Koha e pamjaftueshme e Helena Kadare, nuk mund të kthehet në një kohë të tepërt për shqiptarët

Nga Sali LEKAKur pritej një ngjarje e madhe kulturore siç është Panairi i Librit të kthehej në një sallon të qarkullimit të elitave letrare, të letërsisë më të arrirë të botuar gjatë vitit 2010- 2011, të autorëve të ndaluar nga regjimi komunist, për arsye të kualitetit të lartë estetik të veprës së tyre, ky panair u kthye në një podium për të ringjitur Kadarenë, bashkëshorten e tij, Helenën, Spartak Ngjelën, Ben Blushin dhe Blendi Fevziun.

Megjithëse janë botuar dhjetëra vepra të tjera kualitative dhe këta autorë nuk janë ndër më të mirët, atyre iu parapërgatit një reklamë madhështore, duke ua vënë gazetat dhe televizionet në dispozicion, si dikur që i vihej gjithçka në dispozicion Diktatorit dhe dishepujve të tij. Po e nis me një emision televiziv në studion e TV “Planet”, që më ka bërë përshtypje për nga shkalla e indoktrinimit me emrin kadareizëm. Gazetari Roland Qafoku  e pyeti zonjën Meri Lalaj, të ftuarën e tij në studio: “Pse e kanë sulmuar Kadarenë në kohën e Diktaturës dhe pse e sulmojnë edhe sot?”. Zonja Meri iu përgjigj: “Kadarenë, gjeniun e madh e sulmojnë ata shkrimtarë që duan të bëhen të mëdhenj duke sulmuar Kadarenë, por nuk janë bërë dhe as kanë për t’u bërë shkrimtarë të mëdhenj”. Sipas kësaj përgjigjeje të zonjës Meri, në Shqipëri akoma dhe sot shkrimtar mund të bëhesh duke lavdëruar Kadarenë, me aprovimin dhe firmosjen e të nderuarës Meri Lalaj. Unë e falenderoj gazetarin Roland Qafoku që e ka ftuar në studio të preferuarën e tij, por dua që t’i forcoj edhe kujtesën e dobët që ka, sepse duhet që ai ta pyeste zonjën Meri edhe për emrat e shkrimtarëve që e kanë sulmuar Kadarenë në kohën e Diktaturës. Por e siguroj se kjo pyetje do të mbeste pa përgjigje nga zonja Meri, sepse Kadarenë nuk e ka sulmuar asnjë shkrimtar në kohën e Diktaturës, përkundrazi Kadareja ka sulmuar dhe penguar mjaft shkrimtarë dhe letrarë të rinj, por dhe të vjetër të atyre viteve, sidomos shkrimtarët disidentë të merituar dhe demokratë të betuar, Musine Kokalari, Sejfulla Maleshova, Trifon Xhagjika, Bilal Xhaferi, Petro Marko, Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Dhora Leka, Sali Leka, Jakov Xoxa, Hasan Petrela. Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Jakov Xoxa, Hasan Petrela, Dhimtër Fullani etj. Ata ishin dhe shokët e shoqet e mia; unë nuk kam dashur të publikoj kujtime me tregime për këta disidentë të merituar dhe demokratë të betuar, por panairi i librit Tirana 2011 që funksionoi nga data 9 deri më 13 nëntor më nxiti që t’iu drejtohem këtyre figurave, si pika referimi për të shkruar të vërtetën e disidencës në letrat shqipe. Gjithashtu, ky panair më ka mbushur me aftësi dhe energji për të shkruar akoma më shumë romane me tregime personale, ashtu siç ka shkruar edhe Helena Kadare në romanin e saj memoristik “Kohë e pamjaftueshme”, ku bën apologjinë erotike të bashkëshortit të saj. Sipas këtij titulli, zonja Helena ka akoma për të shkruar romane me tregime personale, sepse deri tani nuk i paska mjaftuar koha. Çfarë paska bërë deri më tani kjo zonjë e nderuar? Thjeshtë paska përgjuar jetën personale të bashkëshortit të shquar?! Kurse mua më ka mjaftuar gjithmonë koha për të shkruar tregime, poema, poezi, romane, para dhe pas vitit 1991, por romanet dhe tregimet e mia nuk i ka botuar censura asnjë rresht, asnjë fjali. Mirëpo, në romanin “Koha e pamjaftueshme”, Helena Kadare nuk e ka shkruar në asnjë rresht fjalën censurë  e shtypit, letërsisë dhe gazetarisë komuniste, nuk ka shkruar asnjë fjali për njëqind e dyzet e pesë shkrimtarë, regjisorë, dramaturgë, artistë