Nuri Dragoj: Ja kush janë shkrimtarët që dëshmuan në gjyq kundër Trebeshinës

Zoti Dragoj, çfarë ju ka mbetur në mendje gjatë gërmimeve tuaja në Arkiv, apo nga takimet për Trebeshinën? Më ka mbetur në mendje, rrëfimi i djalit të tij, në kohën kur Trebeshinën e lidhur me zinxhirë, e zbritën nga autoburgu. Dhe këpucët e tij ishin të vjetruara, të mykura, e pa lidhëse, krejtësisht  të dala jashtë përdorimit. Trebeshinën e prisnin brenda sallës së gjyqit, prokurorët e gjykatësit, së bashku me taborin e shkrimtarëve që dëshmuan kundër tij.

Kush e drejtoi gjyqin ndaj Trebeshinës?
Kasemi ka dalë në tre gjyqe dhe është dënuar tre herë. Kështu që ka pasur tre trupa gjykues. Njëri nga gjyqet e tij është zhvilluar më 24 qershor 1954 dhe trupi gjykues përbëhej nga: Veli Budo, Mili Kacadej dhe Petro Martini. Përveç këtij gjyqi u zhvillua edhe një gjyq tjetër, ku Trebeshina u burgos përsëri. Kjo ndodhi më vonë.
Po herën e fundit, në vitin 1981, kush e drejtoi seancën gjyqësore?
Ky gjyq u zhvillua në datën 19 mars të vitit 1981. Vendimi i dënimit mban numrin 112, me numër akti 83. Gjyqtari i çështjes ishte Agron Limaj, ndërsa dy ndihmesat e tij, ishin Sofokli Vezuli dhe Ali Kapllani. Këtu dua të nënvizoj faktin, se këtë seancë mund ta drejtonte kushdo. Sepse të gjithë gjyqtarët ishin rrogëtarë dhe bënin detyrën dhe atëherë askush nuk mund të kundërshtonte. Për këtë arsye Kasemi nuk mban asnjë inat me trupin gjykues, apo me hetuesit e tij. Akuza ndaj tij ishte agjitacion e proagandë në formën e shkrimeve letrare. Sipas gjykatësit kjo ishte pranuar në hetuesi edhe nga ekspertët e Lidhjes së Shkrimtarëve. Aty u parmendën disa vepra të akuzuara si, “Muzeu”, “Tiranozauri”, “Froni”, “Frika dhe Krimi”, “Planetiada”, “Hermetizimi”, e plot e plot të tjera. Ndërsa, dënimi iu dha me 9 vjet burg.
Cilët ishin dëshmitarët e paraqitur nga Lidhja e Shkrimtarëve që dëshmuan kundër Trebeshinës?
Në gjyq, me cilësinë e dëshmitarëve dëshmuan disa prej shkrimtarëve, në bazë të një liste të hartuar më parë. I pari u fut për të dëshmuar Dalan Shapllo, pastaj me radhë Resul Bedo, Jorgo Bllaci, Ruzhdi Pulaha, Pertef Isufaj, Bashkim Kuçuku, Llambro Ruci, Mehmet Myftiu, Adem Avdia, e disa të tjerë. Këta ishin emrat që u përdorën kundër tij, në gjyqin e tretë. Ndërsa Naum Prifti, mungoi në gjyq, por edhe ai kishte dërguar ekspertizën e tij, në një zarf.
Në ç’pika u përmblodh dëshmia e tyre?
Gjithçka kishte të bënte me veprat e pabotuara, ose të botuara të Trebeshinës. Pra, u fol për veprat që cituam më lart. Por disa nga ata dëshmuan edhe për bisedat që kishin bërë më parë me Kasemin, duke e akuzuar këtë të fundit si armik. Ky ishte një gjyq i sforcuar dhe në fakt, të gjithë dëshmitarët dukeshin sikur i kishin sjellë më forcë në atë proces. Asnjeri prej tyre nuk kishte ardhur me dëshirë. Pra, secili foli për anë të ndryshme difektoze të veprës së Trebeshinës, por dukej qartazi, se kjo porosi ishte dhënë nga Lidhja e Shkrimtarëve, e cila kish marrë urdhër të prerë nga hetuesia. Në thelb, ky  ishte dënim politik që vinte nga kupola e Byrosë Politike. Pra, Trebeshina do të dënohej pa diskutim, por duhej gjetur një shkak ku të kapeshin. Dhe si akuzë përdorën veprat letrare, duke ua dhënë shkrimtarëve me detyrim që të bënin ekspertiza letrare. Unë edhe më vonë kam diskutuar me Trebeshinën dhe ai nuk mban mëri ndaj askujt.
