Fallxhorë dhe psikologë interpretojnë “Kurbanin” e Ramës

Kur një politikan shkruan një libër do të thotë se është në fundin e karrierës së tij dhe pritet të shkojë në azil? Në fakt psikologu Edmond Dragoti këtij fenomeni gati 20-vjeçar në Shqipëri i lë fushë të lirë disa interpretimeve, por në krye vë fundin e karrierës. Megjithatë, në intervistën për “standardin” psikologu e shtrin mendimin në disa forma që ka marrë sot komunikimi me publikun për të qenë të pranishëm tek zgjedhësit, për të bërë sa më shumë mbështetës e përkrahës në zgjedhjet e ardhshme. Nuk është hera e parë që Dragoti flet mbi këtë fenomen të elitës politike, pse ata ndiejnë të nevojshme t’i drejtohen librit duke e vështruar këtë me mentalitetin e udhëheqësve shqiptarë. Dikur është shprehur se politikanët shkruajnë libra si Enveri

Kur një politikan shkruan një libër do të thotë se është në fundin e karrierës së tij dhe pritet të shkojë në azil? Në fakt psikologu Edmond Dragoti këtij fenomeni gati 20-vjeçar në Shqipëri i lë fushë të lirë disa interpretimeve, por në krye vë fundin e karrierës. Megjithatë, në intervistën për “standardin” psikologu e shtrin mendimin në disa forma që ka marrë sot komunikimi me publikun për të qenë të pranishëm tek zgjedhësit, për të bërë sa më shumë mbështetës e përkrahës në zgjedhjet e ardhshme. Nuk është hera e parë që Dragoti flet mbi këtë fenomen të elitës politike, pse ata ndiejnë të nevojshme t’i drejtohen librit duke e vështruar këtë me mentalitetin e udhëheqësve shqiptarë. Dikur është shprehur se politikanët shkruajnë libra si Enveri, ndërsa sot Dragoti vazhdon ta trajtojë në një specifikë zhvillimi tjetër të komunikimit si modë e importuar nga jashtë, si teknika të fundit në rrjete sociale si Blog apo Facebook.

Nëse rasti i Spartak Ngjelës është e politikanit të pavarur, duke përjashtuar mundësinë e azilit, po rasti i kreut të PS-së, Edi Ramës, me botimin e librit “Kurban” çfarë përfaqëson?

“Në politikë ai është në dështimet e para dhe pret sukseset e para. Kështu që libri është pjesë e përvojës politike që po krijon gradualisht. Unë nuk e mendoj karrierën e tij në mes apo në fund, e mendoj në fillim”. Por jashtë shërbimit politik, çfarë ndodh me publikun përballë ngjarjeve të tilla, kur politikanët shkruajnë libra dhe pushtojnë mediet?

Për këtë përgjigja e Dragotit lidhet me shenjën diktatoriale që shfaqet, pasi politikanët mendojnë se është shumë e rëndësishme të shkruash libra për opinionin publik.

Rasti i Ramës është referenca, meqë si politikan konsideruar në fillimet e tij prej psikologut, për t’ju afruar në një imazh tjetër publikut, siç është botimi i librit të tij “Kurban” që po ngjall mjaft polemika sa kontroverse aq dhe kundërshtuese, që shumë e lidhin me natyrën e tij, një lloj manie për ekzibicion apo shou mediatik!

Megjithatë, çfarë ka tërhequr më shumë vëmendjen tek libri i Ramës është kopertina: shkrimi ngjyrë gjaku, me fytyrim të tillë në titullin e librit, një thikë rri vertikal në majë lyer me gjak, një kokë dashi… duke ngjasuar me ritet fetare siç dihet kurbanin.

“Është një kopertinë thriller e gjakut”, e ka komentuar Dragoti, ndërsa ka arsyetuar se ky është një reflektim si në natyrën e filmave që japin realitetin e kohës sonë, duke e konsideruar gjakun si pjesë të politikës sonë sot. “Po të vësh re, politika duket se ka vrarë aq shumë sa dhe njerëzit në politikë. Në këtë kuptim prania e gjakut të këtyre elementëve është pjesë e politikës sot”.

Edhe nga një sondazh të bërë nga gazeta “standard” në fakultetin e shkencave sociale me studentët e degës së psikologjisë, viti i tretë, vlerësimi ndahet në grupe, por që bashkohen në një mendim kryesor: një dëshirë e politikanëve që shkruajnë libra për të ndikuar e pasur impakt në elektoratin e tyre, për të qenë në qendër të vëmendjes.

