Roli i dialekteve në zgjerimin e standardit

 

SHEZAI RROKAJ

Qysh prej Kongresit të Drejtshkrimit e në vijim, çështja e standardit dhe e raportit të tij me dialektet është bërë objekt diskutimesh e debatesh në mjaft tubime shkencore, në shtypin e shkruar e atë viziv. Debatet kanë pasur të bëjnë kryesisht me bazën dialektore të standardit: me çfarë u bë mirë dhe çfarë u bë gabim, çfarë u përfshi dhe çfarë u la jashtë tij, çfarë duhet përfshirë nga gegërishtja dhe çfarë duhet rregulluar brenda vetë standardit. Në përgjithësi debatet janë përqendruar te ruajtja dhe përmirësimi i tij nga njëra anë dhe, për një përballje të re me gegërishten, nga ana tjetër.  Është bërë e qartë tashmë se si teorikisht2 edhe nga përvoja e gjuhëve të tjera, mbështetja e standardit në një dialekt (toskë), duke e pasur dialektin (siç është rasti ynë me gegërishten)  a dialektet e tjera ndihmëtar/e, është e përligjur. Argumenti i përfaqësimit më të madh numerik për të përligjur ipso facto një standard ad hoc (popullsia gege sasiorisht më e madhe se ajo toske, duke mos marrë fare parasysh shtrirjen3 e standardit të sotëm edhe në arealin dialektor gegë), që sillet nga ndonjë gjuhëtar së fundmi4, në dobi të një ristandardizimi, nga përvoja e formimit të gjuhëve standarde, nuk është domosdoshmëri teorike e praktike. Nga ana tjetër, nuk bën gjë tjetër veçse rihap çështjen e legjitimimit të standardit të sotëm. Është e vërtetë se përhapja e standardit është një “shpenzë” për sa i përket mundit të folësve për të përvetësuar kodin normativ të gjuhës së shtetit. Kjo “kosto” për shtrirjen e standardit në gjithë arean shqipfolëse pra, edhe përtej arealit toskë duke e përfshirë edhe vetë këtë të fundit) ka pasur rezultate të pamohueshme, sido që mbetet ende shumë për të bërë. Por rikthimi në një formë tjetër i tezës së ‘72-shit për një standard ‘mbidialektor’5 është po aq i gabuar6 sa edhe vetë pohimi i saj në Kongresin e Drejtshkrimit. Edhe ndonjë tezë për një neostandard7 metropolitan është po aq e paqëndrueshme sa dhe vetë stabilizimi i popullsisë së ardhur në këtë trevë. Jo vetëm është i gabuar, por edhe i rrezikshëm për të ardhmen e kombit, pasi rihap çështjen e formimit të standardit a të tjetërsimit të tij. Për këdo që merret me probleme teorike të gjuhës e kupton drejt se këtu çështja nuk shtrohet për të ndrequr disa aspekte gjuhësore, një pjesë e mirë e të cilave është vënë në dukje së fundmi edhe nga një punim i kujdesshëm në Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe8. Nuk është fjala as për përfshirjen e një fjalësi të bollshëm me prejardhje gege9, i cili, volendo dolendo, po i ngjizet standardit pa kurrfarë pengese. Siç ka pohuar profesor Shkurtaj, “në mënyrë të veçantë duhet t’i qasemi pasurisë, larmisë dhe forcës shprehëse të leksikut dhe të frazeologjisë së krahinave të Veriut, të cilat, qoftë në masën që na janë fiksuar në veprat e autorëve që kanë shkruar në variantin letrar të gegërishtes, qoftë edhe nga gurra e gjallë e gegërishtes së folur ose nga folklori i gegërishtes i Veriut duhet vlerësuar e vështruar kurdoherë si burime të freskisë dhe të prurjeve të domosdoshme për gjuhën letrare të përbashkët”10. Edhe disa rregulla drejtshkrimore që lidhen me probleme, si: shquarsia dhe pashquarsia e disa emrave të përveçëm; emrat gjeografikë që janë togfjalësha, shtrirja e shkronjës së madhe në disa fjalë, si: Bajram, Krishtlindje, Perëndi; vënia e theksit te disa orientalizma si; téneqe/teneqé, básme/basmá; një grup emrash mashkullorë që në normën e sotme shkruhen me ë si; djalë, gjalpë, lumë, mjaltë, ballë etj.; shumësi i disa emrave si; kabëll, teatër apo si: mjeshtër, pediatër, otojatër duhen shqyrtuar dhe