Përse Kujtim Çashku, nuk bën Çak?

Artur Zheji   Për shkak të pagjumësisë së stinës së vitit apo të stinës së jetës, diku nga ora 3 e mëngjesit në Digitalb, ndoqa nga fillimi deri në fund filmin ‘Vrasje në gjueti’ të regjisorit Kujtim Çashku. Për ndoshta një seri koincidencash, e shihja këtë film për herë të parë dhe menjëherë vendosa të shkruaj me brerjen që nuk e kam bërë dot më parë.

Së pari duhet thënë se filmi është edhe mbas 25 vitesh i freskët dhe i thellë. Është një xeheror i pasur minerali thellësie, që nxjerr në dritë dhe shtron në divanin e psikanalistit depresionin dhe psikozën e ankthit permanent të asaj kohe.

‘Vrasja në gjueti’, vrasja pa dashje e një shoku dhe dinamika drejt zbulimit të autorit të vrasjes, përpëlitja e ndërgjegjes së vrasësit dhe të tjerëve, përfshirë këtu edhe familjarët e tyre, janë thjesht një alibi për të përshkruar në mënyrë filmike ankthin e thellë dhe të përgjithshëm dhe të zi, të asaj kohe. Vrasja e bërë pa dashje, është pra preteksti për të nxjerr në pah dhe për të mashtruar censurën e kohës, për renditjen e njëpasnjëshme të dhjetëra skenave të zymta të përmbytura nga psikozat e pasigurisë kolektive, që intelektualët shqiptarë jetonin në atë periudhë. E njoh pak Çashkun e atyre viteve, edhe më pak Çashkun e sotshëm, por përherë e mbaj mend si një individ të gjatë, që endej si një balonë tekanjoze përmes mjegullës dhe mediokritetit që e rrethonte me shumicë. Në kërkim të dekriptimit të së ardhmes që vononte dhe ngutja për daljen nga tuneli i zi i atëhershëm. Ashtu si Çashku, edhe mjaft prej nesh, endeshim në atë zymtësi të asaj kohe, duke kërkuar zhbërjen e saj, duke pritur me ankth ‘kohën tjetër’, të cilën e perceptonim si një çlirim së pari të mendjes, të mjegullës, të sëmundjes pa sëmundje që na kish kapluar dhe që nuk davaritej dot pa rënien e regjimit, jashtë dhe brenda nesh.

Ky film padyshim është një nga filmat më të mirë të kinemasë shqiptare dhe padyshim i vetmi që zbërthen në mënyrë gati shteruese, të tërthortë dhe gjithsesi direkte, skllavërinë psikike të individit në shoqërinë shqiptare të para viteve ‘90.

Vrasja aksidentale që ndodh në gjueti, është në të vërtetë ‘Krimi’ dhe ‘Vrasja e Lirisë’, që kish bërë kundrejt të gjithëve diktatura. Strukturalisht, përpëlitjet për të dalë nga psikoza e dyshimit që cilido personazh mbart mbi vete në këtë film, është në mënyrë të koduar, sendërtimi i psikozës së persekutimit që çdo individ dhe sidomos çdo individ mbi mesataren, përjetonte në Diktaturën që fuste hundët në çdo vrimë sado private dhe intime të qenies njerëzore.

Ndrydhjen dhe frikën që ata, njerëzit shqiptarë, që ne të lexuarit e asaj kohe, përjetonim nga fytyrat e shëmtuara të sigurimsave. Sigurimsi, në rol Gëzim Kame, aspak i bukur, por vetëm i shëmtuar, nursëz dhe pothuaj arrogant, është drejtpërdrejt persekutuesi, nën petkun pretekstual të investigatorit që kish detyrë të zbulonte krimin. Eksteriorët mjeshtërorë të Çashkut janë edhe ata në vetvete herë-herë, një tendencë e nënvizuar për të evaduar nga realiteti skematik i peizazhit të kohës. Nga ana tjetër, vendet e xhirimit të zgjedhura për gjuetinë, të cilat përthyhen nga një koncept fotografik impresionist, që rikthehen pafundësisht herë si një makth i personazheve, si një nightmare, qoftë peizazhet e trishtme vizatuar aty këtu me ca pulëbardha të hutuara, janë ca dekore që çojnë më tej tablonë e ankthit dhe zymtësisë. Cungje të prera, kënetë e zymtë, pemë të zhuritura, vetëm vjeshtë dhe përsëri vjeshtë, lot dhe psherëtima, një rrethim trishtues me trishtimin si kryefjalë. Një sendërtim mjeshtëror dhe modern pra i depresionit kolektiv që përjetonin dhe ku jetonin shqiptarët, asokohe bij dhe protagonistë të një zymtësie pa cak.