Rasti i Ramës flitet jo aq si një “mendim i ri”, që ashtu si Dragoti, studentët e psikologjisë e klasifikojnë në rastet kur të tilla fenomene për të marrë modele që njihen prej kohës së Leninit e deri sot.

Disa nga studentët e intervistuar, duke iu referuar një impresioni rastësor mbi librin e Ramës

thonë se “librat ndikojnë në popull ose në militantët e vetë për të treguar një tjetër fytyrë jashtë politikës”. E të tjerë shprehin mendimin se libri i Ramës, konkretisht, duhet parë periudha kur e nxjerr në treg. “Dhe ajo dihet që është një situatë kur zgjedhjet janë humbur nga ana e PS-së dhe ndoshta është një arsye për t’u rifutur përsëri në lojë, për të treguar planet për të ardhmen…, ndoshta. Librin nuk e kam lexuar, por thjesht nga ç’ka kam parë”, – thotë një prej studenteve të  vitit të tretë, në lëndën e psikologjisë diagnostikuese, që drejtohet nga pedagogia Greta Hysi.

Këta të rinj studentë pothuaj janë të gjithë në dijeni e të pushtuar nga mediet mbi lajmet politike, duke u vënë ndoshta për herë të parë në një sfidë mendimi, gjykimi profesional  se kur një politikan shkruan një libër, në një distancim psikologjik çfarë ndodh në një mentalitet politik në vend. Në fakt është e vështirë të artikulohet gjurma psikologjike e piktorit në këtë libër, edhe politikanit Rama, pasi gjykimi i psikologëve të ardhshëm lidhet me të kaluarën, historikun e familjes  apo jetën personale që mund të ketë bërë.

“Në lidhje me kopertinën, në rastin e Edit ai e ka bërë shumë të qartë se çfarë personaliteti është: impulsiv, furishëm etj. dhe e kuqja është mjaft e ndezur që tregon zjarrin, forcën që në një farë mënyrë tregon qartë personalitetin e Edit”, – thotë një prej studenteve, në fakt në atë klasë vetëm vajzat flasin dhe janë shumica në numër.

“Ngjyrat dhe piktura që realizon në kopertinën e librit mendoj se pasqyron projektimin e botës shpirtërore të Edi Ramës. Analiza bëhet duke marrë në konsideratë dhe të kaluarën e tij, familjare, historike, jetësore, psikologjike, emocionale, sociale e personale gjithë dimensionet e jetës së tij”, – thotë psikologia Greta Hysi.

***

Edmond Dragoti: Është një kopertinë thriller e gjakut!

Duket sikur po përsëritet e njëjta situatë në politikë, si në 2004-n kur pati një fluks botimesh nga politikanët, siç shohim dhe tani. Jeni prononcuar për këtë fenomen  dhe tani sërish në këtë periudhë si parazgjedhore rilulëzon. Ju si e gjykoni këtë?

Me të vërtetë ky fluks i literaturës së politikanëve është pasojë e një përvojë më tepër se gati 20- vjeçare që ka elita e politikës sonë në këtë fushë. Po nga ana tjetër është dhe një ambicie e tyre që të përfshihen edhe të avancojnë në nivelin e kualifikimit të tyre profesional që është politika. Shkrimi i librave paralajmëron dhe një gjë tjetër, pak a shumë pararendës i faktit që ata po e ndjejnë nevojën për të dalë nga politika, që do të thotë se po shohin që nuk janë as në fillimet dhe as në mesin e karrierës së tyre. Janë në fundin e saj.

Pavarësisht se sa të vetëdijshëm janë, ata me siguri, fakti tjetër më domethënës, një tregues, që ata ndihen aq të pjekur, sa nuk e kanë më të nevojshme të kontribuojnë në politikë.

Dhe së fundi, nga nevoja për t’u përshtatur me kohën, me faktin për të bërë atë që kërkon koha e sotme, atë që bëjnë politikanët e vendeve të tjera të cilët shkruajnë kujtimet e tyre, japin idetë e tyre, programet etj. Një nga metodat, teknikat e fundit të komunikimit me publikun janë jo vetëm librat, por dhe përdorimi blogjeve të ndryshme  ose i rrjeteve sociale. Në vendet perëndimore kjo është bërë modë, por dhe tek ne ka filluar të aplikohet. Të gjitha këto komunikime me opinionin, publikun janë një mënyrë tjetër për të qenë të pranishëm tek zgjedhësit, elektorati shqiptar dhe sigurisht për të bërë sa më shumë mbështetës, përkrahës në zgjedhjet e ardhshme.

