Françesk Radi: E vërteta e këngës time me tekst politik dhe muzikë moderne në festivalin e vitit 1972

Kantautori Françesk Radi, është një emër i cili tashmë e ka arritur suksesin e tij muzikor, duke sjellë këngë të cilat janë vlerësuar nga publiku. I njohur me krijimtarinë e tij muzikore që në vitet ’70, ai vijon dhe sot duke prezantuar këngë të cilat vijnë të realizuara me mjeshtëri dhe muzikë të bukur.

Në intervistën dhënë për gazetën kantautori Françesk Radi, tregon se si nisi jeta e tij me krijimtarinë muzikore, vështirësitë e para për të dalë në skenë dhe si u mirëpritën dy këngët e tij të para në vitet ’70. Françesk Radi pjesëmarrës për herë të parë në festival ka qenë në vitin 1972, aktivitet si pasojë e të cilit u dënuan emrat që ishin pjesëmarrës për shkak të prirjeve të tyre moderniste. Duke folur për këtë aktivitet, ai tregon se edhe pse në atë kohë krijimtaria muzikore nuk u pëlqye nga regjimi i kohës, nëse do të kishte vijuar më tej me po atë ecuri do të kishte sjellë një klimë tjetër të jetës artistike dhe të këngës shqiptare. Pjesë e intervistës me kantautorin e njohur janë dhe aktivitetet muzikore që zhvillohen sot, ku sipas tij duhet një përgjegjshmëri më e madhe, ndërsa tregon se të rinjtë duhet të studiojnë muzikën dhe jo të bien pre e elektronikës në muzikë.

-Jeni një nga kantautorët e njohur, që keni sjellë këngë të cilat janë mirëpritur nga publiku. Dekada me radhë me krijimtarinë muzikore, por si i kujtoni fillimet tuaja me këngën?
Karrierën në fillim e kam nisur duke kënduar këngët e disa kompozitorëve të tjerë, siç ishin Enver Shëngjergji, miku im Gazmend Mullahi etj. Natyrisht që në atë kohë këndoja dhe këngë të huaja, që ishin hite të kohës. Isha i ri, dhe në atë kohë nuk më lejonin të këndoja, sepse zëri im kishte tendenca të muzikës perëndimore. Ishte viti 1968 dhe dihej se si ishin kohët. Unë isha 18 vjeç dhe e dinin të gjithë që unë këndoja, por nuk mund të futesha në edicionet muzikore që zhvilloheshin në Tiranë. Në vitet ’70 në një ambient ku regjisori i mirënjohur Bujar Kapexhiu me dëgjoi duke kënduar me kitarë, më tha që do të bënte çmos që të isha në premierën e tij me Estradën e Tiranës dhe të këndoja këngën. Ajo ishte një këngë e kompozuar nga Enver Shëngjergji me titull “Udhëtuam së bashku”. Ishte një këngë që kishte dalë në qarkullim në radio në atë kohë dhe unë e këndova në stilin tim, që ishte pak më i veçantë. Ishte Bujar Kapexhiu që bëri që unë për herë të parë të këndoj në skenën e Teatrit të Varietesë.
-Në atë kohë Varieteja e Tiranës kishte mbledhur artistët më të mirë, si u ndjetë mes tyre?
Ishte një kënaqësi e madhe, sepse në atë kohë Varieteja e Tiranës ishte një vend ku këndonte Vaçe Zela, Anita Take, si dhe këngëtarë të tjerë të njohur të kohës. Për mua të ngjitesha në atë skenë ishte një nder dhe një privilegj i madh. Më kujtohet që para se të dilja në skenë, unë aty u mora me një konkurs trajtimi, dhe jo për meritat në këngë, por sepse në atë kohë kujtonin se është pak e rrezikshme dalja ime në skenë. Unë dola para një komisioni ku ishin drejtuesit e institucionit dhe këndova këngën vetëm me kitarë, dhe erdhi një nga ata që ishin në komision dhe më tha që duhet të isha më i qeshur në interpretim, sepse kënga flet për aksionet, për rininë. Unë e këndova dhe njëherë këngën dhe u vendos që kënga të futet në spektakël. Kënga në atë kohë u orkestrua nga mjeshtri Alqi Kareco dhe mbaj mend që kur kam dalë në skenë nuk kam parë asgjë, por vetëm kam dëgjuar që në mes të këngës filluan duartrokitjet në sallë dhe u zgjova nga ai ankth. Kjo ka qenë dhe kënga e parë që unë kam kënduar para publikut në një skenë të vlerësuar për kohën.
