Presidenti Topi rrëfen jetën: Si u njoha me Berishën

Kreu i shtetit tregon si e nisi karrierën e tij politike nga viti ‘90: “Pse nuk kandidova në Tiranë dhe planet për të ardhmen”

Presidenti Topi në një intervistë në emisionin “Debat” në Vizion Plus me gazetarin Alfred Peza rrëfen momente të rëndësishme nga jeta dhe karriera e tij. Zoti Topi tregon se si ka njohur Kryeministrin Sali Berisha, garat e tij elektorale, marrëdhëniet familjare, por dhe kontaktet e tij si kreu i shtetit me personalitete të rëndësishme botërore.
Zoti President, si i keni përjetuar lëvizjet e para demokratike në Tiranë?
Mbaj mend një moment është një episod shumë interesant. Ende pa filluar ngjarjet në Qytetin Studenti, ka qenë lëvizja studentore te Pallati i Kulturës, kam qenë me shoq1ërinë time dhe i mbaj mend personazhet e asaj nate. Kemi qenë në përfundim të xhiros së darkës, para se të shkonim, ne bënim edhe një stop tjetër ku mund të takoheshim edhe me shokë të tjerë të shoqërisë sonë, dhe ekzaktësisht kemi qenë te Xhamia e Et’hem Beut dhe nga bulevardi, në mënyrë fare të papritur, vjen një grup të rinjsh, mund të ishin rreth 30 veta dhe filluan të hedhin parulla që nuk ishin të zakonshme për atë periudhë. Ishin parulla që linin të kuptonin se diçka po lëvizte dhe filluan të këndojnë këngë për mëmëdhenë.
Ju milituat në PD në atë kohë, u bëtë anëtar. Morët pjesë në ndonjë seksion, si ka qenë kontakti juaj i parë?
Padyshim, pa i specifikuar gjërat se jemi në një intervistë të një spektri më të gjerë, unë që nga fillimi kam qenë në PD dhe janë të fiksuara shumë momente kur selia e PD-së ishte te rruga “Fortuzi”, pastaj te Rruga e Kavajës, dhe mjaftë episode, por në preferencat e viteve të para të demokracisë unë dëshiroja që të kompletoja pjesën time që kishte të bënte me profesionin, prandaj iu përkushtova më shumë pjesës së Institutit dhe në 1996 qe ai angazhim i fortë, politik, konkret, që vazhdoi dhe vazhdon.
Si hytë në listat e PD-së si kandidat për deputet dhe më pas në zgjedhjet e majit? Keni pasur në atë kohë kontakte me Berishën?
Natyrisht! Kam pasur kontakte direkt me zotin Berisha.
Kur jeni takuar për herë të parë me Berishën?
Unë e kam në memorie momentin para se të vinte demokracia. Zoti Berisha ishte një mjek i njohur, koleg dhe mik i vëllait tim, i Flamurit dhe njihej si personazh, si kardiolog i njohur. Pastaj, jeta bën të vetëm që njihesh dhe takohesh.
Po në rrethana familjare dhe shoqërore?
Jo, në rrethana shoqërore jo, por në një takim të rastësishëm në bulevard, unë e mbaj mend shumë mirë dhe referovatë hyja në jetën politike. Isha kandidat për deputet në një zonë të malësisë së Tiranës, një zonë shumë e gjerë që kufizohej me Krujën, Matin, Librazhdin, me Peqinin, Elbasanin dhe Kavajën. Zona 40, shumë interesante.
Sa për qind e aktivitetit tuaj zhvillohen në Presidencë dhe sa jashtë kësaj godine?
90 për qind të aktiviteteve zhvillohen këtu dhe 10 për qind në Pallatin e Brigadave.
A ka Presidenca këndin e historikut të saj, që tregon vijimësinë e këtij institucioni, siç kanë të gjitha presidencat në botë?
Presidenca ka bibliotekën e vet, relativisht e pasur, por që i shkon natyrës së këtij institucioni. Nuk ka një pavijon të historikut të Presidencës, kjo nuk do të thotë se nuk është mirë për ta filluar, sepse është një institucion që ka historikun e vet, padyshim, dhe mbas restaurimit të këtyre ambienteve është menduar për ta filluar dhe për të vendosur qoftë fotografi të aktivitetit të Presidencës, por dhe momentet më të rëndësishme që kanë të bëjnë jo vetëm me Presidencën, por me Shqipërinë, me historinë e shtetit, me integrimin.
Kam informacion që ky projekt mund të jetë pjesë e festimit të 100-vjetorit të shtetit shqiptar?