Ju thatë se tregon një lloj përgatitje paralajmëruese për këta politikë, gati për azil, për të dalë në pension…

Nga njëra anë tregon se ata kërkojnë mbështetje të mëtejshme të zgjerojnë mbështetjen e tyre… Dhe nga ana tjetër parandiejnë largimin e tyre nga politika.

Për Spartak Ngjelën që ka nxjerrë një libër, nuk besojmë se është i  njëjti fenomen siç mund të jetë dhe për kreun e PS-së, Edi Ramën, që sapo ka botuar një libër?

Natyrisht që Ngjela ka përvojë të konsiderueshme në politikë  dhe nuk është i varur nga politika. Ai është tip i pavarur nga politika dhe në këtë mënyrë s’ka nevojë libri prej saj.

Pa dashur të hyjmë në politikë, duket si fenomen i majtë, sikurse në 2004-n, shkrimi i librave…

Nuk dua të flas në mënyrë konkrete.

Meqë Ngjela është i pavarur, po librin e Ramës me titullin “Kurbani” si e shikoni, kur mund të konsiderohet për nga mosha, dhe hyrjes në politikë, në kulm në karrierës të tij?

Nuk mendoj se Rama është në kulm të karrierës së tij, ai ka vite përpara. Në politikë është në fillimet e tij. Në politikë ai është në dështimet e para dhe pret sukseset e para. Kështu që libri është pjesë e përvojës politike që po krijon gradualisht. Unë nuk e mendoj karrierën e tij në mes apo në fund, e mendoj në fillim.

Pa hyrë në detaje të leximit të librit, pasi akoma nuk ka dalë në treg, në paraqitjen vizuale në lidhjen që ka pasur me publikun si komunikim, pushtimi i medieve përbën një shou jashtë kontekstit për të ndikuar?

Kjo përbën një risi bashkëkohore që përdoret nga politikanët perëndimore si Papandreu në Greqi, ku funksionojnë dhe blogjet etj. Është një tregues, shtoji faktit që kërkon të tërheqë, ose të fusë në një lojë bashkëkohore apo me teknika moderne politikanët, në pushtet ose jo, pra kërkon t’i fusë në një veprimtari, në një lojë të cilën ai e luan më mirë se ata.

 

Mendoni se kjo vjen origjinale, pa ndonjë imtim apo plagjiaturë që nuk e lidh në komunikim me publikun?

Nuk besoj, pasi këto janë të njohura që nga koha e Leninit e deri sot. Të gjitha partitë aplikojnë teknika të njohura si “gju më gju me popullin”, “sa më pranë popullit” etj.

Nuk mendoj se ka strategji, parime ose metoda origjinale sot për sot. Sot ka vetëm teknika të ndryshme që i përshtaten nevojës për t’u afruar sa më shumë me elektoratin.

 Shkrimet e librave nga politikanët, ju në një intervistë tuajën i keni identifikuar si shenja diktatoriale, siç keni thënë se si ata shkruante edhe Enveri…

Sigurisht ata mendojnë se është shumë e rëndësishme të shkruash libra për opinionin publik. Pastaj sa i lexojnë është gjë tjetër.

Do të donim të tërhiqnim pak vëmendjen me librin e Ramës, aspektin vizual të kopertinës, si paraqitje estetike: gjurmë gjaku, ngjyrë e kuqe e fortë, një thikë vertikale në majë me gjak, dhe titullin e ka shkruar me ngjyrë që reflekton po prapë gjakun dhe koka e dashit. Psikologjikisht si do të distancoheni në shpjegimin e këtyre shenjave, ngjyrave që e marrin një kuptim apo jo?

Është një kopertinë ‘thriller’ e gjakut.  Në këtë aspekt, filmat e kësaj natyre ose të këtij niveli janë një realitet i kohës sonë dhe në vendin tonë. Po të vësh re politika duket se ka vrarë aq shumë sa dhe njerëzit në politikë. Në këtë kuptim prania e gjakut e këtyre elementëve është pjesë e politikës sot.