-Më pas, si vijoi jeta juaj me krijimtarinë muzikore?
Unë kam qenë në lice në degën e kontrabasit, por studioja edhe piano edhe kitarë dhe normal që fillova të pajisesha me një kulturë më të gjerë muzikore dhe më profesionale. Fillova ta prekja muzikën konkretisht si në piano dhe kontrabas. Këtu fillova të bëja dhe eksperimentet e para, kisha bërë disa këngë dhe sikur nuk më pëlqenin, derisa fillova të eksperimentoj disa motive shqiptare. Kjo u bë shkaku që unë të përdor disa motive dhe bulëza në këngët e mia, ashtu siç ishte dhe kënga e parë e imja “Adresa” në vitin 1972. Për këtë këngë unë kam përdorur motive të një këngë popullore që thoshte, lule Sofo, lule djali. Këtë këngë për herë të parë e ka dëgjuar mjeshtri Kastriot Gjini, i cili e pëlqeu shumë tekstin e kësaj kënge e bëri ai. Kënga doli në anketën muzikore dhe pati sukses të madh në atë kohë. Kjo u këngë u realizua në maj të 1972, ndërsa në muajin korrik të po këtij viti solla dhe këngën “Biçikleta”, një tjetër sukses i kohës. Ishte një fillim i mbarë për mua si kantautor dhe kisha fituar simpatinë e publikut. Pas këtyre këngëve më doli përgjegjësia se si do të dal në Festivalin e 11 në RTSH në vitin 1972. Nuk kisha shumë kohë, megjithatë vendosa të bëj një eksperiment tjetër për në festival.
-Çfarë kënge po mendonit në atë kohë?
Vendosa të bëj një këngë që të ishte një tekst politik, por me muzikë moderne. Në atë kohë këngët politike këndoheshin me tjetër muzikë, ishin me marshe dhe unë vendosa që të bëj një Bob Dilan, protesta të kthyera në mënyrën rrok-pop. Tekstin e bëra me Sadik Bejkon, ku i propozova një temë, ku një grup të rinjsh këndojnë në një park me kitarë dhe kënga e tyre është protestë e luftës në Vietnam. Në atë kohë u bënë edhe protesta të mëdha edhe nga vetë amerikanët, sepse nuk donin që të kishin luftë. Unë e shfrytëzova këtë rast dhe bëra këngën “Kur dëgjoj zëra nga bota” për Festivalin e 11 të Këngës në RTSH.
-Ky festival pati një fund të trishtë për pjesëmarrësit dhe realizuesit e tij, por për ju çfarë u tha në atë kohë?
Festivali i 11 i Këngës në RTSH pati fundin tragjik dhe pas festivalit filluan pasojat. Për mua u tha në mbledhje që Françesk Radi i këndon Vietnamit me kitarë si amerikanët, dhe kjo kishte pasoja. Në këngë thuhej mes të tjerave që: “Në Vietnam o shokë bombarduan sërish sonte, shqetësimin tonë me kitarë ta këndojmë”. Kjo ishte fabula e këngës, por sigurisht që nuk ishin mësuar me një këngë politike me muzikë moderne. Orkestracioni ishte bërë nga mjeshtri Gaspër Çurçia me formacionin e tij “Bigband”, i cili ishte i pari për kohën dhe bëri bujë. Pati orkestracione shumë të mira në atë kohë dhe të punuar me mjeshtëri nga Çurçia. Pas këtij festivali filluan reprezaljet për të gjithë artistët. Dhe unë si modernist i viteve ’70 më çuan në Fushë-Arrëz, kjo nuk ishte e mirë për mua dhe sa kisha mbaruar shkollën dhe emërimin e kisha në Orkestrën e RTSH, por u detyrova të shkoja atje për 8 vjet. Atje punova në shtëpinë e kulturës dhe merresha me aktivitetet.
-Si ishte rikthimi juaj në Tiranë?
