Myfarete Laze: Sot muzika shitet me lekë, por i mungon shpirti

Jonida Hitoveizi

Të rrëfejë jetën e saj artistike sigurisht që nuk mjafton. Do të duhen më shumë orë për të dëgjuar e më shumë faqe për të shkruar. Në fakt kjo ndodh përherë me njerëzit që e kanë kaluar gjithë jetën në skenë, mes artit dhe dashurisë për të. Myfarete Laze, këngëtarja e dashur e muzikës së lehtë shqiptare, në këtë intervistë flet jo vetëm për artin e brezit të saj, por edhe për punën e saj aktuale. Mundësia për t’u dhënë shpresë, për t’i bërë të ndjehen të vlerësuar ata që ndoshta e kanë humbur shpresën, është arti më human. Këtë gjë mund ta bëjnë vetëm njerëzit me zemër të madhe, me shumë dashuri brenda vetes. Ata që në një mënyrë apo tjetër nuk rrinë dot pa u shërbyer njerëzve. Këtë po bën edhe Myfarete Laze, e cila si për ta përmbyllur gjithë këtë cikël, po përgatit dy albume me krijimtarinë e vet për t’ua dhuruar adhuruesve të saj.   

Zonja Myfarete, duket sikur jeni larguar disi nga skena. Ju ka lodhur?

Jo. Skena nuk të lodh kurrë, përkundrazi të jep kënaqësi dhe të mban gjallë. Mund të mos jem prezente në disa aktivitete, por e ftuar kam qenë në të gjitha. Tani së fundmi kemi dhënë një koncert në prag  të 100-vjetorit në qytetin e Shkodrës. Kam qenë e pranishme në aktivitete të ndryshme artistike në Kosovë, Itali etj. Nuk e lë jetën artistike deri sa të më lërë ajo…Ndoshta përzgjedhjet për aktivitete bëhen pak me klane dhe jo sipas aftësive, e ky nuk është faji ynë.

Jeni nga ato artiste që keni lënë gjurmë dhe njerëzit vazhdojnë t’ju duan. Si ka qenë për ju gjithë kjo rrugë?

Për të ndjekur pasionin gjithmonë është e vështirë. Sidomos për një femër është më e vështirë, pasi bëhesh nënë etj. Kur e do diçka gjen mundësinë për ta realizuar, ndoshta jo ashtu siç ke pritur, por e realizon me shumë sakrifica. Herë duke bërë sakrifica për familjen, herë për artin, herë për shoqërinë. Megjithatë, jeta e artit është e bukur, kontaktet me njerëzit janë të mrekullueshme. Unë di të them vetëm këtë: kam vetëm gjashtë vjet që kam ardhur në Tiranë dhe isha mësuar ndoshta në qytetin tim që njerëzit më shihnin dhe nuk më bënte përshtypje. Ardhja në Tiranë më ka befasuar me shumë gjëra, me shumë pritje, puthje duarsh, njerëz të panjohur që më përqafojnë, kërkojnë që unë të jem në aktivitete. Megjithatë, unë mendoj se ne kemi zëra të mrekullueshëm në Shqipëri. Janë në kohën e tyre dhe bravo, sepse e vazhdojnë rrugën me shumë sakrifica. Arti do përkushtim por edhe një forcë të madhe ekonomike. Unë nuk mund t’i ndaj.  Ndoshta tani kam më shumë kohë se asnjëherë për veten time. Nuk bëhen të gjitha bashkë.

Këtë pyetje jua kanë bërë ndoshta shumë herë, por a e mbani mend këngën e parë që keni kënduar?

Kënga e parë është si dashuria e parë, fëmija i parë, si gjithë gjërat e para, e paharrueshme. Mbetet gjithmonë në kujtime shumë e freskët. Kënga e parë ka qenë “Nën kurorën e ullirit” dhe “Shoqet ilegale”. Të dyja u vlerësuan me çmim, njëra me çmim të parë dhe tjetra me çmim të dytë.