 

Në aspektin psikologjik ku ka fytyrim të gjakut, thikës me gjak…, parashtrimi i një përvojë vrasëse trondit në audiencë, mund të shkaktojë stimulim traumatik, aq më tepër për një popull si i yni që ka kaluar përvoja traumatike?

Udhëheqësit tanë ngjajnë si dy pika ujë me njëri-tjetrin.

A janë shenja dhune si gjaku, thika apo vetë fjala kurban?

Natyrisht shenja dhune janë.

Politikanët që shkruajnë librat kërkojnë ndikim në popull

Kursi i tretë i degës së psikologjisë, studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale, për herë të parë përfshihen në një debat publik duke krijuar një distancë psikologjike ndaj librave që prodhojnë politikanët, rasti konkret i referimit është libri “Kurban” i Edi Ramës.

Libra që botojnë politikanët që janë në karrierë politike, ku i vendosni këta politikanë në raport me individualitetin e tyre; janë kujtime, opinione, mendime dikush i pëlqen, dikush është militant ose jo  çfarë ndodh psikologjikisht me një politikan kur boton një libër.

Për të gjitha këndvështrimet e studentëve pedagogia që jep lëndën e psikologjisë diagnostikuese, Greta Hysi, i shikon profesionale dhënë në prani të saj mbi librat e politikanëve, qoftë dhe mbi librin e Ramës duke u shprehur: “Këndvështrime të gjithëve patjetër që janë profesionale  dhe nuk mund t’i quajmë kurrsesi të gabuara, sepse mbështeten në njohuritë që kanë marrë në këto studime. Janë impakte dhe përshtypje të personave profesionistë në analizën e aspekteve psikologjike”.

***

–  “Ato ndikojnë në popull ose në militantët e vet, për të treguar një tjetër fytyrë jashtë politikës”.

 

– “Po ta shohësh nga pikëpamje psikologjike botimi i një libri varet nga politikani dhe pozita e tij. Një psikolog për të dhënë një mendim duhet të hulumtojë të shohë shumë gjëra dhe çështje të tjera që i kanë ndodhur më parë politikanit”

-“Të jesh politikan, mendoj se duhet të kesh një formim të përgjithshëm  dhe të botosh një libër nuk është problem i madh. Secili prej nesh ka të drejtë të nxjerrë një libër. Unë nuk i kam lexuar asnjëherë librat e politikanëve, vetëm se i kam dëgjuar nëpër reklama. Impakti që kam pasur është se përderisa këta njerëz merren me politikën besoj se duhet të jetë një libër i mirë!”

 

– “E rëndësishme është të shikosh autorin që e shkruan dhe situatën kur ky libër del. Dhe për rastin e Ramës, dihet që është një situatë kur zgjedhjet janë humbur nga ana e PS-së, dhe ndoshta është një arsye për t’u rifutur përsëri në lojë, për të treguar planet për të ardhmen… ndoshta. Librin nuk e kam lexuar, por thjesht nga ç’ka kam parë”

-“Autori kërkon të tregojë ndoshta se është i hapur me publikun, nuk fsheh gjë duke menduar: Nuk kanë pse të tjerët të flasin për mua.”

–          “Vetë nga titulli “Kurban” mendoj se kërkon të tregojë apo të justifikojë sakrificën që ai ka bërë gjatë këtyre viteve”

–          “Këtë libër mund ta marrësh dhe në formën e një sublimimi. Gjithë energjitë që ka, dëshirat që një politikan mund të ketë, Rama ka zgjedhur një mënyrë për të treguar ose…, siç janë deputetët që të tregojnë se i shërbejnë popullit. Ai bën një vepër, si një mënyrë për t’i treguar njerëzve dëshirat e veta. Por, për aq kohë sa deputetët mund të jenë në lulëzim e sipër besoj se është shumë herët për të shkruar një libër. Mendoj se duhet të kalojë një periudhë shumë më të gjatë, duhet të ketë shumë përvojë e vite, pra në një moshë më të madhe për të shkruar një libër. Atëherë mendoj se është një ide e mirë. Por për aq kohë sa është në karrierë besoj se është shumë herët për të shkruar libër”

