Avni Mula: Si luajtëm unë dhe Nina 51 vite më parë tek “Lulja e Kujtimit”

“Lulja e Kujtimit”, vepra që u vu në skenë në vitin 1961 është padyshim një nga veprat më të rëndësishme të kompozitorit, Kristo Kono (Artist i Popullit) dhe në këtë opera janë pasuruar dhe kanë gjetur një zhvillim më të plotë shumë karakteristika të muzikës së tij. Personazhi i Kristos në vitin 1961 u interpretua nga tenori i njohur Avni Mula, i cili sot pas kaq vitesh pohon se vepra është mjaft e pasur në melodi dhe përshkohet nga një frymë lirizmi që shpesh herë kalon në momente dramatike dhe patriotike. I njohur në jetën artistike jo vetëm si këngëtar lirik, por dhe si kompozitor, Avni Mula tregon se opera i rikthen kujtime shumë të bukura, i kujton punën që bëhej në ato vite dhe si priteshin nga populli veprat artistike.

Në intervistën dhënë për gazetën, kompozitori Avni Mula tregon se në këtë opera ka kënduar bashkë më bashkëshorten tij Ninën, ndërsa shprehet se të dy bashkë janë mirëpritur kudo që kanë interpretuar. Në jetën e tij artistike veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjegini tek “Eugen Onjegini” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Artisti Avni Mula, i cili mes shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare është nderuar dhe me titullin “Nderi i Kombit”, pohon se artistët e rinj duhet të jenë më pranë veprës operistike.
-Ju keni qenë protagonist në këtë opera në vitin 1961, por si ndiheni sot kur e shikoni që ajo rikthehet?
Më vjen shumë mirë që po e shikoj këtë vepër, është një vepër shqiptare dhe ka një mesazh të fortë. Operën “Lulja e Kujtimit” unë kam fatin sot ta shoh pas 51 vitesh. Kur u vu në skenë për herë të parë vepra u mirëprit nga populli, ishte e bukur dhe ne e kemi dhënë disa herë në skenë. Në vitin që ajo u vu në skenë kam kënduar vetë, kam qenë protagonist. Unë e njoh shumë mirë këtë vepër dhe para 51 vitesh e kam kënduar në Tiranë, por ajo është vënë si dramë edhe në skenën e Korçës, ku dhe atje u dha premierë dhe u mirëprit shumë nga publiku.
-Çfarë kujtoni nga koha kur ju dhe bashkëshortja juaj Nina, ishit në skenë me rolet kryesore të veprës?
Kam kujtime shumë të bukura. Në atë kohë Olimbinë e luante Nina, bashkëshortja ime. Më kujtohet që kur u vu si premierë në skenën e Korçës, ishte një atmosferë shumë e ngrohtë. Në këtë vepër e cila jo vetëm si dramë por dhe si opera, që e ka shkruar një shkrimtar me vlera të kohës, merrte pjesë i tërë populli e Korçës. Populli korçar ishte patriot dhe ata e donin këtë vepër. Në atë kohë, me këtë vepër Nina la mbresa shumë të mira. Më kujtohet që në atë kohë artistët pinin shumë raki mani, sepse të bënte mirë për zërin. Unë interpretoja rolin e Kristos dhe isha babai i Olimbisë në vepër. Vitin që u ngjit në skenën, kishte një dashuri të madhe në popull për këtë vepër, sepse ishte shumë e veçantë.
-Çfarë pëlqyet tek personazhi i Kristos, që ju e keni luajtur para 51 vitesh në opera?
Personazhi ka vetitë më të mira të Kristos që e ka bërë kompozitori Kristo Kono, të cilit unë i jam shumë mirënjohës që ai e ka shkruar në formën e tij. Ka qenë një personazh, i cili u pëlqye shumë dhe kujtoj se ne përgatiteshim shumë për veprat. “Lulja e Kujtimit” ishte ndër operat qytetare që i shkruanin artistët tanë dhe në fakt nuk ishin shumë të shpërndara. Kjo është një opera që ka vlerë shumë të madhe patriotike. Po ashtu ka dashurinë për artin e asaj kohe, dashurinë për ata njerëz që luftuan, dhe prandaj kam kujtime shumë të mira. Ajo ka temën e dashurisë dhe të atdhedashurisë. Ishte temë e bukur dhe e qëndrueshme. Prandaj unë i kam lakmi këta njerëz që i këndojnë këto këngë.
-Si e kujtoni kohën kur punohej për veprat shqiptare në skenë, si vinin veprat artistike para shumë dekadash?
Vepra shqiptare ka shumë, janë të përziera. Ne kemi pasur kompozitorë shumë të mirë dhe vepra kanë shkruar Tish Daija, Tonin Harapi, Pjetër Gaci, etj. Një pjesë e veprave nuk vinin ashtu si dëshironin ti shkruanin, sepse mes tyre hynte dhe partia në mes. Unë mendoj se kemi vepra, të cilat duhet të rregullohen shumë pak. Në ato vite ishin pak artistë, por u krijuan vepra të ndryshme, si opereta dhe opera, të cilat janë mirëpritur nga publiku. Nëse ne nuk i kujtojmë sot këto vepra, atëherë kemi mohuar vetveten tonë. Kanë qenë vepra shumë të çmuara, por janë me dhimbjen që nuk e kanë lënë artistin të thotë fjalën e vet aq sa duhej.
-Jeni një nga artistët më të njohur të skenës shqiptare, me dekada karrierë artistike, por sipas jush sa punohet sot nga artistët për të sjellë në skenë veprat?
Unë jam një artist që po shkoj dalëngadalë tek 90-tat, dhe desha të them që artistët duhet të dinë se cilët janë këta artistë që kanë punuar më herët. Të rinjtë sot duhet të shikojnë veprën dhe punën e tyre. Artistët e rinj për mua janë pak larg artit, sepse ata nuk këndojnë me artin e dikurshëm, këndojnë me zë të vogël, ndërsa ne këndonim me zë dhe kjo ndodh kudo në botë, si në Francë, Gjermani apo dhe në vende të tjera. Artistët e rinj duhet ti përgjigjen fjalës lirike. Ne ishim pak artistë që këndonim në opera në ato vite, por ne këndonim vepra të mëdha. Veprat duhet të jetojnë bashkë me artistët. Ashtu si këndohet vepra e Puçinit, Verdit apo dhe vepra të tjera botërore duhet të këndojnë dhe veprat shqiptare. Dashuria për veprën është dhe sot, por nuk asimilohet më. Unë pata fatin që para disa kohësh shijova veprën “Borana”, e cila është një vepër me mesazhe të forta. Mendoj se vetë koha do ti rregullojë punët, por tani për tani nuk mendoj se do të rregullohet. Unë mendoj se dhe pedagogët që merren me të rinjtë, duhet të punojnë më shumë.
-Ju keni kaluar një jetë të gjatë artistike, keni vite të tëra mbi supe por duket se nuk shkëputeni dot nga opera, ndërsa jeni duke ndjekur dhe sot provat për veprën që u vu në skenë para më shumë se pesë dekadash. Vini shpesh në opera, për të ndjekur provat e artistëve të cilët përgatiten për veprat?
Vij në opera, por jo shumë shpesh për arsye se jo se nuk më ftojnë, por vjen mosha dhe nuk kemi më vrullin që kemi pasur dikur. Dëshira është madhe. Ja, tani unë po shikoj provat e kësaj opere, por kur të jetë në skenë do t’ju them se si është vënë vepra. Atëherë do të mund të bëj dhe krahasimin se si erdhi ajo para 51 vitesh dhe çfarë solli këtë herë në skenë. Janë disa personazhe në këtë vepër dhe sot që po i shoh më rikthejnë kujtimet e shumë viteve më parë në skenë.
-Ju thatë se me Ninën keni përjetuar momente shumë të bukura dhe jeta juaj ka qenë shumë e pasur nga ana artistike. Por sot që ajo nuk është më, çfarë mund të na thoni për jetën tuaj përkrah saj?
Ne kemi pasur një dashuri të madhe, dhe ajo ishte një artiste e madhe. Ne këndonim bashkë dhe ato vite që ne kemi kënduar bashkë, kemi dëshiruar që çdo gjë ta këndonim edhe shumë bukur. Momentet e bukura me Ninën nga jeta jonë artistike me operën janë të gjitha ato që ne kemi kënduar sëbashku. Ne kemi interpretuar në Teatrin e Operës dhe Baletit vepra të njohura shqiptare, por dhe shumë vepra botërore si italiane, franceze etj. Kemi sjellë role nga më të ndryshmet dhe janë duartrokitur nga publiku. Të gjitha rolet, ne jemi munduar ti realizojmë deri në maksimum. Me Ninën ka qenë një jetë e shkëlqyer, ka qenë një femër shumë e fuqishme, e fortë, e cila i ka qëndruar të gjitha situatave që ne kemi kaluar së bashku.