Cili prej tyre ishte më i hidhur në dëshminë e tij?
Secili prej tyre ishte caktuar të dilte aty, për të thënë diçka rënduese ndaj Trebeshinës. Dhe të gjithë e bënë detyrën e tyre. Ndërsa më vonë, padyshim që janë penduar.
Thuhet se gjatë hetuesisë, Trebeshina është përleshur fizikisht, me dëshmitarin Jorgo Bllaci dhe me disa të tjerë. A është e vërtetë?
Po është e vërtetë! Madje, disa herë ëshët gjakosur me tan ë sy të hetuesit!
Po Kadareja, ka qenë i pranishëm në hetuesinë, apo gjyqin e Trebeshinës?
Jo! Kadareja nuk më rezulton të ketë marrë pjesë në ndonjë gjyq të shkrimtarëve. Madje edhe në rastet kur gjatë mbledhjeve në lidhjen e Shkrimtarëve sulmoheshin krijuesit, Kadareja ka qenë gjithmonë në mbrojtje të tyre. Mjafton t’ju përmend këtu rastin tipik të gjyqit të Koço Kostës, ku Kadareja nuk lejoi arrestimin e Koços në sallë. Dhe e mbrojti deri në fund. Kjo ka ndodhur edhe për raste të tjera.
Sipas jush nga buron gjithë kjo urrejtjte e ndërsjelltë midis dy shkrimtarëve, Trebeshinës dhe Kadaresë?
As unë nuk e di. Por kam vënë re se komunikimi dypalësh ka qenë gjithmonë i acaruar, në distancë. Ndofta, kjo vjen nga fakti se të dy janë shkrimtarë të mëdhenj e të talentuar.
Si e shpjegoni urrejtjen e kupolës së lartë të shtetit, kur Trebeshina dihej se ishte kushëriri i parë me Fiqërete Shehun dhe njeri i afërt me familjen Klosi?
Trebeshina kishte dalë kundër komunizmit dhe kishte arritur deri aty, saqë kishte dorëzuar edhe teserën e partisë. Pra, i kishte fyer të gjithë, kushërinjtë e tij në mënyrë publike. Dhe nëse ata nuk e ndëshkonin sjelljen e Trebeshinës, mund të rrezikoheshin për vete në pozitat e tyre të përditshme.
Zoti Dragoj, a u fol në gjyq për të ashtuquajturën “promemorie” të Trebeshinës kundër Enverit, apo e gjithë kjo histori është një sajesë e Trebeshinës?
Jo, në gjyq nuk u fol për këtë gjë. Por zakonisht, gjyqet zhvilloheshin formalisht, për të tjera gjëra dhe dënimi jepej për fajin e vërtetë, që ndonjëherë fshihej mirë pas ekspertizës së librave. Sepse edhe në atë rast, arsyeja e vërtetë e arrestimit të tij, ishte letra e Trebeshinës i cili deklaronte se nuk do të merrte pjesë në votim. Por pastaj Prokuroria u kanalizua tek ekspertizat e veprës letrare. Ndërsa për promemorien nuk mund të them më shumë se sa ajo që dihet nga të gjithë.
Nga ajo që kemi lexuar rreth Trebeshinës vëmë re një prani të madhe të mjekëve psikiatër dhe një numër të madh vizitash mjekësore të Trebeshinës? A mos vallë Trebeshina kishte probleme mjekësore dhe prandaj dilte kaq hapur kundër sistemit?
Jo! Por atëhere, kush dilte kundër Enver Hoxhës konsiderohej i çmendur, ose stimuloheshin mjekët që ta nxirrnin të tillë. Guximi i Trebeshinës nuk mund të shpjegohej dot nga nomenklatura komuniste, prandaj ata donin të justifikoheshin para të tjerëve, duke tentuar ta nxjerrin si jonormal. Ndërsa në arrestimin e fundit ka qenë pikërisht, hetuesi Bengasi, i cili nxorri versionin e mjekëve psikiatër, në mënyrë që ta ndihmonte Trebeshinën të lirohej nga burgu. Por Trebeshina, asnjëherë nuk i ka pranuar këto kompromise për të dalë nga qelitë e burgjeve.