–          “Libër e kam shfletuar, nuk mund të them nëse është i bukur apo jo, por për faktin se përdor ngjyrën e kuqe të fortë, mendoj se kërkon të ndikojë tek njerëzit, të tregojë botën e tij atë që ai e ka pasur dikur pasion dhe beson se të gjithë janë të interesuar ta shikojnë. Fakti që këta politikanë publikojnë gjëra të tilla e bëjnë sepse, ne, populli i thjeshtë jemi të interesuar të shikojmë libra të botuar nga këta njerëz të cilët i shohim çdo ditë në televizion. Këtë, ata, e bëjnë që të ndikojnë tek ne, sepse librat mund të shkruajë çdo kush, çdo njeri i thjeshtë, çdo artist por të shkruarit e një libri nga një politikan është ndikim. Ata nuk kanë nevojë për reklame, sepse ne i shohim, por libri thjesht ndikon te ne dhe i bëjnë politikanët që të jenë në qendër të vëmendjes akoma dhe më shumë”.

–          “Mund të mos ketë lidhje me publikun, si ndikim, por dhe nevojë e tij e brendshme për të shprehur çdo gjë në një libër

–          “Në lidhje me kopertinën, në rastin e Edit ai e ka bërë shumë të qartë se çfarë personaliteti është; impulsiv, i furishëm etj dhe e kuqja është mjaft e ndezur që tregon zjarrin, forcën që në një farë mënyrë tregon qartë personalitetin e Edit”

–          “Politikanët që shkruajnë librat kërkojnë ndikim në popull. Ajo çfarë kuptoj nga kopertina e librit të Ramës ngjyra gjaku, thika shikoj se jeta e tij gjatë politikës mund të mos kenë qenë pozitive dhe e shpreh në këtë mënyr

–          “Jam e bindur që ata që mbështesin do ta lexojnë. Përderisa shkruan një libër kërkon të imponojë mendimin e tij”.

–          “Është interesante që ka zgjedhur të shkruajë një libër për të shkuar te njerëzit. Në një anë tjetër jo shumë njerëz mund ta kuptojnë për atë çfarë shkruan në libër. Këtë kam kuptuar kur e kam parë librin”.

 

–          “Duke qenë Edi Rama i fesë myslimane mendoj se diçka ka ndikuar në mendjen e tij për t’i vënë titullin librit, qoftë si rit”

Astrologët:

Yjet favorizojnë shitjen e Ramës, po ka ndikime negative në vazhdim.

Koha kur Edi Rama ka marrë “frymëzimin” për librin e tij “Kurban” ka përkuar me momentin kur ka lënë karrigen e kreut të Bashkisë. Më 25 korrik ka ndodhur ndërrimi, dalja e Ramës nga Bashkia. Nëse psikologët e lidhin këtë me një lloj “autoriteti” të fshehtë të politikanëve për të ushtruar ndikim në popull edhe me shkrimin e librave, për ironi astrologët suksesin apo dështimin e lidhin me “qiellin”, pozicionin e yjeve. Zonja Beti, që ngul para ekranit mijëra superticiozë e ka të vështirë të përgjigjet në rastin e Ramës, duke u shprehur se duhet të ketë librin në dorë ta shikojë konkretisht për të bërë ndonjë afri parashikimi apo impakti që ka pasur kryebashkiaku në shkrimin e librit.

Në astrologji kur pozicioni i yjeve është minus çdo veprimtari që lind apo siç është të shkruarit e një libri çliron ndjenja negative që lidhen me shumë realizime në aspektin njerëzor, me familjen, shkollën, punën, karrierën etj. Nëse pozicioni i yjeve është pozitive ndjesia që prodhohet është pozitive, por që mund të përfundojë dhe në ndjesi negative.

Megjithatë astrologu tjetër zoti Jorgo duke iu referuar datës 10 nëntor kur libri i Ramës hidhet në treg shpjegon se është një moment ideal për shkrimtarët pasi ecin shumë shitjet dhe ka ndikime pozitive, meqë i takon shenjës së akrepit. “Ndoshta mund të ketë ndikime negative në vazhdim, – thotë astrologu Jorgo, – por për datën kur hidhet në treg mund të jetë i favorizuar”./STANDARD/

One response to “Fallxhorë dhe psikologë interpretojnë “Kurbanin” e Ramës

  1. une nuk kam as ma te voglin interes per me lexu librin e nje njeriu te cmendur.
    njerezit e arsyeshem nuk kane nevoje per librat e njerezve te till pasi kane pare vepren etije per gjate 20viteve . ju falemnderit .

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s