Sofia e “Zonë e Lirë”: Bukuroshet në studio ua japin vetë numrat politikanëve

Sa herë e keni pyetur veten se ç’ndodh në të vërtetë në studion më të lirë të televizioneve shqiptare…Besojmë e keni kuptuar që e kemi fjalën për “Zonë e Lirë”, një nga emisionet më të ndjekura në Shqipëri dhe që çuditërisht i ka rezistuar kohës. E kush më mirë se bukuroshja bionde Sofi, mund të na e shuajë kuriozitetin. Ajo është gjithmonë aty, në çdo puntatë, me buzëqeshjen plot shkëlqim që e shoqëron gjithmonë. Ajo i dëgjon dhe i sheh të gjitha dhe sot do të na i tregojë edhe ne prapaskenat me politikanë, vajza bukuroshe dhe me kryesorin Arian Çanin…

Sofi kemi vendosur të dëgjojmë për herë të parë versionin tënd, duke të të konsideruar si ajo që i sheh dhe i dëgjon të gjitha në “Zonë e lirë”…Por si fillim duam të dimë se si lindi ky bashkëpunim, pra si ndodhi që ti u bëre pjesë e këtij emisioni?
Bashkëpunimi midis meje dhe “Zonë e Lirë” nisi me ardhjen e Arianit në “Vision Plus”. Më kontaktuan nga “Vizioni” për të diskutuar rreth një reklame publicitare dhe më pyetën nëse mund të isha asistentja e Arian Çanit te “Zonë e Lirë”. U takova me Arianin dhe nuk hezitova aspak.. I thashë PO menjëherë. Që nga ajo ditë kanë kaluar 5 vjet.
Pse të kanë vënë pseudonimin Sofi, duke e ditur që nuk është emri yt i vërtetë. Mos ka lidhje kjo me dashurinë që Çani ka për Francën?
Sophie ma cherie! Emri Sofi mendoj se është një trill që i pëlqen Arianit. Shpesh më bëhet e tillë pyetja nga persona të ndryshëm dhe unë përgjigjem thjesht ‘personazh’. Çani është frankofon, por nuk di të të them nëse dashuron Francën, Sofinë, apo të dyja bashkë…
Si është të punosh më Çanin? Nga ekrani duket sikur ju keni shumë konfidencë, është në të vërtetë kështu?
Konfidencën do e klasifikoja si një ekuacion, por ndryshe nga ekuacionet kur emëruesit janë të panjohur ekuacioni im i ka emëruesit e njohur: Korrektësi + Miqësi + Komunikim = Konfidencë…


A është Arian Çani një shef i rreptë në punë?
Ariani nuk është thjesht një prezantues i paparë, por para së gjithash është një gazetar i mirëfilltë që di të pyesë. Ne jemi një staf i vogël në numër dhe gjithçka funksionon më së miri. Ariani nuk është aspak i rreptë. Do thoja që është njerëzor dhe korrekt me të gjithë ne.
Na trego pak për veten tënde. Ku ke lindur, çfarë shkolle ke mbaruar?
Emri im në fakt është Romina Alku. Jetoj prej 18 vjetësh në Tiranë. Kam mbaruar studimet e nivelit të parë Bachelor në fakultetin Ekonomisë. Momentalisht frekuentoj masterin në shkencat e ekonomisë dhe politikës.
Të pëlqen të punosh në ekran?
Në ekran kam filluar në moshën 15 vjeçe. E dua shumë ekranin.
Si e shikon të ardhmen, do vazhdosh në televizion?
Sigurisht!
Çani ka bërë disa herë batuta mbi fejesën tënde. Ti në të vërtetë je e fejuar?
(qesh) Ariani llokumi me arra, llokumi pa arra. Batuta tipike alla Çani, e di pse? Për të mos na zënë syri keq (qesh)…Do thoja e dashuroj të fejuarin tim. Përgjigja ime është Po!
Emisioni “Zonë e lirë”, shquhet për faktin që gjërat thuhen hapur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, por jo të gjitha duken në ekran. Ne duam të dimë gjithçka që ndodh para e pas emisionit dhe gjatë hapësirave publicitare…
“Zonë e Lirë” është një ose ndër të vetmit formate origjinale në ekranet tona. Momenti i parë para emisionit është dhoma e grimit ku pasi ka mbaruar grimi i stafit fillon dhe zhurma. Ardhja e të ftuarve, interesimi i tyre rreth intervistës, emocionet dhe ankthi i tyre nuk mund të fshihet. Shpesh herë më është dashur të bëj psikologen për të larguar emocionet e tyre, e pastaj fillon dhe “vrapi im” për të parë skenën, skaletat, nëse mungon ndonjë gjë ose jo, për të njoftuar Arianin rreth të ftuarve. Gjatë hapësirave publicitare ndodhin momente të këndshme. Fundi i emisionit është takimi në dhomën e grimit dhe diskutimi se si shkoi emisioni e në fund përshëndetja.


