Agi Bojaxhi: Halla ime, Nënë Tereza

“Punonte shumë, pa u shqetësuar për kotësira e gjëra të parëndësishme. Humbja e saj na ka lënë një boshllëk të madh. Që nga 6 shtatori 1997 kam humbur një pikë referimi shumë të rëndësishme”. Kështu shprehet Agi Bojaxhi, vajza e vëllait të Nënë Terezës. Si e njohu ajo hallën e saj dhe letra që shenjtorja u kishte dërguar familjarëve

Çdo 19 tetor gjithë shqiptarët kujtojnë atë grua të vogël, që do të bëhej krenaria e tyre në botë. Nëse ka ndonjë gjë që shqiptarët mund ta përmendin pa iu dridhur qerpiku, është se janë bashkëkombës të Nënë

Agi Bojaxhi me fotografinë e hallës së saj, Nënë Terezës

Terezës. Tirana zyrtare e kujtoi me një koncert e ndonjë dokumentar, ndërsa ajo ia shpërblen 100-fish nderin, thjesht dhe vetëm sepse ishte shqiptare. Në përkujtim të lumturimit të saj, gazeta “Bota shqiptare” riboton një intervistë me Agi Bojaxhiun, mbesën e Nënë Terezës, banuese në Palermo, marrë ditën e Lumturimit të saj. Gazeta e shqiptarëve të Italisë boton edhe copëza letrash që Nënë Tereza u dërgonte familjarëve të saj, ku i tregonte për punën e saj, dashurinë, urrejtjen, lutjen… Mes mijëra besimtarëve, që përjetuan ditën emocionuese të lumturimit të Nënë Terezës, ishte dhe Agi Bojaxhiu, mbesa e vetme e saj, vajza e vëllait Llazar. Është e martuar, ka dy fëmijë dhe jeton në Palermo.
Si e përjetuat lumturimin e Nënë Terezës?
Me spiritualitet dhe respekt të thellë ndaj këtij momenti fetar shumë domethënës. Por zhurma e gazetave në këto ditë sikur më ka larguar pak nga lutja.
Çfarë marrëdhëniesh keni pasur me hallën tuaj?
Shumë njerëz habiten, por unë i jam drejtuar gjithnjë me emrin “Nënë”. Nuk më bëhej ta thërrisja ndryshe. Mes nesh ka

Nënë Tereza në fëmijëri

pasur gjithnjë shumë dashuri. Shiheshim pak, por e gënjenim largësinë me telefonata të shpeshta dhe letra të gjata. Takimi ynë i përvitshëm ishte në maj, në Romë, kur Nënë Tereza shkonte në shtëpinë e saj, dhe në Palermo.
A ka ndonjë frazë që i pëlqente ta përsëriste?
Më porosiste të lutesha gjithnjë për të mbajtur të bashkuar familjen, vlerë të cilën e kishte më për zemër. Të lexoja lutjet së bashku me familjen, ashtu siç bënte ajo me nënën dhe vëllezërit në vitet e vështira të fëmijërisë në Shkup. Si shenjë e ngrohtësisë dhe e lidhjes brenda familjes.
Si ishte nga afër Nënë Tereza?
E fortë dhe me kurajë, kokulur dhe e thjeshtë, e rreptë më shumë me veten se me të tjerët. U kushtoi gjithë jetën të tjerëve. Ka jetuar me një thjeshtësi të skajshme, por me një gëzim të brendshëm për t’u admiruar. E kam takuar për herë të parë në 1966-n në Romë. Im atë, Llazari, nuk e shihte prej 38 vjetësh. Ishte tejet emocionuese. Rrethana të ndryshme, e mbi të gjitha qëndrimi i saj i gjatë në Indi, për vite të tëra i kishin penguar të takoheshin. Çka më bëri më shumë përshtypje, ishin sytë e saj të gjallë e të zgjuar, që pasqyronin një njeri të ndryshëm nga të tjerët. Ndonjëherë qëndronim në heshtje duke u lutur: prania e saj më bënte të ndihesha më mirë.
Cilat janë objektet që ju ka lënë?
Disa rruzare plastike, medaljone me figurën e Shën Mërisë dhe një shishe xhami me ujë të bekuar, me të cilën “Nëna” ka bekuar shtëpinë time. Ky është objekti më i dashur për mua: më shoqëron kudo. Kam vënë re që ndër vite ky ujë ka mbetur gjithnjë i kthjellët…
Për ç’arsye motra shqiptare e Kalkutës është dashur në të gjithë botën?
Sepse ishte një grua që çmonte më shumë veprat se fjalët. Punonte shumë, pa u shqetësuar për kotësira e gjëra të parëndësishme. Humbja e saj na ka lënë një boshllëk të madh. Që nga 6 shtatori 1997 kam humbur një pikë referimi shumë të rëndësishme.