dhe këngëtarë të burgosur dhe të persekutuar egërsisht dhe mizorisht deri në vitin 1991. Nuk ka shkruar për këto gjëra, sepse fjala censurë i duket e keqe, e ashpër, e egër, mizantrope, e trishtë dhe ashtu është. Fjala censurë regresive dhe drastike është e tmerrshme, por duhet shkruar, sepse ka ndodhur. Vetëm kur shkrimtari shkruan tregime me kujtime të vërteta që kanë ndodhur të egra apo të buta, të njoma apo të thata, të bukura apo të shëmtuara, janë me vlerë dhe dobi për njerëzimin dhe meritojnë vlerësim dhe shpërblim. Kurse kur tregon me mënyra dhe metoda  se si e kam prishur fejesën me inxhinierin dhe u dashurova me romancierin, siç bën e nderuara Helena, nuk janë tregime letrare, por fjali dhe fraza që i shkruan dhe i flet çdo njeri që nuk është shkrimtar as poet as artist dhe nuk quhen vepra me rëndësi kombëtare, historike dhe demokratike, për të cilën populli shqiptar ka aspiruar dhe aspiron në një kohë të mundësive që na shpalosen, për të rishkruar historinë në bazë të së vërtetës.Atëherë lind pyetja: Pse iu dha Helenës çmimi i librit më të mirë në panair? Kujt i interesojnë dashuriçkat e Kadaresë, përveç asaj vetë dhe ndonjë romantiku të vonuar që nuk ka se me çfarë të mbushë kohën e lirë që e ka me tepri? Pse kjo zhurmnajë kaq e madhe për një libër voluminoz, ku nuk thuhet asgjë, përveçse një duzinë trallisjesh e lektisjesh baladeske, për “nderin e humbur të shkrimtarit të madh”?Libri i Helenës “Kohë e pamjaftueshme” nuk ka asnjë mesazh për shoqërinë shqiptare, e cila do të donte që nga bashkëshortja e një shkrimtari të konsideruar i madh si Kadareja të merrte jo një histori rozë, disi të shpëlarë nga keqpërdorimi, që nuk i hynë në punë askujt dhe që nuk shërbejnë as dhe për rrëfime sa për të kaluar kohën mes miqve në ndonjë kafene. Lexuesi nuk ka mall të dijë se çfarë ka bërë Kadareja në kohën e lirë, pas shkrimeve të porositura nga agjitropi i lartë komunist, ka gjuajtur peshk apo fustane, lexuesi do të donte të dinte se cili është raporti i Kadaresë me shkrimtarët e persekutuar, cili ka qenë raporti I Kadaresë, fjala vjen, me Bilal Xhaferin, i cili u detyrua të ikte nga ferr-parajsa e imponuar komuniste, pas një debati të hapur me të për romanin e tij mediokër “Dasma” etj.Nëse Helenës iu dha kryeçmimi për një libër romantiko-baladesk liriko-epik, ku rrëfehen “historitë me paskiunë” të shkrimtarit të shquar, nuk mbetën pas dhe vipat e TV-ve dhe oborreve politike si Fevziu, Blushi dhe Ngjela, për të cilët dy tre muaj para panairit u bë një reklamë dhe shou i pa parë, duke i trumbetuar librat e tyre të dyshimtë si një rizbulim i “Arkës së Noes”. Mjaft autorë të tjerë seriozë, me libra dinjitozë të paraqitur në stendat e shtëpive botuese në panaier, si Kastriot Myftaraj, Agron Tufa, Bahri Myftari etj, etj., u lanë në hije, nuk u tha për to asnjë fjalë, njësoj sikur të mos ekzistonin.Pra, Helena i kujtoi organizatorët e panaierit dhe ata që fshihen pas tyre, se në këtë vend ende nuk paska ardhur koha për gjëra serioze, se u dashka të shkruash histori rozë me fjalë kafenesh që të jesh i besueshëm dhe i lakmuar, të marrësh çmime dhe të të vihet në ballë kurora e mbretit.Koha e pamjaftueshme e zonjës Helenë për të rrëfyer bëmat e të shoqit në një fushë pa dëshmitarë, siç është ajo e erotikës së fshehtë, nuk mund të kthehet në një kohë të tepërt për shqiptarët, të cilët janë në zënë me të tjera histori, në një luftë njerëzore dhe të përditshme për të mbijetuar, për të krijuar vlera, qoftë dhe në një kohë kur për këto vlera heshtet dhe kalohet në heshtje, siç ndodhi në Panairin e Librit 2011. *Shkrimtar disident

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s