Pavarësisht vështirësive, fakti që vinit nga Shkodra e kulturës dhe këngës, ishte më e lehtë për ju?

Në librin e tij, Isa Alibali thotë se në Shkodër të gjithë këndojnë. Unë kam pasur fat që kam lindur dhe jam rritur në Shkodër, pasi ky qytet më ka dhënë shumë. E them këtë me sinqeritetin më të madh. Prej Shkodrës kanë dalë aktorët e parë meshkuj edhe femra, sportistet e para, klubet e para sportive, opera e parë shqiptare e shumë e shumë të tjera. Unë e gjeta rrugën e shtruar. Atë thyerjen e fanatizmit e gjeta të shtruar nga Tinka Kurti, Vitore Nino, Zyhdi Miloti, Marije Kraja… Falë këtyre figurave që na hapën rrugën, nuk ekzistoi kurrë pengesë për ne. Ne e gjetëm rrugën të shtruar.

Ju kanë hequr ndonjëherë vëmendjen për ndonjë këngë “jashtë kornizave”?

Ajo kohë ka pasur kufizimet e veta, kjo dihet. Ne kemi pasur kompozitorë të mrekullueshëm. Krijimtaria për ta ishte shpirt, Na kanë dhënë shpirt, jo vetëm kompozimin. Bashkëpunimi me ta ka qenë një shkollë e madhe. Poetët si Betim Muço, Xhevahir Spahiu, Agim Doçi etj, kanë ditur të luajnë kaq bukur me fjalën. Kanë ditur ta sjellin poezinë për dashurinë, në atë formë që ato jetojnë edhe sot. Një vlerë e madhe është e kompozitorit, poetëve që e kanë sjellë aq bukur, por edhe e jona që e kemi kënduar me shpirt. Në Shqipëri nuk ka një shkollë të lartë për muzikën e lehtë ose muzikën zbavitëse. Ndaj për ne, një shkollë e madhe ka qenë brezi paraardhës, por një shkollë e madhe ka qenë puna në piano me kompozitorët dhe poetët. Kompozitori, këngëtari, orkestruesi dhe poeti në atë kohë ishin një. Ndoshta në prova gjenerale orkestra ishte e vetëdijshme dhe nuk i binte fort, por lehtë që të kaloheshin ca gjëra pa gjurmë, që mos të hiqej kënga në këto prova. Mandej kur kalonte provat gjenerale, kalonte në publik dhe s’kishte çfarë të bëhej më.

Cili ka qenë miku juaj që ju ka mbështetur më shumë?

Një shkollë e madhe për mua ka qenë bashkëpunimi me të ndjerin Agim Prodani. Pata fat. Mund të kisha rënë në dorën e çdokujt kompozitori, ata ishin të gjithë punëtorë. Gjithë ai brez kompozitorësh ishin shumë punëtorë. Unë pata fat të punoja këngën e parë me Agim Prodanin, aq sa kam përfituar prej tij më ka shoqëruar gjithë jetën time. I jam mirënjohëse!

A keni nostalgji për atë kohë?

E di për çfarë kam nostalgji? E para, më mungon melodia e këngës sot. E dyta, më mungon teksti. E treta, mungon ai bashkëpunim i mrekullueshëm, kompozitor-poet-orkestrues-këngëtar. Shpirti mungon. Nëse tani këngën e shesin me para, po të ishte Agim Prodani gjallë nuk do e shiste këngën e vet. Ashtu siç nuk e shet sot Limoz Dizdari, Flamur Shehu etj.