Letra familjarëve
“E kam shtëpinë time të re” i shkruan nënës më 1950 “dhe është shtëpia e të varfërve: jo e të varfërve, por e atyre më të varfër ndër të varfrit; e atyre të cilëve njerëzit nuk duan t’u aviten nga frika e ngjitjes së sëmundjeve dhe erës së zhulit, ngaqë janë të mbuluar me mikrobe dhe insekte; e atyre që nuk shkojnë të luten, pasi nuk mund të dalin nga shtëpia të zhveshur; që nuk hanë, mbasi nuk kanë më forcë të hanë, që rrëzohen rrugëve, edhe pse e dinë se po vdesin, dhe përbri të cilëve të gjallët ecin pa u kushtuar vëmendje: e atyre që nuk qajnë më, se nuk kanë më lot”.

“Pa vuajtje puna jonë do të ishte një veprimtari shoqërore, një veprimtari shumë e mirë dhe e dobishme, po nuk do të ishte punë e Krishtit. Ne duhet të shëlbojmë jo vetëm varfërinë materiale, por edhe mjerimin shpirtëror. Dhe duhet ta marrim parasysh, sepse vetëm duke u bashkuar fort me të varfrit mund t’i shëlbojmë, duke futur Zotin në jetën e tyre, duke i bartur e çuar ndaj Zotit…”.

“Dashuria është arma jonë: dashuri për të gërbulurit, për pleqtë, për ata në prag të vdekjes, për të paralizuarit: për ata që nuk kanë asgjë dhe që nuk duhen nga asnjeri…”.
“Krishti nuk do të na pyesë çfarë kemi bërë, por me sa dashuri i kemi bërë veprimet tona…”

“Ka barna dhe mjekime për çfarëdolloj sëmundje. Por nuk ka duar të mira që t’u shërbejnë dhe zemra bujare që të dashurojnë dhe nuk besoj se do të mund të mjekohet ndonjëherë sëmundja e tmerrshme e të mos ndjerit të dashur nga dikush…”

“Sot më duket se të gjithë kemi rënë pre e një furie të tmerrshme, stërmundohen për të arritur synime gjithnjë e më të larta dhe për të grumbulluar pasuri gjithnjë e më të mëdha e gjëra të tjera. Fëmijët kanë pak kohë t’u kushtojnë prindërve dhe prindërit kanë pak kohë t’i kushtojnë njëri-tjetrit me pasojë që në familje zhduket gëzimi për të jetuar…”

“Në botë ka shumë urrejtje, shumë luftëra. Nuk do t’ia dalim dot t’i mposhtim urrejtjen dhe luftërat me pushkë dhe as me bomba, dhe as me ndonjë tjetër armë që shkakton plagë: do t’ia dalim mbanë vetëm me vepra dashurie, gëzimi, paqeje, vëllazërimi”.
“Herët e para kur më jepnin çmime, mbeta shumë e habitur. Nuk dija t’i pranoja apo jo. Por mbërrita në përfundimin se duhet t’i pranoja çmimet në emër të më të varfërve të të varfërve, si nderim ndaj të varfërve”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s