dhënë zgjidhje në mënyrë shkencore dhe me miratim prej institucioneve që merren me problemet e gjuhës në bashkëpunim me shtetin. Gjithashtu, çështje që lidhen me emrat, si: ata që kanë vetëm njëjësin apo vetëm një gjini, fjalët e përbëra mbiemërore që lidhen me zanoren o a me vizë lidhëse; mbiemra prejemërorë vendesh me prapashtesën –ian/-jan, -iot/-jot etj., duhen vënë në tryezën e zgjidhjes. Edhe sistemi foljor ka çështje të debatueshme, si: e pakryera e habitores punuakej, lënkej në raport me punuakësh, lënkësh; disa forma të kohëve të thjeshta të habitores që formohen nga pjesorja dhe jo nga tema e së tashmes a ndonjë temë tjetër, si: ardhka, thënka, dashka në vend të vika, thënka doka etj.; foljet bie, shpie në urdhërore njëjës bjer apo bier, shpjer apo shpier; Gjithashtu ka ngjallur diskutime folje si: ec, ik, hip apo eci, iki, hipi. Tërheq vëmendjen edhe diskutimi rreth formës t/s të foljeve të tipit mas/mat, nxit/nxis, pëshpërit/pëshpëris etj. Pra, përveç ndonjë rasti, të pakët janë sot ata studiues, që janë kundër përmirësimeve që duhen bërë në standardin e sotëm dhe se rishikimet aty ku është e nevojshme duhen bërë. Por, ta themi qartë: një ndërhyrje e tillë si ajo që propozohet në sistemin foljor, nëpërmjet përfshirjes së paskajores gege, prish sistemin e standardit të sotëm dhe rihap procesin e standardizimit të gjuhës shqipe nga e para, sepse krijon shtratin për një standard tjetër me bazë gegërishten. Duke qenë se folja është bërthama e thënies, pra themeli i gjuhës, ndryshimi i kësaj bërthame trondit themelet e standardit. Me përfshirjen e paskajores gege si formë përfaqësuese, standardi që krijohet nuk mund të jetë as ky që është “gjoja i përmirësuar” as një mbidialektor “gjoja gjithëpërfshirës”. Me përfshirjen e paskajores gege, ky i riu që mëtohet të fabrikohet ex catedra, nuk mund të jetë as më shumë e as më pak veçse një përpjekje për një standard tjetër me bazë gegërishten. Çfarë do t’i mbetej në sistem këtij standardi me përfshirjen e paskajores? Le të ndalemi vetëm në disa prej argumenteve, që vijnë në mbështetje të çfarë theksuam më lart:
Problemi i parë është se cilin variant të paskajores do të përdoret: ai me punu apo me punue, kam me bo/kam me ba. Futja e paskajores ndryshon gjithë kohët e përbëra të sistemit foljor: kam punuar/kam punu/e; kisha punuar/kisha punu/e etj..
Ndryshojnë format e pashtjelluara si: për të punuar, duke punuar, pa punuar, me të/një të punuar: me punu/e, tu/j punu/e, pa punu/e, me te punu/e(?), një të punu/e etj..
Ndryshon drejtshkrimi i emrave prejfoljorë si: a) men(d)oj – men(d)im m(b)jell – m(b)jellje, n(d)aj – n(d)arje: b) emra që formohen prej foljesh që kanë  ë nistore a ë mesore, siç është rasti i mëposhtëm i pikës gjashtë etj.
Dalin jashtë sistemit të standardit aktual grupet mb, nd, ng, ngj: n(d)ez, n(d)aj, m(b)jell, n(j)gj)all, dëgjoj/nigjoj, n(d)i(e)j, n(g)as etj..
Pësojnë ndryshime të ndjeshme në fleksion (në trup a në mbaresa) në raport me standardin, një numër i madh foljesh me frekuencë të lartë në përdorim, si: kam/pasë, jam/kenë, dua/du, pi/pin, fle/flen, flas/fol, bëj/baj, boj.
Një problem tjetër është ai i ë-së kryesisht në trup të foljes, e cila në një përligjje të paskajores në standard do të krijonte probleme drejtshkrimore si: ë(a)nd(ë)rroj, ë(a)m(b)ëlsoj, ë(a)njt, m(ë)soj, p(ë)soj, pun(ë)soj, pik(ë)lloj, rr(ë)fej etj.
Sistemi fontik/përkatësisht ai drejtshkrimor i standardizuar qysh prej Kongresit të Manastirit, pëson ndryshime thelbësore lidhur me pranimin e hundoreve dhe zanoreve të gjata dhe të shkurtra si dhe grafinë e tyre përkatëse. Këto ndryshime sjellin një pështjellim grafik, i cili tjetërson standardin e sotëm.