Avni dhe Nina Mula në operën “Lulja e Kujtimit”
Opera “Lulja e kujtimit” e cila është kompozuar nga “Artist i Popullit” Kristo Kono, shënon për herë të parë në muzikën skenike trajtimin e temës patriotike. Në vitin 1961 vepra erdhi me regji nga Jorgjie Truja dhe dirigjent i veprës ishte Rifat Teqja. Vepra, e cila ishte përshtatur sipas romanit të Foqion Postolit, u dha disa herë në skenën operistike, dhe në atë kohë personazhin kryesor, Olimbinë, e interpretonte artistja e madhe Marie Kraja por dhe Nina Mula, ndërsa Dhimitrin, Gjoni Athanas, nuk mungonte dhe Avni Mula në rolin e Kristos, si dhe emra të tjerë të kohës. Vepra u mirëprit nga publiku, jo vetëm për temën që trajtonte por dhe për interpretimin e lartë artistik. Në qendër të veprës është dashuria e dy të rinjve, Olimbia dhe Dhimitri, e cila nuk është vetëm dashuri por lidhet dhe me idealin e shenjtë të çlirimit të atdheut. Padyshim që dashuria e tyre kalon në shumë peripeci. Agjenti grek Niko, spiunon Dhimitrin i cili detyrohet të dali në mal. Niko hap lajmin se Dhimitrin e kanë shqyer ujqërit, dhe pas kësaj Olimbia gati çmendet. Gjithçka zgjidhet kur doktori i sjell “Lulen e kujtimit”, që Dhimitri ia kishte dhuruar në shenjë kujtimi dhe armiqtë me spiunin Niko përfundojnë atje ku e kishin vendin. Atdheu çlirohet dhe kurorëzohet dashuria e dy të rinjve. Intervistoi: Julia Vrapi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s