Unë mendoj se viti që vjen është vit jashtëzakonisht i rëndësishëm, ku do të ketë një sërë veprimtarish që lidhen edhe me këtë institucion. E kemi këtë projekt në zhvillim dhe besoj se shumë shpejt do ta prezantojmë për të qenë gati për të gjithë dimensionin që kërkon viti i 100-të i pavarësisë së shtetit shqiptar.
Kur e filloni ditën tuaj të punës?
Dita e punës fillon përgjithësisht në orën 9 të mëngjesit, pastaj takime ka dhe pasdite, por dhe të orëve të vona, që jo domosdoshmërisht kryhen në këto ambiente. Takime zhvilloj dhe në zyrën time, që kam në banesën time.
Babai juaj është marrë me lajmet në radio?
Babai ka qenë i pari që ka dhënë lajmet një anglisht pas luftës, falë mësimit të gjuhës angleze në një kolegj në Stamboll, “Robert Colege”, një pjesë të studimeve dhe më pas në kolegjin “Harry Fultz”. Ai merrte informacion në anglisht dhe në mënyrë shumë të kujdesshme e transmetonte atë.
Sa vjet vazhdoi të japë lajmet anglisht në radio babai juaj?
Unë nuk kisha ardhur në jetë në atë kohë, sepse ishte menjëherë pas luftës. Pastaj erdhi një ngjarje tjetër, e cila duhet konsideruar si një moment i hidhur për jetën e tij dhe të familjes. Ai u arrestua në vitin 1950. Akuza ishte shumë e thjeshtë, për të marrë të gjithë pasurinë e familjes, e cila llogaritej në ar, akuzë e komplikuar dhe me elementë të tjerë.
Kush është njeriu që ka qenë modeli dhe frymëzuesi në jetën tuaj deri sa ju dolët në jetë?
Unë e kam pasur dhe e kam ende modelin në familje, është im vëlla, Flamuri dhe meqenëse kishim dhe diferencë në vite, gati 14 vjet, ai u kthye në një prind të dytë, me një natyrë të ndjeshme jo vetëm për mua, por për të gjithë familjen. Kemi pasur dhe një vëlla që nuk jeton më, Mentorin, inxhinier ndërtimi. Edhe ai ishte një model për t’u ndjekur. Flamuri ndoshta mban një nga jetëgjatësitë e emisioneve në TV, por ndoshta është rekordmeni i ndjekjes së festivaleve në RTSH, që nga festivali i parë deri tek i fundit. Përmes këtij modeli edhe ne na është krijuar kjo traditë. Unë kam qenë në sallën e festivalit të 11-të falë Flamurit.
Karriera juaj pati një shtytje të mëtejshme në PD, kam parasysh futjen në strukturat drejtuese të PD-së dhe dalëngadalë deri afër majës së saj, si nënkryetar dhe kryetar grupi..
Po bëhet fjalë për vitin 2001 dhe  në zgjedhjet për strukturat drejtuese të PD-së u zgjodha nga Këshilli Kombëtar nënkryetar dhe kryetar i grupit.
Në 2005, ka zëra që keni refuzuar disa poste?
Le t’ia lemë këtyre zërave.
Ju keni mbështetje të madhe në Tiranë dhe jo vetëm. Pse nuk vendosët të ishit kandidat i PD për Bashkinë e Tiranës. Thuhet se ju e keni refuzuar?
E vërteta është se njëherë kam dashur, por s’kanë dashur të tjerë, një herë tjetër kanë dashur të tjerët, s’kam dashur unë, pra është një çështje ku palët nuk u përputhën në këtë drejtim.
Tirana mbetet shumë e rëndësishme, qoftë për qytetarët e saj, por dhe për Shqipërinë, dhe ka rëndësi për jetën e vendit.
Në katër vite presidencë, keni takuar shumë njerëz të rëndësishme të planetit. Çfarë veçoni në këto takime?
Sa më i madh të jetë personaliteti që takon, aq më i thjeshtë është si njeri. Madhështia e tyre është se janë përfaqësues të vendeve të mëdha demokratike, por që dinë të demonstrojnë thjeshtësi komunikimi. Kam takuar disa presidentë apo ish- presidentë, si Xhorxh Bush, Klinton dhe Obama. Është kënaqësi takimi dhe biseda me ta.
Krijimi i një force politike të djathtë pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, i dha asaj misionin dhe barrën për zgjidhjen e problemeve të tilla si prona, feja, por dhe rehabilitimi i të persekutuarve politikë. Cila ka qenë ajo moto e brendshme që, kur ishit në politikën aktive, të jepnit kontributin tuaj për t’i zgjidhur?
