Demokracia në rresht!

Në Shqipëri kemi 122 parti politike, rreth 1800 organizata joqeveritare, 28 media të përditshme, kemi 6 parti parlamentare, 140 deputetë, 14 ministra dhe rreth 1214 zyrtarë të lartë ekzekutiv në pushtet qëndror e lokal. Kemi zgjedhje parlamentare e lokale çdo 4 vjet dhe zgjedhje presidenciale çdo 5 vjet. Për një vend me 2.8 milion banorë (sipas INSTAT) dhe 1.1 milionë emigrantë, – ky bilanc formal duket se shpreh një standard të lartë demokracie. Sipas SHBA dhe Bashkimit Europian kjo nuk mjafton dhe në raportet e tyre politike Shqipëria renditet ende si demokraci e brishtë në përmbajtjen e saj. Ajo çfarë e dallon një shoqëri demokratike me një shoqëri parademokratike është raporti midis ligjit dhe individit, midis politikanit dhe institucioneve, midis qytetarit dhe pushtetarit, midis të drejtës së deklaruar dhe asaj të aplikuar.
Shqipëria e vitit 2012 është shoqëri bipolare, e ndarë në dy kampe, pa siguri për liri individuale mendimi e zgjedhjeje, pa kufij midis pushtetit të partive dhe institucioneve kushtetuese, pa garanci për pronën, barazinë e ligjit, integritetin vendimmarrës dhe qeverisjen e mirë. Shembujt janë të shumtë. Kur një deputet, ministër apo zyrtar nuk jep llogari e sundon mbi ligjin; kur gjykatat nuk janë të lira të vendosin, kur administrata llogaritet si kontigjent nderesh e mitingjesh; kur s’ka kufi midis medias e propagandës, kur një grup personash sundojnë e kontrollojnë me rotacion shtetin, shoqërinë, ekonominë; kur antivlerat imponohen si vlera qytetare e kombëtare dhe kur partitë në demokraci funksionojnë si trupa paramilitare, kontingjente militante pa ide e shpirt, të gatshme të zbatojnë urdhëra për denigrim helmues ndaj kujdo individ e institucion që s’pajtohet me shefin e tyre, – Shqipëria nuk ka arsye të krenohet me demokracinë formale.
Demokracia në Shqipëri është demokraci rreshti, kush del prej rreshtit rrezikon gjithçka përfshirë pronën dhe jetën; kush mbetet në rresht ka shans të emërohet ministër e deputet, nëpunës apo kryepolic, pavarësisht vlerave morale, aftësive apo integritetit. A nuk shohim çdo ditë deputetë e shërbëtorë të regjimeve, që pa ide, pa vizion, pa qytetari dhe as integritet vrapojnë të imitojnë liderin e tyre edhe kur oferta e tyre është konflikti, përjashtimi, denigrimi, deri edhe penalizimi i interesave madhore të Shqipërisë? Cili ka kurajo të thotë: unë mendoj ndryshe! Cili refuzon vendin e caktuar në rresht, uniformën në mendim e sjellje? Cili deputet e politikan ka vizion e kurajo të paralajmërojë rrugën pakrye, të mendojë për interesat e vendit para interesave të tij personale, ta shohë shoqërinë larg rreshtit e autocensurës? Dita kur kjo të ndodhë, kur qytetarë e politikanë të ndjehen njësoj të lirë dhe të përgjegjshëm, kur vlerat morale të dominojnë etjen pakufi për pushtet personal, kur fatet e vendit të vendosen nga qytetarët apo institucionet kushtetuese dhe jo nga 1-2 prijësa partiakë, – ajo do të jetë dita e parë e demokracisë funksionale dhe e fundit për modelin tonë dypartiak të demokracisë peridioke dhe konsensuale në rresht.
(shkrimi u botua sot ne gazeten shqiptarja.com)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s