Kur u ktheva pas 8 vitesh në Tiranë, ishin vitet ’80 kishte probleme me punën. Më shikonin sërish me syrin e viteve të festivalit të 11, por në fund gjeta një vend si kitarist në cirkun e Tiranës dhe atje punova disa vite. Më pas më tërhoqi Varieteja e Tiranë sërish si kitarist solist, ku dhe fillova të këndoja edhe këngë. Kjo vijoi deri pas viteve ’90, ku unë fillova karrierën e dytë si kantautor.
-Në rast se nuk do të ishte ndaluar ajo krijimtari e festivalit të atij viti, çfarë do të kishte ndodhur më pas me këngën?
Është për të ardhur keq, sepse në rast se muzika shqiptare do të kishte vijuar ecurinë e viteve ’70, sot do të ishte një klimë tjetër e jetës artistike dhe e këngës shqiptare, e artistëve dhe kompozitorëve, por dhe e vetë publikut i cili do të ishte edukuar me një muzikë më profesionale.
-Në atë kohë fshehtas dëgjohej muzika italiane, si ka ndikuar kjo në krijimtarinë tuaj muzikore?
Them se kemi qenë me fat që morëm dhe u ndikuam nga muzika italiane, sepse ajo ka qenë gjithmonë një muzikë profesionale që ia vlente të merrej si model i muzikave botërore, pra jo vetëm unë, por dhe brezi im ka qenë me fat që u ndikua nga kjo lloj muzike dhe sidomos në vitet 70 që mbahet si periudha e artë e muzikës, jo vetëm e muzikës italiane, por dhe asaj botërore, dëgjonim Çelentanon, Morandin, Luço Batistin e shumë të tjerë, të cilët ishin modele të arta për ne kantautorët e rinj.
-Si e kujtoni prezantimin tuaj të parë në festival pas viteve ‘90?
Ka qenë një këngë me tekst të Romina Power, gruas së Albano Karrizit. Unë e gjeta këtë tekst në disa poezi që ajo kishte botuar. Ishte hera e parë që unë këndoja në festival dhe më pas erdhën me radhë këngët e tjera si “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasëm ‘o”, pra ishin disa suksese dhe unë jam krenar kur e dëgjoj krijimtarinë time, dhe shikoj që e dëgjojnë në lokale, apo i këndojnë këngët në karaoke.
-Përgatitjet e festivalit të këngës si ishin në ato vite, sa vëmendje i kushtohej përzgjedhjes së krijimtarisë?
Ishte një organizim tjetër për festivalet në atë kohë, besoj dhe më i mirë se sa tani. E them këtë sepse faktikisht institucioni, radio, shumë pak punë bën në drejtim të krijimtarisë dhe këngëve që ofrohen. Përpara ti bije partiturën dhe shkoje dhe paraqisje këngën, ku dhe ishin mjeshtrat e muzikës, dhe flas për shefat e redaksisë me Gjon Simonin, Spartak Tilin, Kujtim laro, Nikolla Zoraqi dhe me radhë. Kënga kalonte në një filtër para se ti jepej vula përfundimtare, aty diskutohej për këngët, këngëtarët etj. Ishin disa gjëra që i jepnin këngës drejtim të drejtë për atë që duhej, por që tani këngët i sjellin të paketuara dhe ti lenë në derë. Është e vështirë për të bërë vërejtje dhe për të ndryshuar, sepse çdo gjë është e mbyllur në këngë. Këngët që janë realizuar para viteve ’90 pëlqehen edhe sot, sepse në ato vite ne nuk kemi bërë muzikë komerciale për përfitime, por kemi bërë muzikë për shpirtin. Prandaj dhe këngët janë të bukura dhe kanë jetëgjatësi. Sot më vjen keq që bëhen këngë për të fituar. Nuk u vë faj sepse në jetë duhet dhe fitimi, por kjo po konsumon dhe po heq pak nga shpirti i krijimtarisë dhe kompozimit.
-Çfarë mendoni sot për zërat e festivaleve?
Kemi këngëtarë të mirë, ka të talentuar dhe normal, sepse tani është edhe koha e spektaklit. Jo vetëm tek ne por dhe në botë i venë rëndësi se si e sjellin këngën në skenë, megjithatë unë si kantautor do të preferoja më shumë anën kompozicionale të këngës, se sa performancën. Nuk ka gjë më të bukur se sa një këngëtar edhe videoklipn ta ketë direkt me këngën e regjistruar nga spektakli, se sa një klip i sajuar me arnime të ndryshme që mundohen ta ngrenë këngën në atë masë që nuk e meriton.