Angazhimi në një formacion të caktuar politik të bën të jesh edhe i konturuar brenda kësaj filozofie dhe programi. Çdo njeri mund të ketë një projekt disi ndryshe nga ajo që është konsakruar në programin e një partie, por vetë rregulli i një formacioni politik të dikton që ti të jesh jo vetëm pjesë e filozofisë, por edhe një programi që tentohet të realizohet. Unë e kam shprehur dhe vazhdoj ta shpreh që jo gjithmonë filozofia ime, ajo që ka të bëjë me zgjidhjen e disa momenteve kryesore ka qenë realizuar. Ju pyesni për pronën. Prona si një element themelor në një ekonomi tregu, jo vetëm që nuk është zgjidhur pas 20 vitesh, është një keqardhje e madhe. Në një vend të vogël si Shqipëria, ku gjërat mund të zgjidheshin shumë thjesht, politika e futi çështjen e zgjidhjes së pronës në një rrugë me shumë labirinte.
Kjo ishte e qëllimshme?
Këtë unë nuk mund ta them, sepse është në koshiencën e atyre që kanë pasur vendimmarrjen politike. Nëse ka pasur një çështje që përfaqësuesit e së djathtës dhe të majtës të ishin dakord, ka qenë çështja e pronave.
Kjo ishte e mirë apo e keqe?
Në këndvështrimin tim kjo ka qenë negative, sepse ai që merr përsipër të bëjë një reformë të rëndësishme, siç është çështja e pronës, patjetër që duhet t’i referohet strukturës së pronësisë, ajo që trashëgohet, statistikave zyrtare, të mundësive reale për ta përballuar reformën e tokës, të gjitha mundësive për akses në  lëvizjen demografike nga zonat e thella drejt fushës dhe mendoj se gjithçka ka qenë e mundur që të realizohet në funksion të kthimit legjitim të tokës te pronarët, dhe pastaj në të gjithë atë hapësirë që mbetet gjatë periudhës së komunizmit, ku kontributor në realizimin e sipërfaqeve të reja të tokës ishin të gjithë pa përjashtim, qoftë te tharja e kënetave dhe te hapja e tokave të reja. Pra, duhet t’i referohemi të gjitha statistikave zyrtare që kemi pasur në vitin 1945, 370 mijë ha tokë sipërfaqe, që i takonte pronarëve dhe po kaq, 370 mijë ha, u përfituan gjatë kohës së socializmit. Pra, kjo tregon se me një politikë racionale dhe të drejtë mund të realizohej kthimi i pronës te pronarët e vërtetë dhe ishte mundësia të bëheshin me toka dhe ata që nuk ishin me toka. Sot, pas 20 vitesh, është e papranueshme, është një dështim i klasës politike që në vitin 2011 njerëzit janë ende me letra nëpër duar, ende dalin vendime, akte administrative që tregon se ky proces bën përgjegjëse klasën politike. Kjo e bën të pasigurt çështjen e investimeve. Kjo nuk ka lejuar që të zbatohet si duhet kapitalizmi shqiptar.
Ka pasur ndonjë pakt të fshehtë në vitet ‘91-‘93 mes të majtës dhe të djathtës, kur ju thatë se ishte e vetmja çështje kur ata asnjëherë nuk debatuan?
Unë kam parë rezultatin. Çështja është se nëse pas një debati për një çështje të caktuar, palët ndahen, te çështja e pronës mua më ka krijuar përshtypjen dhe kjo nuk është iluzive, por vjen nga reagimi i politikës për të bërë një ligj që e ka lënë çështjen e pronës të pazgjidhur.
Si mund të zgjidhet?
Skemat janë të thjeshta. Mjafton t’i kthehesh statistikave, ka qenë gjithçka e mundur për t’u realizuar në mënyrë racionale, për t’i dhënë legjitimitet një procesi që buron nga Kushtetuta dhe të drejtat ndërkombëtare. Në Strasburg kemi parë që çështjet e pronësisë janë dhënë në favor të pronarëve realë. Kemi një debat për zonat e lira, nëse ato do të jenë për kompensim apo për investim.
Cilat janë kolonat mbi të cilat ju shikoni se mund të aktivizoheni në politikën aktive?
Unë jam shprehur në përgjigje të një pyetje dhe nuk jam shprehur në mënyrë eksplicite. Por, detyrimi im është që deri në minutën e fundit, kur unë do të shërbej si President, patjetër që do të jem në atë funksion kushtetues për t’i shërbyer të gjithëve.
Më pas?
Më pas, intervista të tjera do të kemi dhe duke ardhur do të shprehemi edhe më qartë.

ALFRED PEZA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s