Një komentues për Fishtën

Alfred Çapaliku

Atë ditë të mbrame të vitit 1940 Fishtës i pushoi zemra. Por, çuditërisht nuk iu shua zëri. Ai vazhdoi t’i jehonte komentuesit të poezisë së tij Volaj, i cili jetoi gjatë, gjer në fund të shekullit të njëzetë, atëherë kur spikatën fishtologët e rinj.

At Viktor Volaj O.F.M. u lind në fshatin Shirokë të Shkodrës më 6 dhjetor 1910 dhe vdiq në Shkodër më 5 nëntor 1995. Filloren e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në liceun françeskan të qytetit. Iu kushtua zotit në jetën rregulltare më 16 gusht 1929. Menjëherë ndoqi studimet me larta për teologji e filozofi në Universitetin e Romës e në atë të Pescias (Itali). Shugurimin si meshtar e mori më 1936. Një vit më vonë u emërua profesor i latinishtes në gjimnazin “Illyricum” të Shkodrës. Më 1941 botoi librin “Njohuni mbi kulturën klasike të rromakvet”. Në Shkodër qëndroi gjer në mbylljen e institucionit, më 1946. Në detyra fetare punoi te Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit si sekretar i Provincës dhe si definitor.

Kur ndjente pasiguri në komentet poetike, At Volaj e ndiqte Fishtën ku të gjendej dhe e pyeste për interpretime të tekstit e për kuptime të fjalëve. Ndjekja kishte filluar qysh më 1937, kur Volaj ndërmori komentimin e “Lahutës së Malësisë” me mbështetjen e autorit. Edhe vdekja e poetit ndodhi pikërisht kur Volaj, mes dimrit rendte në Troshan të takonte Fishtën duke shenjuar veças ato sende për të cilat do t’i nevojitej ndihma e tij. Por mjerisht, asaj here do të punonte vetëm.

Në janarin e 1941-it, në botimin e ri të “Mrizi të Zanave” ai ende vazhdon bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me Fishtën, nisur dy muaj para vdekjes, duke zbatuar po ato kritere drejtshkrimore të trembëdhjetë këngëve të para të “Lahutës…” Është fjala për zhdukjen e disa trajtave nëndialektore të Zadrimës “joshna” – “jena”, si dhe për shmangien e atyre të sinkopuara tek “Mrizi…”

Volaj prapë vijon bashkëpunimin aktiv me krijuesin për çdo gabim shtypi, mbasi mban nën jastëk kopjet e botimit të dytë dhe të tretë të “Mrizit…”, të cilat i kishte korrektuar varg pas vargu Poeti me dorën e tij.

Komentuesi kontakton sërish me At Gjergjin për tekste invariante, mbasi autori me skrupulozitet i kishte ruajtur të gjitha dorëshkrimet.

At Volaj bisedon normalisht me At Fishtën, përmes pyetjeve që i drejton kolegut të Poetit, At Pashko Bardhit (1870-1947) i cili zbërthen natyrshëm detaje të panjohura, mbasi veprat i kishte shoqëruar nga projekti në zbatim.

Krahas komentimit, ai e ristrukturoi vëllimin duke e lehtësuar e plotësuar. Në botimin e katërt të “Mrizit…” heq melodramat “Shqyptarja i qytetnueme” dhe vjershën “Nevoja e mësimit”. Si të reja mfut dy poezi: “A. Anton Zannonit S.J.”, “Athdheut” si dhe tri me motive fetare: “Gurrave të Jordanit”, “Meshtari i Malcis”, “Për paqe t’Europës”. Këtë veprim e quan përsosje të shprehësisë duke synuar harmoninë e formës.

“Në zgjedhjen e poezive të naltpërmenduna, posë të tjerash pata para sysh edhe metrin e ndryshem”.

Volaj e ka fjalën për strofat alkaike e safike, vargjet gjashtë e tetë rrokeshe, ritmet daktilike e jambike. Këtë veprim e quan edhe plotësim të thelbësores së librit duke ruajtur mozaikun e përmbajtjes.

“Nji gjykim kritik mbi hartin lirik të Fishtës, qi s’merr para sysh poezitë e tija me argument fetar, kishte me kenë jo vetëm i mangtë por fare i gabuem.”

Volaj e ka fjalën për opusin letrar të At Gjergj Fishtës sipas devizës Atme e Fe.

Meqë “Mrizi…” kryente dy funksione njëherësh, si libër artistik në qarkullim për lexuesit e çdo moshe dhe si tekst mësimor i detyrueshëm për nxënësit e shkollave, komenti u drejtohej të dy kategorive, por më tepër asaj rinore që ishte në formim e sipër.