A i nxit ose i orienton Çani të ftuarit që të bëjnë ose të thonë diçka të caktuar?
I orienton rreth temës që do të diskutohet në emision, por nuk i nxit aspak të dalin jashtë vetes. Nëse zjarri ndizet, kjo ndodh natyrshëm, por kurrsesi nuk është Ariani që hedh benzinën.
Si sillen politikanët gjatë publicitetit? Ankohen te Çani për situatën ose për njëri-tjetrin?
Gjatë momenteve publicitare dhe pse nuk jemi në transmetim, ata vazhdojnë debatin e replikojnë me njëri-tjetrin.
A ka ndodhur ndonjëherë të plasë sherr serioz midis politikanëve?
Nuk e di. Më duket pak vulgare fjala sherr. Do thoja që plas shpeshherë debat i fortë që kalon në terma shumë personale.
A flasin ata fjalë të pista?
Nëse do t’i quajmë fjalë të pista momentet ku tejkalohet në situatë personale me terma paksa ofenduese, po. Ariani tenton gjithnjë të mos kalojë masën. Ariani ka një sens mase të admirueshme, më duket mua.
Po femrat bukuroshe që mund të jenë të ftuarat e rastit i ngacmojnë?
Bukuroshet e ftuara kënaqen kur komplimentohen nga politikanët, kjo shpesh herë merret si situatë ngacmuese nga ana e bukuroshes X.
Ka ndodhur ndonjëherë që një politikan t’i kërkojë ndonjë të ftuare numrin e celularit?
Të them të drejtën nuk ka ndodhur kjo situatë që politikani të kërkojë numrin e celularit të bukuroshes në panel, sepse numri i celularit i është dhënë vetë nga bukuroshja pa lejuar politikanin të arrijë cakun e të kërkuarit të numrit.
Po ty ta kanë kërkuar?
(qesh) Të them të drejtën, me mua politikanët rezervohen shumë. Nuk e di përse ndodh kjo gjë. Ndoshta kanë frikë nga Ariani. Pale se ç’mendojnë (qesh).
Për mendimin tënd, cili është politikani më dashamirës dhe i thjeshtë që ka ardhur në studio?
Në fillim dua të shpjegoj si e konceptoj unë politikën e më pas politikanët. Politika për mua është një hark 360 gradë që formon një rreth, ku politikanët janë pikat formuese të këtij rrethi në skaje. Pra nga çdo skaj që ta marrësh, rrezja dhe perimetri janë të njëjtë e të pa ndryshueshëm.
Po ai më mendjemadhi?
Mashtruesi quhet Vilajet Qyrku. Meqë do një emër (qesh).
Si reagon Çani kur Kastro Zizo vjen tapë në emision?
Realisht, Kastro ka kohë që nuk është më Kastro siç e ka njohur Ariani. Kastro ka ndryshuar shumë. Është alienuar shumë Kastro. Por dikur vinte vërtetë pak i pirë. Për pjesën tjetër, stimulohej aty për aty nga Ariani.
Çfarë ndodhi natën që Çani puthi Katjushën? Pati ajo ndonjë reagim jashtë kamerave?
Ndodhi ajo që u pa dhe në emision. Reagimet qenë të shumta përderisa u përfol dhe u diskutua gjatë në media. Katjusha u befasua dhe kërkon sërish të puthet nga Ariani (qesh).


