Rrëfimi prekës i vajzës: Robert Ndrenika fitoi mbi vuajtjen

Që rikthimi i aktorit Robert Ndrenika është  një festë për teatrin dhe publikun, nuk vihet aspak në diskutim, dhe interesi i madh për shfaqjen i dedikohet kryesisht këtij aktori që me modesti nuk dëshiron ta quajë veten mjeshtër, edhe pse është i tillë. Por familja Ndrenika, ku plaga e humbjes së gruas dhe nënës së dashur Polikseni është ende e hapur, falë këtij rikthimi ka shënuar një fitore në betejën e saj me vuajtjen, e cila mendohej se i kishte vënë poshtë të gjithë. Nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse sic thotë një nga vajzat e tij, Diana, babai Ndrenika e mund aktorin Ndrenika. Ai është kryefamiljari i përkushtuar që ka ruajtur më së miri ekulibrin mes familjes dhe punës, dhe ia ka dalë mbanë që të ngrejë një strehë të bukur dashurie që edhe kur shënon humbje di të përcojë energji pozitive. Ashtu si kjo intervistë me Diana Ndrenikën e cila ndan me lexuesit e Shqiptarja.com. kujtime, emocione dhe vlera të një familjeje me të cilën në kohët e sotme rrallë mund të ndeshesh.

Pas një mungese të gjatë në skenë babai juaj është rikthyer sërish. Ju pamë në provat gjenerale të doktor Shuster. Çfarë ndienit dhe cfarë mendonit kur shihnit babanë tuaj në skenën e teatrit?
Ka qenë një traditë familjare që dikush prej familjes të ishte prezent gjatë provave skenike të babit, kryesisht ato gjenerale. Kjo ka ndodhur më shumë në teatër, por ka patur raste kur e tërë familja  (unë  dhe motra së bashku me mamin) ka qënë e zhvendosur në sheshin e xhirimit. Më kujtohet që në një rast të tillë kemi qënë për disa javë në qytetin e Pogradecit, gjatë xhirimeve të filmit “Shoqja nga fshati”. Modest dhe me një traditë parimesh konservatore familjare, atij nuk i pëlqente të përziente familjen me punën. Mbaj mend që na porosiste gjithmonë të rrinim urtë në sheshin e xhirimit, pasi ne bashkoheshim dhe luanim me fëmijët e tjerë që gjendeshin aty. Ndonjëherë bëhej një rrëmujë e vërtetë. Tani që e kujtoj, është e çuditshme, se si ai është përpjekur ta ruajë familjen, duke e mbajtur larg andrallave dhe ambienteve të punës, që nuk  kanë qënë të pakta, sidomos nën diktaturë.
Në shfaqjen e fundit, “Doktor Shuster”, ku babi u rikthye në teatër pas katër vitesh, unë e shoqërova disa herë në prova përpara premierës. Dikur këtë gjë e bënte mami. Ajo e adhuronte të shoqin, aq shumë, sa  në shtëpi, kur ktheheshin, ne i vinim në lojë e bënim qyfyre, por tani që ajo nuk është më, unë, më shumë se nostalgji, ndjeva një përgjegjësi për të shoqëruar tim atë në provat përpara premierës. Në shfaqje lotova pothuaj gjatë gjithë kohës, kjo në sajë dhe të pjesës që kishte jo pak dhimbje. Po dhe gëzim të madh që e pashë përsëri në teatër, sepse gjatë kohës së gjatë që mami ishte sëmurë, të them të drejtën e humba shpresën që ai do të kthehej një ditë në skenë. Tani ndjehem e gëzuar, e çliruar. Falenderoj Spiro Dunin me zemër.

I bëni “kritika”, vërejtje apo jepni mendime për performancat e tij?
Jo, nuk i bëj kritika, ose i bëj fare pak. Nuk e kemi një traditë të tillë, kjo jo rastëshisht, jo për indiferencë. Shikoni, marrëdhënien me punën ai e ka mbajtur larg familjes, me pak fjalë, ai merrte përsipër përgjegjësinë , andrrallat, kurse ne kënaqësinë e karaktereve që ai krijonte. Ishte një lojë në disfavor të tij kjo, por dhe një meritë e madhe si baba.  Por nga ana tjetër kemi qënë më shumë se spektatorë. Karakteret që ai krijonte, në njëfarë mënyre ishin prezente në shtëpi. Ja t’ju them së fundmi për doktor Shusterin. Unë nuk e njihja pjesën, madje as subjektin e saj. Sepse pas një fare kohë që babi kishte munguar në teatër doja të përjetoja një lloj surprize emocionale në shfaqje. Kështu ndërsa shikoja Doktor Shusterin u befasova! Po kuptoja se diku e njihja këtë personazh. -Si ka mundësi,- thashë? –Cfarë ka ndodhur-? Dhe e zbulova. Mu kujtua gjithçka. Për javë të tëra im atë kishte jetuar së bashku më këtë personazh. Në çdo batutë, në çdo rrethanë jetësore,  ai përshtaste jo sjelljen e tij, por rrethanën dhe sjelljen, mimikën e gjestet e karakterit që ai po krijonte, doktor Shusterin duke e bërë prezente në jetën e përditshme. Kjo nuk kërkon vetëm imagjinatë, por dhe mjaft punë. Kjo është një lloj përvoje tepër intime që ne kemi fatin ta shohim në familje.
Jam e prekur nga kjo arritje. Mendoja se vuajtja me sëmundjen e mamit na kishte vënë poshtë të tërëve. Beteja me vuajtjen është një sprovë për të cilën të përgatit vetëm eksperienca.