Ndoshta komenti i ndonjë kënge do të jetë tepër i gjatë, dëshmon autori me modestinë tipike  të Urdhërit të Vëllezërve të Vegjël. Realisht komenti i Volajt më tepër se i gjatë mund të klasifikohet i gjerë. Hapësira mes vështrimit figurativ dhe kuptimit të natyrshëm të fjalës; mes përdorimit frazeologjik dhe përfytyrimit, idesë shllimit të Poetit; mes shprehjes origjinale të Fishtës dhe jehonës nga klasikët, zotërohet skaj më skaj nga Volaj jo me metodë arkaike komenti, por me pasaportë ontologjike leximi mbasi “kritika nuk bahet ma sot me gershanët e rhetorikës së herëshme: harti nuk është zog i ndrym në kafaz!…”

Botimi përfundimtar i “Mrizit…” shoqërohet me një rrjet të dendur argumentesh, që kap vlerat estetike-artistike të çdo poezie, si dhe me një sitë të hollë fusnotash, që kullon pasuritë leksikore semantike të çdo vargu. Sa për ilustrim, në faqen 150 “Nji lule vjeshtet” ka veç një varg të autorit dhe plot tridhjetë e pesë rreshta të komentuesit… e më tej raporti ndryshon në çdo fletë.

Shkrimtari Sterjo Spasse, që më 1942-shin punën e vyer të Volajt s’e pa si përpjekje të vetmuar, por si agregat të një sistemi tresh, ku “… bashkë me komentimet e Namik Ressulit veprës së De Radës “Milosaat” dhe të Zijaudin Kodrës veprës se Sqiroit “Minos” gatuan brumin fillestar për një kritikë të plotë letraro-artistike të veprave nga ndonjë pendë kritike e vërtetë”.

Erudicion i pafund në përballimin e çdo vërejtjeje e në sqarimin e çdo shënimi; aftësi e rrallë në analizën e çdo vjershe e bë zbërthimin e çdo strofe; gjithnjë me teknika të reja shpjegimi; shpesh me regjistra të ndryshëm qartësimi: ky është portreti I veçantë I Viktor Volajt që tek revista “Hylli i Dritës” përdorte pseudonimin VI-VO.

Edhe diktaturës moniste i qëndroi “dal vivo”.

Fra Viktor Volaj duke qenë njohës i thellë i gjuhës shqipe në vitin 1946 qe thirrur ne Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve për punë gjuhësore… Pas gjashtë muajve burg, nga 1949-a deri në 1954-ën u internua në Tepelenë, Lundërz dhe Kamëz. Pastaj shërbeu si famullitar në Tiranë dhe Bizë (1954-1967). I provuar ashpërsisht nga persekutimi komunist, kaloi vitin e fundit të jetës ë tij duke pushuar në Kuvendin e Shën Françeskut.

Në fakt edhe në vitin e tetëdhjetë e pestë Volaj nuk pushoi. Ai qe konsulent aktiv i studiuesve të rinj të plejadës së françeskanëve të mëdhenj. Ndërsa kritikëve letrarë u kishte lënë qysh me 1941 një arketip të përsosur të punës me tekstin tek “Mrizi…” e një shembull të përafërt ndriçues tek përmbledhja tjetër poetike e po atij viti “Vallja e Parrizit”. Në vitet e para të demokracisë studiuesi Viktor Volaj u rishfaq si figurë e gjallë e letrave shqipe, me emblemën e dikurshme, të artikujve etnografikë, kritikë e letrarë.

I pari që e portretizoi qe At Vinçenc Malaj, me 1990, në San Françisko, si autor “i njohur për trajtim bashkëkohor të shkrimeve të tij”.

I dyti që e profilizoi qe At Zef Pllumi, me 1993, në Tiranë, si bashkëpunëtor i vjetër i “Hyllit të Dritës”, i mbijetuar.

I treti që e përcaktoi qe Isak Ahmeti, me 1994, në Ferizaj, si “Komentues i vlershëm i veprave “Mrizi i Zanave” dhe “Vallja e Parrizit”.

Qenia gjallë gjatë gjithë diktaturës e komentuesit elegant dhe e studiuesit të thellë fishtjan, tek shqiptarët, mbante në gjendje të pandalshme e të pavdekshme edhe veprën e Fishtës. Për këtë mbijetesë të dyfishtë i kemi një borxh fra Viktor Volajt. Vështirë ta llogarisësh, ndaj thirrjet në ndihmë për kualifikimin metafizik një tjetër i pavdekshëm, At Gjon Shllaku, i cili nga “Hylli…” i tij perifrazon: “Shka u ka detyrë Shqypnija Françiskanvet? Kurrgja. Pse Françiskant janë të Shqypnis”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s