-Meqë po flasim për klipet, klipin e parë me këngë në Shqipëri e keni realizuar ju. Si e kujtoni atë kohë?
Unë kam realizuar klipin e parë me këngën “Adresa” dhe më pas ishte me këngën “Biçikleta” në 1972. Për çudi të dy këngët me klipe nuk ekzistojnë. Janë kërkuar edhe nga vetë regjisori që i ka realizuar në arkivin e RTSH, por nuk gjenden. Ose janë djegur gjatë diktaturës, ose kanë humbur pas viteve ’90, por kjo nuk duhet të ndodhte sepse ai është arkiv.
-Çfarë këshille iu jepni emrave të rinj në krijimtarinë muzikore?
Muzika është profesion dhe ata duhet ta studiojnë, dhe nuk duhet të bëhen pre e elektronikës.
-A keni pengje në jetën tuaj me krijimtarinë muzikore?
Kam shumë dhe kam dashur që ti realizoj. Kam sjellë dy albume, por kam këngë dhe sa për dy albume të tjera.
-Meqë po flisni për krijimtarinë tuaj, shumë emra profesionistë në muzikë tregojnë se është një problem shumë i madh e drejta e autorit. Ju si mendoni?
Të gjithë artistët apo dhe kompozitorët profesionistë, po e vuajnë këtë dhe nuk po marrin këtë fryt të tyre. Ka shumë muzikantë që janë edhe për të ardhur keq në gjendjen e tyre ekonomike. Në vende të tjera të Europës, një artist jeton me vite me të drejtën e autorit. Krijimtaria shqiptare shfrytëzohet dhe nuk paguhet.
-Por gjithashtu dhe tregu muzikor ka huazime të huaja që vijnë si shqiptare?
Shumë këngë janë të huazuara si pasojë e autorëve që merren me muzikën, sepse janë të papërgatitur për të bërë një këngë dhe për të sjellë një mënyrë të re në kompozimet e tyre. Kjo e ka dëmtuar këngën, sepse e ka uniformizuar atë se sa e ka bërë origjinale. Nuk më vjen mirë, por shikoj që shumë krijimtari bëhet dhe në këtë mënyrë dhe kjo tregon dhe paaftësi. Kemi shumë që e mbajnë veten për kompozitorë, por nuk janë. Nëse ke bërë dhjetëra këngë quhesh autor këngësh, pasi kompozitor quhesh kur ke bërë vepra dhe e meriton të quhesh kompozitor.
-Vëllai juaj, aktori Ferdinad Radi ka qenë gjithashtu i njohur në krijimtarinë e tij. Si ka qenë e ndërtuar marrëdhënia mes jush dhe vëllait tuaj?
Nandi ka qenë një pjesë e jetës dhe krijimtarisë sime, dhe çdo gjëje që unë merrja përsipër në jetën artistike, e kam pasur një këshilltar, një ndihmës që më ka dhënë këshilla të vërteta. E kam respektuar për atë që thoshte, ka qenë më i madh se sa unë dhe shumë gjëra i kam prej tij, sepse ai kishte besim në talentin dhe në përpjekjet e mia. Më thoshte Franko ti duhet të bëhesh artist shumë i mirë që jo vetëm të pëlqehesh, por dhe të mbijetosh sepse ne jemi dhe me biografi dhe për të çarë në këto kohë duhet të jesh më i miri. Unë jam përpjekur të bëj më të mirën, pavarësisht sistemit të asaj kohe. Nandi ka shkruar drama shumë të bukura. E respektonin shumë aktorët dhe shtëpia jonë ishte një miniteatër, sepse vinin regjisorët dhe aktorët më të njohur të kohës. Ai kishte shumë shoqëri dhe vetë ai ishte krenar për shoqërinë e tij, por dhe ata e donin sepse ishte njeri i sinqertë dhe i humorit.
-Kur do t’ju shohim sërish në skenë me këngë?
Unë nëse do të dal në skenë do të jem si kantautor. Mendoj shumë para se të sjell një këngë, sepse jam në një moshë që detyrohem që ti bëj hapat e ngadaltë, jo për moshën por më shumë duhet të mendoj se sa të veproj.

Krijimtaria muzikore
Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme në RTSH. Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972. Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasëm ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.  Intervistoi: Julia Vrapi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s