Aktorët kockëfortë si Lako, Ndrenika apo Flloko, edhe ata ishin drejtuar të realizonin një lojë aktoriale pothuajse të pa eksperimentuar më parë. Edhe personazhi ‘pozitiv’ Thimi Filipi, aktor i rrallë dhe karizmatik i sojmë, ngjan në këtë film, Çashku do që ai të ngjajë në këtë film si një rojtar pylli austriak, me mustaqe alpine, krejt pa lidhje me konfliktin apo realitetin e dramës që luhet, por thjesht një pjesë lëvizëse dhe humanoide dekori.

Pa dashur ta shndërroj këtë shkrim në një recension apo kritikë filmi të vonuar 25 vjet, tundim që nuk e munda dot deri në këto radhë, duhet t’i hapim derën ca trokitjeve këmbëngulëse arsyetimesh.

Përse Çashku nuk bën Çak?

Pra, përse nuk xhiron? Përse nuk i luten të xhirojë dhe të dokumentojë psikozën, dinamikën, kontrastet, konfliktet, dekadencën apo eferveshencën e kohës që jetojmë? Përse ky regjisor gjenial ‘ndalohet’ të prodhojë në liri të plotë kujtesën filmike të kohës që jetojmë? Mos vallë dikush mendon gabimisht se Shqipëria ka shumë si ai?

Përse Dhimitër Anagnosti duhet të baresë si një xhentëlmen pensionist, kur do të mundej në çdo kohë, t’i jepte sy dhe formë filmike realiteteve të shkuara apo të tashme, të papërsëritshme të peizazhit shpirtëror shqiptar? Përse lihet syri dhe mendja e tij vizive, të zhveshura dhe pa një kamera dhe pa një shesh xhirimi? Si mundet të shohim dhe të tresim përditë përpëlitjen e qindra kameramanëve apo operatorëve që rendin pas busteve të politikës dhe politikanëve, shpesh të rëndomtë, në çdo parashtrim, në çdo germë apo në çdo dërdëllitje të tyren dhe të ngelen pa fonde, pa kushte, pa kamera dhe pa shesh xhirimi këta kapitenë dhe mjeshtër të ‘fabrikës sonë të vogël’ të ëndrrave shqiptare? Të ëndrrave tona ende të trembura, sepse dekriptuesit dhe fotografuesit e tyre janë vendosur arbitrarisht në periferinë e vëmendjes publike?…

Është e dhimbshme të shohësh kafeneve aktorët si Flloko, si Radoja, si Lako, si Ndrenika, ndërkohë që mund të thirreshin si mosketjerë të një aventure të re filmike, të nënshkruar nga mjeshtrit tanë të shtrënguar në periferinë e pamerituar dhe diskriminuese të shoqërisë sonë?

Më kujtohen dialogët e gjatë dhe të ndërprerë fatalisht me Viktor Gjokën, kur jetoja në Romë, në çdo frymëmarrje jetonte me teatrin dhe lexonte me zë të lartë fragmente nga dramat e mia. Besa Imami, nëna ime i shkëmbente batutën dhe të dy, në apartamentin tim në Romë, i jepnin jetë një skene, një atmosfere, një teatri.

Por Teatri dukej dhe ishte një viktimë ekselente e tranzicionit mediokër, trashaman dhe e kapitalizmit vulgar, që ngrihej si një monument absurd, në piedestalin të lënë bosh nga rrokullisja e Monumentit të Diktatorit.

Mendonim rrejshëm asokohe, se piedestalin e lënë bosh nga Diktatori, do ta zinte Arti, Refleksioni Njerëzor, Filozofia e Re, Njerëzorja, por nuk ndodhi ashtu. Të gjithë e dimë se nuk ndodhi ashtu. Të gjithë e dimë se si ndodhi.

Sidoqoftë, përtej 25 viteve, Kujtim Çashku, filmi i tij, ishte, është, një vepër që dëshmon se lufta me Mediokritetin mund të fitohej, nëse Mediokriteti do të kish më pak pushtet sot në Vendin tonë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s