Përplasen gjigandët, Mosmarrëveshja e Kadaresë me Trebeshinën dhe Nuri Dragoin
Krisja e marrëdhënieve shoqërore dhe letrare të Kadaresë me Trebeshinën, duhet të  ketë nisur qysh në njohjen e tyre të parë. Kjo kuptohet mjaft qartë, nga shigjetimet e ndërsjellëta, ndërkohë që mbetet enigmë fakti se si  është e mundur që Trebeshina pas një kalvari të gjatë burgimesh, nuk mban inat me asnjë hetues, gjykatës, apo dëshmitarë të gjyqeve komuniste, por e ka fokusuar kornizën urrejtjes, pikërisht, mbi Ismail Kadarenë, i cili shumë pak mund të jetë shfaqur i pranishëm në episode e jetës  e sidomos të burgosjeve të tij. Nga ana tjetër, nuk kuptohet plotësisht, përse Kadareja, edhe pasi është bërë kaq i njohur nëpër botë, apo edhe pse ka përjetuar aq shumë momente triumfi në aspektin e vlerësimit ndaj rivalëve, përsëri nuk e ka shkulur dot fiksimin e duelit ndaj Trebeshinës. Duket se trauma e përballjeve të tyre në distancë duhet të ketë qenë tepër e madhe përderisa, ata të dy edhe në një moshë relativisht të kaluar, përsëri kur dëgjojnë emrin e njëri tjetrit e kanë mendjen tek dylyftimi. Natyrisht, ky dylyftim bëhet me metoda intelektualiste, por pa i shmangur dot fyerjet dhe përbuzjet. Dhe nga kombinimi i deduksioneve, brezi i ri  letrarëve, më e pakta gjë që arrin të kuptojë është fakti, se sa e tmërrshme duhet të ketë qenë bashkëjetesa e shkrimtarëve brenda kupolës së Lidhjes, atëhere kur metoda letrare e Realizmit Socialist i mblidhte të dy në në një sallë, ku ata duhet të diskutonin për librat e njëri-tjetrit…

Ismail Kadare
Trebeshina, disident vetëm kundër Skëndërbeut
Historia e re më Gjergj Kastriotin është më e vjetër se ç’duket. Ajo ka nisur fill pas rënies së komunizmit. Një roman i shkurtër, i titulluar “Mekami”, i një shkrimtari të quajtur problematik, K. Trebeshina, botuar në rrethana të dyshimta në Kosovën ende nën sundimin serb, shënon fillimin e fushatës së egër kundër personazhit. Në atë libër, heroi i parë i shqiptarëve trajtohet as më pak, as më shumë, si hajdut kuajsh dhe agjent i Italisë. Vetë autori, i përndezur prej sulmit të vet, e shpall veten turk. Ndërkaq, autori i librit është duke u shpallur në Shqipëri shkrimtar disident. Ndaj pyetjes se për ç’merita, përgjigjja është e prerë: Për një promemorie që i paska dërguar Enver Hoxhës më 1953. Sipas saj, është ndoshta shkrimtari i parë në Shqipëri, që ka guxuar t’i shkruajë diktatorit: Ti dhe shokët e tu jeni vrasës, që jo vetëm do të vrisni më pas njëri-tjetrin, por do ta mbytni vendin në gjak! Tingëllon disi e pabesueshme për cilindo, por sidomos për strehsat. Dyshimi për promemorien dyfishohet kur sillet ndërmend e kaluara letrare e personazhit: Shkrimtar si shumë të tjerë, me ndonjë vjershë lavdërimi për Enver Hoxhën dhe kulmi, pikërisht në mars të vitit 1953, pak kohë përpara promemories, me poemën më himnizuese, kushtuar Stalinit, në ditën e vdekjes së tij. Këto kujtime prekëse nuk e ndryshojnë aspak statusin e personazhit. Madje, ai nuk lëkundet as kur strehsat, këtë herë të zemëruar keq, zbulojnë se kinse disidenti, ose kinsi, siç do të quhej shkurt, jo vetëm s’ka qenë kundër regjimit, por ka qenë oficer i Ministrisë famëkeqe të Brendshme, pra pjesë e thelbit gjakatar të shtetit. Që njeriu gëzonte mbrojtje të fshehtë, kjo ishte e qartë. I turbullt ishte shkaku. Mbrojtja shtrihej në të dyja regjimet: në komunizëm dhe në paskomunizëm. Nga të dy krahët e politikës: e djathta dhe e majta. Vetvetiu bëhej pyetja: Disident kundër kujt kishte qenë në të vërtetë kinsi? Me ç’dilte, disidenca e tij më e qartë paskësh qenë kundër Skënderbeut. Ajo kundër regjimit mbetej për t’u vërtetuar.