Nëse do të vazhdojmë të flasim për jetën tuaj artistike, jam e sigurt që nuk ka fund, ndaj dua të ndalem pak tek ajo që ju bëni tani. Puna juaj në burgjet shqiptare…

Unë nuk jam mjaftuar kurrë duke qenë vetëm këngëtare. Unë kam ideuar dhe organizuar shumë koncerte në qytetin tim të Shkodrës. Një prej mrekullive ka qenë “Dita e Luleve”, “Shën Gjergji”. Ne kemi bërë bashkë me grupin e punës, kemi ndërtuar një koncert për “Shën Gjergjin”. Lulet janë të të gjithëve, s’kanë dallim. Shkodra ka një veçanti pasi ka 150 këngë për lulet. Nuk i ka asnjë qytet në Ballkan. Kjo sepse duke dashur të krahasojnë femrën, nga fanatizmi e kanë krahasuar me lulen. Lidhur me këtë ne kemi bërë edhe një album me tri pjesë: lulet e gjalla, lulet në pikturë dhe këngët për lulet. D.m.th, nuk mjaftohem vetëm të këndoj, por edhe të organizoj. Kur erdha në Tiranë, kuptohet ishte krejt tjetër dhe unë kërkova të punoja tek burgjet dhe falë mirëkuptimit të drejtorit dhe ministrit në atë kohë, gjeta bashkëpunimin e tyre. Më pritën me shumë ngrohtësi. Në fillim kam qenë e qartë se çfarë do bëja. Mbaj mend nga Tinka Kurti që një bariton i mrekullueshëm shkodran, në atë kohë kishte krijuar në burg një kor me tre zëra. Imagjino me çfarë vështirësie. Megjithatë, ata janë njerëz dhe burgjet janë riedukuese.

Pse e kërkuat këtë punë?

Po ju them vetëm çfarë kam bërë nga muaji janar deri tani bashkë me stafin e punës. Kemi bërë 12 panaire me punime artistike nga të burgosurit, 7 ekspozita në pikturë në burgje të ndryshme. Kam krijuar grup artistik polifonik në burgun e Peqinit. Një grup të mrekullueshëm me çifteli në Fushë-Krujë. Kam grupin teatror të grave në burgun 325, po kështu tek burgu i grave 313. Tek të miturit në Kavajë është një formacion kaq i ëmbël repist… Mua  më ngacmon fakti që t’u gjendesh njerëzve në nevojë, që ata të mos ta humbasin besimin. Të rikthehen në jetë, mos të jenë më rrezik për shoqërinë besoj se është detyra jonë më humane.

Kur ju shohin që jeni ju, Myfarete Laze, si reagojnë?

Nuk e besojnë. Në fillim nuk e besonin, kurse tani u janë krijuar mundësitë për të bërë shumë gjëra në kohën e lirë, kurse artizanale, rrobaqepësie, hidrauliku, mekaniku etj. U jepet mundësia atyre njerëzve që prirjet e tyre t’i shfrytëzojnë aty ku janë. Puna është edhe një ndihmë e madhe ekonomike për ta, pasi të gjitha këto punime shiten.

Ka ndonjë histori që ju ka prekur më shumë aty brenda?

Ka shumë dhe historitë janë nga më të ndryshmet, pa dashur t’i hyj kësaj teme. Aty ka njerëz që janë të dënuar. Është një djalë i dënuar për krime të rënda, me burgim të përjetshëm dhe ka hyrë shumë i ri në burg. Aty ka nisur të shkruajë dhe ka botuar vëllimin e 8-të me poezi. Para disa ditësh bëmë promovimin e librit të tij. Mua më ka bërë përshtypje në librin e tij të parë që e fillon kështu: “O Zot! Tani e di çfarë është vetmia. Tani që kam mall për familjen, tani që jam i mbyllur në këto katër mure. Tani e kam kuptuar sesa dhimbje kam shkaktuar. A kam fytyrë t’u kërkojë njerëzve të më falin?! Zot, veç ty të lutem. Veç ti më fal qetësi”. Poezitë e tij janë fjalë të një pendese të jashtëzakonshme. Unë nuk i pyes kurrë se çfarë vepre penale kanë bërë. Mua më intereson të gjej gjërat më të bukura të tyre dhe t’i vë në dukje. Mendoj se nëpërmjet terapisë së artit, terapisë së punës, edhe atyre njerëzve u ikën stresi.