Shprehjet frazeologjike që mbështeten në përdorimin foljor, duke qenë të ngurosura, e ruajnë origjinën dialektore si: I kalli frikën, më shtiu frikën, U korit daja kur foli me të, Mos e çik atë muhabet, Pse e nguc …, i vetoi nëpër mend …, Prej trishtimi nuk bëzan, U trand për një çast, U çart pa arsye… etj.
Shtrirja e paskajores gege brenda standardit të sotëm do ta “tjetërsonte” vetë atë sepse do të deformonte edhe standardin edhe gegërishten e shkruar, pasi do t’i hiqte këtij varianti të drejtën natyrore për ta ruajtur të paprekur këtë perlë të gjuhës shqipe, e cila shërben si një veçanti themelore, që e dallon gegërishten nga toskërishtja.

Mirëpo, rishtrimi i problemit të standardit nga pikëpamja e bazës dialektore në kushtet e sotme paraqet një sërë problemesh që lidhen me vetë gjeopolitikën e ndryshimet e mëdha demografike e shoqërore që kanë ndodhur. Veçanërisht dy dekadat e fundit me ndryshimet e mëdha gjeopolitike, me heqjen e perdes së hekurt të kufijve shqiptarët, kanë filluar të lëvizin lirisht në arteriet e kombit. Kjo lëvizje shoqërohet ipso facto me lëvizjen e gjuhës, e cila bashkë me përdoruesit e saj del nga enklavat territoriale për t’u ballafaquar në “tregun” gjuhësor kombëtar. Nga ana tjetër, brenda kufirit politik të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, ndryshimet politike e shoqërore janë shoqëruar me lëvizje demografike, të cilat kanë pasur si pasojë zhvendosje të popullsive drejt qendrave urbane kryesisht metropoleve apo edhe në hapësirën bregdetare. Në këto kushte konceptet “të folme”, “dialekt” etj., po humbin vlerën e tyre teorike klasike dhe gjuha shqipe, nën efektet e shoqërisë globale e të sipërmarrjes së lirë, po ballafaqohet me dukuri të reja siç janë; sociolektet apo të folme të grupimeve të ndryshme a një lloj “përzierjeje idiolektore” etj. Në një botim tjetër kam vënë në dukje se: “Ndryshimi gjeopolitik pas viteve ‘90 krijon mundësi të reja qarkullimi të njerëzve, bashkë me ta edhe të fjalëve, të cilat dalin nga enklavat, duke kapërcyer pengesat e dikurshme, që vinin nga kufijtë politikë. Brenda kufijve politikë lëvizja e lirë ka vënë në dyshim konceptet klasike të të folmeve dhe të dialekteve në të mirë të krijimit të sociolekteve a të një “përzierjeje të folmesh” me prurje heterogjene. Gjuha standarde ka prirje të zgjerohet dhe të larmohet me prurje të rëndësishme dhe cilësore kryesisht nga dialekti gegë.”11
Në këtë këndvështrim duhen ndërmarrë studime që të trajtojnë shkencërisht çfarë po i ndodh gjuhës në këtë prag shekulli. Me fjalë të tjera, duhen kundruar me vëmendje çështje të ballafaqimit të standardit me këtë konfigurim të ri të shoqërisë shqiptare dhe të varieteteve që përdorin folësit. Studiuesi Gjovalin Shkurtaj me të drejtë thekson: “Dialektet dhe gjuha standarde, si variant i ngritur mbi bazën e një dialekti nuk janë dy ushtri kundërshtare që ndeshen për jetë a vdekje dhe njëra shfaros tjetrën, por janë degëzime e bija të së njëjtës gjuhë, lindin dhe zhvillohen në të njëjtën bashkësi shoqërore …”12.
