Pandi Laço: Hitet botërore nga artistët më të mirë shqiptarë

Prej javësh destinacioni i mjaft artistëve të njohur të skenës shqiptare ka qenë televizioni “Klan”. “Këngët e shekullit” i kanë thirrur sërish. Por këtë herë në një përvojë të re, atë që krijuesit e këtij formati kanë mbi 5 vjet që e kanë planifikuar, e të cilën do ta vënë në jetë sot në mbrëmje të pasuruar me detaje edhe më interesante. Treshja e suksesshme Pandi Laço, Bledi Laço (regjisor) dhe Adi Hila (drejtor artistik) sjellin një formulë të re të hiteve botërore, përmes zërave të disa prej emrave cilësorë të muzikës shqiptare sot. Mbrëmjet e show-t, që do të jenë 12, do të ndahen sipas vendeve të caktuara. Spektakli do të çelet me natën ruse, për të vijuar me shtetet e tjera, ndërsa nuk do të mungojnë të ftuarit special, ku veçojmë këngëtarin e suksesshëm të viteve ’70 në Itali Nicola di Bari. Por për të na zbuluar disa nga detajet e këtij programi, na tregon pikërisht skenaristi dhe producenti artistik i spektaklit, Pandi Laço.
Zoti Laço, do të vini në ekran sërish me programin “Këngët e shekullit”, por që tashmë do t’u kushtohet këngëve hit në botë. Përse vendosët këtë herë që të vinit me këngë të huaja?
Këngët e shekullit, por që këtë herë do të jetë i fokusuar te hitet botërore, te muzika e vendeve që kanë bërë historinë e muzikës. Është një projekt i cili ka ekzistuar të themi të vërtetën, që para 5-6 vjetësh, kur sapo kishim përfunduar “Këngët e shekullit” të muzikës shqiptare. Ne menduam që të bëjmë të njëjtin projekt, por këtë herë me hite botërore, vetëm se menduam që të dalim nga formati që mund t’i kenë bërë shumë vende, pasi kjo nuk është një gjetje gjeniale, është një program që shumë vende si të thuash i kanë bërë, siç është “I migliori anni”, e gjithashtu të tillë formate kanë edhe televizionet franceze, gjermane apo greke. Por ne e kemi organizuar në një mënyrë tonën të veçantë dhe mënyra është për t’i sjellë netët me ngjyrat e vendeve nga vijnë këto vende. Do të jetë nata e muzikës ruse, me të cilën starton dhe programi, pastaj franceze, italiane, amerikane e kështu me radhë. Do të jenë gjithsej 12 net. Pra është një ide që ne e kemi pasur, e kemi ruajtur, e kemi avancuar vazhdimisht, e kemi pasuruar me detaje deri sa erdhi moment për ta realizuar.
Çdo natë do të ketë një këngëtar të shquar të vendit që i kushtohet programi. Mund të na zbuloni ndonjë nga emrat që do të prekin skenën shqiptare të “Këngëve të Shekullit”?
E veçanta është gjithashtu që ne këto net të veçanta i sjellim me artistët tanë. Sepse nuk jemi aq të pasur sa të marrim ata artistë që u kanë vënë vulën atyre hiteve, e të bënim një program që të ketë një mozaik personazhesh, pasi do të ishte një program shumë, shumë i shtrenjtë për kushtet e Shqipërisë. Kështu që ne menduam që këto hite do t’i sjellim me artistët më të mirë shqiptarë. Një tjetër gjë interesante është fakti se nuk është një numër i caktuar këngëtarësh, por ne i kemi ndarë sipas karakterit që ka secili, sipas nuancave dhe vlerave që mund të sjelli secili prej artistëve dhe kjo është në zgjedhjen e tyre, ku ata e shohin të arsyeshme. Por do të ketë edhe të ftuar special, sipas netëve që do të organizohen. Nga Rusia do të ketë një këngëtare ruse, që është një këngëtare e njohur muzikës pop/rock e viteve të fundit. Ne do të sjellim hitet klasike ruse, muzikën që quhet popullore, famoze në gjithë botën, por do të kemi edhe hitet e fundit, ato këngë që ne nuk kemi pasur mundësi t’i njohim. Ose në natën e muzikës italiane do të jetë një nga përfaqësuesit që e meritojnë të jenë në elitën e këngëtarëve italianë, Nicola di Bari, dy herë fitues i Sanremos, një emër që i përket muzikës së viteve ’70.
Po nga Franca, cili emër do të vijë?
Nga Franca janë disa emra që na kanë sugjeruar, por ne na mbetet të marrim atë që i shkon më tepër karakterit të emisionit tonë, por edhe muzikës që duam të bëjmë.
Përse vendosët ta nisnit me këngë ruse, pra nata ruse, kur pritshmëria e çdokujt do të ishte një natë e një vendi fqinj? Ka një arsye konkrete që zgjodhët natën ruse?
Përsa i përket natës së parë që do të nisë me atë ruse, vendosëm kështu jo për ndonjë arsye shumë të veçantë, mbase mund të ishte edhe italiania, por ne menduam të bënim një zgjedhje më komerciale. Muzika ruse është një muzikë e cila këtu ka pasur një sukses shumë të madh në vitet e dashurisë me Bashkimin Sovjetik, aty nga vitet ’50-’60. Kemi menduar të shfrytëzojmë një lloj nostalgjie të publikut dhe të kemi atë publik që e njeh dhe e përjeton në mënyrën më të ngrohtë, më emocionuese këtë lloj muzike. Dhe unë e shoh këtë që çdo lloj nate do të ketë publikun e vet, ai publik që do të jetë një natë nuk do të jetë natën tjetër.
Një nga surprizat e këtij programi do të jenë edhe këngëtaret shtatzënë (Vikena Kamenica dhe Aurela Gaçe), apo jo? Përveç këtij fakti që dimë ne, do të na zbuloni edhe ju ndonjë tjetër?
(Qesh!) Realisht, unë si realizues i programit, si skenarist dhe producent artistik jam njohur me këtë fakt në momentin që këngëtaret kanë ardhur në zyrën tonë. Nuk është se kam pasur ndonjë ide, ose një ide të saktë që këto këngëtare janë shtatzënë. Madje, jam befasuar kur ka hyrë Aurela shtatzënë, sepse nuk dija se çfarë kishin shkruar edhe gazetat madje. E nuk e di, mbase gjatë rrugës do të ketë edhe ndonjë tjetër.
Zoti Laço, përveç këtij spektakli dhe emisionit “Histori me zhurmues”, po udhëtoni nëpër Shqipëri si anëtar i jurisë së X Factor Albania. Si arrini ta menaxhoni kohën tuaj, dhe ç’mund të na thoni për eksperiencën e këtij të fundit?
Tani përderisa bëjmë pjesë në familjen ‘Klan’, jemi të lidhur me projektet e televizionit ‘Klan’, kështu që normalisht do t’i shërbejmë këtyre programeve të televizionit. Përsa i përket emisionit “Histori me zhurmues”, unë i kam përgatitur dhe stafi me të cilin kam punuar po përgatit tashmë post produksionin e tyre dhe do të vazhdojë transmetimin (të paktën kështu është marrëveshja) deri në fund të dhjetorit, pastaj të shohim se çdo të ndodhë me këtë emision. Kështu që gjatë kësaj kohe po merrem vetëm me Këngët e Shekullit dhe X Factor Albania. Të dyja janë shumë impenjative, të dyja kanë karakteristikat e veta, janë programe që kanë vërtet ngarkesë, janë të lodhshme, por besoj do t’ia dalim ta menaxhojmë mirë kohën (qesh)!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s