Kaq vite në skenë, dhjetëra shfaqje, role në filma. Cili prej tyre është më i preferuar nga ju? Po në familje në përgjithësi cilin preferoni dhe komentoni më shumë?
Ka shumë, por po ju them një histori me filmin “Shtigje lufte”. Siç e dini babi luan rolin e një fshatari nga Peza që lufton kundër italianëve, Shabanit. Sa herë jepej pjesa kur Shabani vritet nga një ushtar italian, ne (unë dhe motra) fillonim e qanim. Atëherë ai ngrihej dhe na e mbyllte televizorin. Ne, pastaj qanim akoma më shumë. Ai që na jepte një krenari të brendshme ishte roli i Fotaqit te Koncerti. Edhe sot e përjetoj këtë ndjesi sa herë e rastis këtë film. Mendoj se  “Koncert në vitin 1936” është një prej 10 filmave më të mirë që ka prodhuar ndonjëherë Kinostudio “Shqipëria e Re”. Më shumë se një film artistik është një histori, një etnografi e gjallë e një periudhe e cila megjithëse nën një këndvështrim të kufizuar vjen me ngjyra mjaft të gjalla.
Gjatë kohës që kam qënë student, babi ka interpretuar një rol të mrekullueshëm në komedinë e Shekspirit, “Nata e dymbëdhjetë”, Malvoljon, një figurë sa groteske, por dhe e rrezikshme,  përfaqësues i puritanizmit anglez të shekullit të XVI.  Por fatkeqësisht një numër i madh rolesh, apo veprash teatrore, për shkaqe specifike, sot kanë mbetur të paregjistruara. Nuk kujtohem nëse Robert Ndrenika ka interpretuar ndonjerë rolin e një personazh negativ, ose së paku, tipik negativ.

Robert Ndreknika është një mit i skenës dhe i ekranit shqiptar, por si është ai në “rolin” e babait?
Babai Robert Ndrenika e mund aktorin Robert Ndrenika. Ai mbetet figura kryesore mashkullore për mua. Në rolin e babait ai ka qënë figura kryesore në familje dhe është kujdesur për ne vazhdimisht.

Dihet që vajzat kanë një raport të vecantë me baballarët e tyre. Cfarë spikat në raportin tuaj më së shumti?
Të dyja motrat jemi të lidhura me babin dhe mbajmë kontakte të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Autoriteti I tij ka qënë i padiskutueshëm dhe këtu duhet t’ju them se një kontribut të paepur për këtë ia atribuoj mamasë sime që na ushqeu një respekt të padiskutueshëm për të. Ajo e donte shumë.

Cfarë adhuroni më shumë tek babai juaj?
Është familjar i përkushtuar.

Si është një ditë e lumtur në familjen tuaj?
Premierat e babit mund të quhen të tilla.

Sakrifica që babai juaj bëri për gruan e tij dhe nënën tuaj, Poliksenin flet për një histori të madhe dashurie që revokon premtime altari….apo jo? Janë të mundura lidhje të tilla? Cili është sekreti i lumturisë së tyre sipas jush?
Ata nuk patën mes tyre ndonjë krizë, as ndonjë marrëdhënie konfliktuale. Kisha filluar të besoja se çelësi apo sekreti anonte më shumë nga mami. Prezenca dhe atmosfera që ajo krijonte në famije ishin si të përjetoje gëzimin e një dite feste, apo si të një të diele me diell. Por kujdesi që im atë tregoi për të, sakrifica me të cilën ai përballoi sëmundjen ishte monumentale. Në sytë e mi ka qënë një dashuri e madhe, që më pas ushqeu një mama dhe një baba të jashtëzakonshëm, dhuratë që unë e ime motër, patëm fatin që perëndia të na i dhuronte.
(Shkrimi eshte botuar sot ne te perjavshmen Fundajava te gazetes Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s