Të gjitha gjasat po tregojnë përherë e më shumë se ky pragshekull është në dobi të shqiptarëve për sa i përket konceptit të njësimit si komb e si gjuhë. Ndarja e tyre në disa shtete pa kurrfarë lidhjeje organike, shpirtërore, gjuhësore, materiale, shoqërore doemos po shpinte deri dy dekada më parë në një “thyerje a krisje demografike e gjuhësore” që, hera-herës, shfaqte edhe shenja të konfliktit perceptiv gjuhësor deri në moskuptim a keqkuptim midis anëtarëve të bashkësisë shqipfolëse. Sot prirja globale integruese ndërkombëtare ka sjellë vetiu edhe prirjen integruese kombëtare. Në këto kushte shqiptarët nuk mund të kenë dy standarde gjuhësore e as nuk mund të nisin nga e para një të ri. Faktorët jashtëgjuhësorë shkojnë në të kundërt të këtyre prirjeve, ndaj nuk mund të kthehemi mbrapa për të ndërtuar një standard të ri në vend të këtij që është, pasi një nga kushtet e Bashkimit Evropian është që shtetet pjesëmarrëse brenda tij duhet të kenë gjuhë standarde të njësuara. Po cili është problemi i sotëm që shtrohet para standardit dhe gjithëgjuhës? Është pikërisht zgjerimi i këtij standardi drejt gjithëgjuhës që do të thotë se karakteri njësues a njohës i idiomës gjuhësore duhet të zgjerohet drejt asaj që quhet gjuha shqipe. Kjo do të thotë se standardi duhet të pranojë natyrshëm për nevojat e veta prurje nga gjithëgjuha, kryesisht nga trevat jashtë kufirit politik të Shqipërisë. Nga ana tjetër, është e domosdoshme sot që të ndërtohen politika gjuhësore që mundësojnë shtrirjen e standardit në tërësinë e shqiptarëve brenda kombit. Pohimet në Kongresin e Drejtshkrimit se gjuha standarde ishte një realitet tashmë në tërë arealin shqipfolës, ashtu si dhe pohimi për natyrën e saj ‘mbidialektore’ ishin më tepër idealiste dhe me ngjyresa të një nacionalizmi ideologjik sesa një realitet gjuhësor. Vetë kushtet gjeopolitike as e kishin favorizuar dhe as mund ta favorizonin këtë gjë deri dy dekada më parë, para ndryshimeve të mëdha gjeopolitike. Prej këndej del si detyrë kombëtare shtrirja dhe zgjerimi i këtij standardi drejt gjithëgjuhës, me qëllim që shqiptarët të arrijnë një kohezion më të shpejtë shpirtëror e gjuhësor, në mënyrë që ata të kenë një komunikim me frekuencë të lartë në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, edukative etj. Këtu duhet të synojë politika jonë arsimore, politika jonë e botimeve, politika jonë e mediave, që aktualisht po kthehen në faktorë kryesorë për njësimin kombëtar: zgjerimi i standardit nga pikëpamja e afrimit me gjithëgjuhën nga njëra anë, dhe shtrirja e tij në masën kombëtare të folësve, nga ana tjetër. Në këtë drejtim mësimi i standardit nuk mund të bëhet dhe nuk mund të realizohet jashtë vetëdijes për gjithëgjuhën, duke lënë mënjanë formimin e vetëdijes për ekzistencën e dialekteve, e ca më pak, vështrimin e tyre si të ishin gjuhë tjetër. Lidhur me edukimin gjuhësor në shkollë T. de Mauro do të shprehej: “Ajo që është thelbësore është të mos u kërkojmë fëmijëve të flakin tutje si diçka të fajshme atë çka ka qenë mënyra e tyre e parë e të folurit… Duhet të mbajmë parasysh këtë fakt; kur të na duhet t’ia mësojmë standardin (fëmijës, shën. ynë) le t’ia mësojmë pa iu dhënë shkopinj duarve. Në lëmë të gjuhës, shkopinjtë bëjnë efektin e kundërt”13. Natyrisht, shteti, shkolla, institucionet, mediat, shtëpitë botuese punojnë për ngulitjen e standardit, por ne jemi një shoqëri me standard gjuhësor të ri ende të pangulitur e të panjësuar. Kësisoj nuk mund të pretendohet se shqiptarët e krijuan standardin dhe ai duhet të mbetet një koine statike e dhënë njëherë e përgjithmonë. Sikundër vetë gjuha, brenda së cilës gjëllin, edhe standardi është një proces historik, dinamik në zhvillim; ndryshon e larmohet në përgjigje të kërkesave që ka shoqëria. Katër dekada prej Kongresit të Drejtshkrimit dhe vetëm dy dekada prej ndryshimeve të mëdha politiko-shoqërore janë shumë pak për të folur për një standard të ngulitur, të shtrirë e të njësuar në gjithë trevën shqipfolëse. Sikundër këshillon T. De Mauro14, “një verifikim i kujdesshëm i disa përdorimeve të sotme të shqipes standarde mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë problemet dhe të gjejmë zgjidhjet më të mira të mundshme.” Por ky proces duhet parë qetësisht dhe me tolerancë – thekson ai, larg egocentrizmit krahinorist a mendësive me frymëzim parashkencor e politik. Ai duhet parë me sytë drejt së ardhmes të kombit tonë dhe jo me kokën mbrapa për të zhbërë atë që u bë katër dekada më parë, sepse as gjuha as shqiptarët dhe as Shqipëria nuk janë më si katër dekada më parë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s