Kush është Kasem Trebeshina
Kasëm Trebeshina ka lindur në Berat, më 5 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942, kur u përfshi në Luftën Nacional Çlirimtare. Trebeshina ndërpreu edhe studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Në vitin 1961 botoi poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim pa emër të Garsia Lorkës. Veprat e Trebeshinës nisën të botohen në fillim të viteve ’90, fillimisht në Prishtinë: “Stina e stinëve” 1991; “Mekami”, “Melodi turke”, 1994; “Historia e atyre që nuk janë” 1995 dhe në Tiranë: “Legjenda e asaj që iku”, 1992; “Koha tani, vendi këtu, 1992; “Qezari niset për në luftë”, 1993; “Rruga e Golgotës”, 1993; “Lirika dhe satirë” 1994: “Hijet e shekujve”, 1996; “Ëndrra dhe hije” drama; 1996 etj. Megjithatë, pjesa më e madhe e veprës së Kasem Trebeshinës është ende në dorëshkrim. Kasem Trebeshina është burgosur tri herë, për motive politike.

Naum Prifti
“Përse mungova në gjyqin e Trebeshinës”

“Për t’i dhënë ekspertizës ngjyrë më të besuar, Sigurimi futi në valle Lidhjen e Shkrimtarëve. Midis dramaturgëve që do të shqyrtonin veprat, Dalan Shapllo më futi edhe mua. Kjo më erdhi e papritur, sepse unë nuk isha nga njerëzit e afërm apo të besuar të Lidhjes. Ai më dorëzoi pesë vepra të Kasëm Trebeshinës, pa i zgjedhur, ato që i zunë duart nga togu dhe më vuri në dijeni, se duhet t’i lexoja e të shkruaja një relacion rreth përmbajtjes së tyre. Nga njëra anë, më erdhi mirë se do të lexoja pesë vepra disidente, nga ana tjetër nuk doja kurrsesi të rëndoja Kasëm Trebeshinën, me akuza për krijimtari disidente… I lexova me një frymë, duke u habitur si me subjektet, ashtu edhe me idetë. Njëra prej tyre, me titull “Për ata që s’janë më” ishte akuzë e fortë kundër hetuesve, njerëzve të Sigurimit, të zvetënuar moralisht… Përgatita relacionin sa më butë që munda, duke pohuar se dramat e komeditë nuk ishin realiste, se nuk aludonin kundër sistemit, mbasi ishin fryt i një fantazie të çoroditur… Këto mendime ia thashë edhe Dalanit, por ai tha se kishte lexuar një dramë ku personazhet quheshin Anvar dhe Mahmud, aludim direkt për Enverin dhe Mehmetin… Duke gjetur një justifikim të besueshëm nuk u paraqita në gjyq, por atje u lexua relacioni im…”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s