Si mendon, fakti që Çani shpesh puth në buzë ndonjë të ftuar, ndodh për efekt show, apo sepse ai nuk e përmban dot veten para femrave të bukura?
Emisioni është një talk-show live… Adrenalina arrin kulmin pasi show të udhëheq. Arianit tashmë i lejohet gjithçka, ndaj puthjet janë në vijueshmëri në “Zonë e Lirë, gjithçka mund të ndodhë!
Ka pasur raste që të ftuarit kanë kërcënuar se do largohen nga emisioni?
Është “Zonë e Lirë” dhe të ftuarit janë të lirë. Shumë rrallë mund të ndodhë që të ftuarit të ndihen keq nga emisioni apo situatat që krijohen ‘live’. Njerëzit shpesh ngatërrohen kur e shohin emisionin nga ekrani dhe mendojnë se të jesh i ftuar atje është stres, por në fakt nuk është kështu.
Si mendon, pse Çani fton kaq shpesh djem gay në emision?
Studio është e hapur për të gjithë personat që duan të promovohen. Sigurisht seleksionimin e bën Ariani… Patjetër edhe personat gay. Ata janë qenie njerëzore njësoj si të tjerët.
Për mendimin tënd, cila ka qenë puntata që ka tërhequr audiencën më të madhe në të gjithë historinë e “Zonës së Lirë”?
Ekonomistët bazohen në statistika konkrete. Duke qenë se unë jam e diplomuar ne ekonomi, padashur bëj statistika në bazë të personave të njohur e të panjohur që takoj. Mendoj se çdo puntatë është ndër më të ndjekurat pasi ka gjithmonë të reja e personazhe të ndryshëm.
Të ndalojnë njerëzit në rrugë për të të pyetur mbi personazhe të ndryshëm? Po ankesa apo sugjerime kanë?
Di që tema e fillimjavës nëpër kafene për njerëzit, është ajo çka ndodh të premteve në emision. Njerëzit vazhdimisht më pyesin për personazhe të ndryshëm. Sugjerime ka më shumë se sa ankesa.
Nëse do të kishe mundësi t’i ndryshoje diçka emisionit “Zonë e lirë” cila do të ishte ajo?
Asgjë nuk do ndryshoja.
Cila është detyra jote në emision përveç asaj që ne kemi parë? Sa impenjohesh ti gjatë javës për emisionin?
Mbuloj atë pjesë që vetë Ariani nuk e mbulon dot duke qenë se është në ekran. Asistente. Zonë e Lirë është emision ‘live’. Ne nuk përgatitemi për emisionin. Çdo gjë ndodh ‘live’. Impenjimi im është maksimal për një emision të tillë.
Në fillimet e tua, ka qenë problem për ty apo për familjen tënde fakti që në atë emision flitet krejt hapur për seksin?
(qesh) Epoka e gurit ka mijëra vjet që ka kaluar. Familja ime është e kënaqur nga puna që unë bëj dhe do thoja që janë shikuesit më të rregullt të emisionit dhe mbështetja ime kryesore për punën në “Zonë e Lirë”.
Cili është sekreti që i bën të ftuarit të flasin aq lirshëm?
Pija energjike që nuk ka munguar asnjëherë në emision. Studio e “Zonës” ua krijon hapësirën për t’u ndjerë si në shtëpinë e tyre, të lirshëm…
Çfarë do të ketë në emisionet që vijojnë që ne akoma nuk e kemi parë?
Këtë nuk di ta them. Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Në atë studio, gjithçka mund të ndodhë. Atë që shikuesit presin të shohin çdo të premte në ora 21:00 në “Klan”.

Adelajda Xhamani Gazeta Shqiptare

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s