetrin. Aty për herë të parë pashë hipokrizinë e një aparati shtetëror që vepronte nëpërmjet prapaskenave të ulëta. Dhe isha tepër e re kur e kuptova këtë gjë.

-A shkuat në Dukagjin?

Falë zotit, nuk shkova. Sepse një njeri i nderuar që quhej Bilal Paruca, i cili ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv kërkoi që unë të caktohesha në Teatrin e Shkodrës. Dhe i jam shumë mirënjohëse për ndihmën që më dha në ato momente tepër të vështira të jetës sime. Sepse në ato ditë ngado që shkoja më thoshin: Ti je e damkosur me kartabiankën e armikes së popullit e partisë. Dhe mos harroni ju lutem, unë dënohesha atëherë vetëm për fajin se kisha kënduar një këngë ritmike.

-Si e përjetuat arrestimin e Sherif Merdanit?

Ishte një tmerr i madh. Unë kisha dhimbje për të gjitha ndëshkimet që u jepeshin artistëve. Por me Sherifin kishim folur shpesh kundër regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Si të thuash Sherif Merdani ishte “kuzhina ime e brendshme”, sepse unë atij nuk lija gjë pa i thënë kundër diktaturës së Partisë së Punës. Ai kishte një fjalë të bukur ngushëlluese dhe thoshte: Mbylle moj t’u mbylltë”. Dhe dua të them se nëse nga internimi në Dukagjin, më ka shpëtuar Bilal Parruca, atëherë nga burgu më ka shpëtuar Sherif Merdani, ky këngëtar dhe njeri i madh i kohës sonë.

-Përse thoni se “ju ka shpëtuar nga burgu”?

Sepse ai edhe mund të fliste e mund të thoshte diçka nga ato që i kisha thënë unë. Por nuk foli asnjë fjalë. Gjatë periudhës që Sherifi ishte në hetuesi, unë ndiqja veprimet dhe reagimet e policisë kundër meje. Nëse ata do të reagonin, atëherë do ta kuptoja se Sherifi mund të kishte folur ndonjë gjë, midis atyre torturave të tmerrshme që i bënin çdo ditë. Por ai e tregoi fisnikërinë e tij edhe midis atyre tmerreve të qelive.

-Sa vjet ke qëndruar në Shkodër?

Kam qëndruar rreth 4-5 vjet duke punuar në Teatër. Gjatë asaj periudhe edhe jam njohur me burrin tim që ishte mjeshtër i dekoreve, në Kinostudion “Shqipëria e re”, ku unë shkova për të luajtur filmin “Çifti i lumtur”. Pra, u martova në Tiranë, ku nuk gjeta dot punë në profesionin tim. Vazhdova kështu kalvarin e sorollatjeve duke paguar një faj që nuk e kisha bërë. Duke u ndëshkuar rëndë pa pasur asnjë faj. Sepse më ndaluan përgjithmonë që të dilja në skena për të kënduar apo për të dhënë shfaqje publike në teatër. Dhe e keqja e asaj kohe ishte se nuk kishe ku të ankoheshe. Askush nuk të kuptonte dot dhe shumë njerëz të konsideronin si armike. Megjithatë nuk mund të harroj kurrë se gjatë jetës time kam njohur edhe njerëz të mirë që më kanë ndihmuar sadopak.

-Ku punuat në Tiranë?

Kam punuar 8 vjet në Ndërmarrjen e NISH-Mjeteve Mësimore. Ishte një punë e lodhshme dhe për mua që kisha investuar për artin, më dukej dyfish e tillë. Por dalëngadalë u mësova sepse e kuptoja që nuk kisha asnjë rrugë tjetër. Shumë pak kohë kam punuar edhe në Teatrin e Kukullave. Ndërsa kur kërkoja në profesionin tim më thoshin: As që mos të shkojë mendja për të punuar në Teatrin Popullor”. Ndërsa, pas vitit ‘90-të punova gati një vit si këngëtare e Estradës. Dhe më vonë një “lamtumirë” të dhimbshme duke ikur drejt Nju Jorkut.

-Tani që kanë kaluar gjithë këto vite a i jeni rikthyer ndonjëherë analizës së asaj kohe?

Po, disa herë. Dhe kam menduar se si çmenduria e sistemit shkatërroi fatet e qindra-mijëra njerëzve të pafajshëm. Midis tyre edhe fatin e qindra artistëve, duke përfshirë këtu ëndrrat e vrara të jetës sime.

-Përse mendoni se juve sistemi ju ka sulmuar kaq shumë?

Nuk e di, por mendoj nga xhelozia e përbindshme e disa mediokërve që nuk donin të shikonin në asnjë mënyrë përparimin e artit e artistëve. Ata nuk donin kurrsesi talente, prandaj nxitonin t’i shndërronin në viktima. Ose kjo ishte pjesë e një strategjie kriminale që identifikon në thelb të gjitha diktaturat. Veçse diktatura në vendin tonë ishte e pashembullt dhe e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër.

-Ju në atë kohë cilësoheshit me biografi të keqe nga ana e familjes?

Jo, familje ime deri atëherë ishte me biografi shumë të mirë. E vetmja që prishi këtë biografi isha unë. Mua pas festivalit më cilësuan si kundërshtare të regjimit dhe rastin e Festivalit të 11-të, disa donin ta përdornin si një njollë edhe për njerëzit apo të afërmit e mi.

-Sipas jush, përse disa prej pjesëmarrësve në këtë festival nuk janë ndëshkuar?

Nuk e di, kjo ishte pjesa e fatit tim dhe unë dëshiroj të flas vetëm për veten time.

 Intervistoi: Ilir Bushi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s