Besoni se arti mund ta ndryshojë botën?

Po. Është i ndjeshëm. Është shpirt. Një njeri që ka prirje për art, është një fije më i butë se të tjerët. Është më paqësor. Ai di të dashurojë, di të flasë, di të dhurojë gjëra të bukura.

U merr shumë kohë kjo gjë?

Nuk është e kollajtë, por unë e kam pasion. Ata ndihen të vlerësuar, ndaj dhe ne përpiqemi të krijojmë një jetë aty brenda burgut.

Të kërkojnë ndonjëherë të këndosh aty?

Po, shpesh. Një kënaqësi tjetër që më jep kjo punë është se të gjithë artistët shqiptarë janë shumë humanë. Ata vijnë dhe japin koncerte në burgje pa asnjë lloj shpërblimi, siç erdhi Tinka Kurti në dhjetor në atë të ftohtë…. Këtë e bën vetëm një artist i madh. Janë shumë artistë që vijnë, shumë….

A ndjeheni e realizuar në këtë moment të jetës suaj?

Jo. Me keqardhje e them, por unë ndoshta ndryshe nga të tjerët nuk e kam ndërtuar jetën duke kënduar nëpër klube dhe nëpër dasma. Nuk e kam për fyerje. Ajo është pjesë e punës sime. Unë kam pasur kushte të tjera. Kam pasur nënën e paralizuar për 20 vjet dhe nuk kam pasur shumë mundësi. Të kesh dikë të sëmurë për 20 vjet në shtëpi, të rritësh dhe dy fëmijë nuk është e kollajtë. Do doja të kisha një jetë më të vrullshme artistike, sepse jam në formë vokale. Megjithatë kurrë nuk është vonë. Unë ndihem e nderuar në ato aktivitete ku shkoj. Të ndihesh e vlerësuar dhe po aq e veçantë nuk është pak.

A keni ndonjë peng në jetë?

Njeriu ka pengje, edhe qajmë, edhe qeshim. Janë gjëra të jetës.

Bashkëshorti juaj është trajner basketbolli dhe mësues i edukimit fizik. Si ka qenë marrëdhënia juaj?

E mrekullueshme. Ai e dashuronte sportin e vet dhe e ka pasur më të lehtë të ma kuptojë mua dashurinë për artin.

Gjithmonë jeni në një formë të shkëlqyer. Si ia bëni?

Kur e ke shpirtin e mirë je rehat. E dyta, janë rritur vajzat. Tani kam më shumë kohë për veten. Edhe këshillat e vajzave janë si ndërhyrje kirurgjikale që merren me çdo detaj timin. Unë kam pasur fat që më ka dhuruar Zoti dy vajza.

Së fundmi, zonja Myfarete, a do të shfaqni diçka të re për publikun?

Unë gjatë këtyre viteve kam punuar vazhdimisht. Kam krijime të reja nga Edmond Zhulali dhe shumë të suksesshme. Kam krijime të reja nga Alfred Kaçinari që janë shumë të bukura. Falë kujdesit që Ardit Gjebrea ka për artistët e brezit tonë, kam pasur disa bashkëpunime të mrekullueshme me të. Tani po mbledh të gjithë krijimtarinë time të vjetër dhe të re dhe besoj se do dalin dy albume së shpejti. Unë do t’i bëj me shpenzimet e mia dhe do t’ua dhuroj gjithë dashamirësve të mi.

Pse po e bëni këtë, ndoshta sepse nuk jeni mësuar ta komercializoni muzikën?

Jo. Arti në vetvete është art, por është edhe jetesë. Problemi është se jam borxhlie karshi publikut dhe fansave të mi. Jam e detyruar që ta bëj këtë gjë të bukur për atë rreth që më ndjek në gjithë aktivitetet e mia. Është një  detyrë morale t’u dhuroj diçka nga vetja këtyre fansave të mi që më kanë ndjekur gjithë jetën.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s