Redon Makashi: Drejt martesës po shkoj me hapa të ngadaltë, por të sigurt

Nuk ishte një dalldi momenti, por një këngë e frymëzuar nga dashuria që të lë pa gjumë. Ai shquhet për balada si kjo e fundit në “Kënga magjike”, por konkurrimit në një festival i kthehet pas shumë vitesh. Si një nga muzikantët e vërtetë të viteve ’90-të, ku silleshin ndjenja të holla në nota dhe protestë e vërtetë në vargje, Redon Makashi ka vendosur të rikthehet fuqishëm në treg. Ka risjellë në skenë pas 17 vitesh grupin ARB, dhe pas një periudhe tërheqjeje nga tregu i muzikës, ai vendos të shfaqet me shumë klipe, me një album të titulluar “Bota ime”. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, kantautori zbulon të fshehtat e jetës së tij, të sjellë në 11 këngët e albumit të ri, ku trishtimi për eklipsimin e muzikës së vërtetë, dashurinë dhe nostalgjinë për Tiranën e dikurshme vijnë në një ditar muzikor.

Redon, rikthen grupin ARB në skenë, pse kjo rimbledhje e grupit që u shpërbë në vitin 1994?

Në fakt, nga pjesëtarët e grupit “Arb” mungonte Genti, kitaristi i grupit, të cilin do doja shumë ta kisha pranë në këtë dalje të re artistike së bashku, por ai nuk mundi të bëhej pjesë, pasi kishte detyrimet e tij. Për sa i përket pyetjes se cila ishte arsyeja që më shtyu ta rimbledh grupin ARB, do të thosha që nuk ka qenë një dëshirë e momentit. U bë kohë që doja t’i kisha pranë në daljet e mia në skenë, por dihet është sakrificë e madhe t’i bësh bashkë sërish, aq më tepër që nuk jemi më ata djemtë 20-vjeçarë që rendnim pas pasionit. Instrumentistët janë të gjithë të ikur, madje dhe jashtë, si bateristi që erdhi nga Anglia, ndërsa kitaristi është një djalë nga Struga.

A ishte ky një ritakim simbolik dhe do mund të përsëritet? Sa e mundur është të rivazhdoni si grupi “Arb” ?

Në fakt, është e vështirë, aq më tepër që jeta i ka ndryshuar njerëzit, nuk jemi më ata djemtë e rinj të dikurshëm, tashmë kemi botëkuptime të ndryshme. Rrjedha e jetës ka ndryshuar për disa e shumë prej tyre kanë krijuar familje. Do të jetë e vështirë të qëndrojmë të bashkuar, por le të shohim.

Ndërkohë i këndon gjithmonë dashurisë, edhe këtë herë me baladën «Më lër të fle». Shpesh je komentuar si artisti i vuajtjes në dashuri, të ka ndodhur dhe në jetë kështu?

Në baladën «Më lër të fle», dashuria është një ndjenjë e pakapshme. Madje, edhe videoklipin kam menduar ta realizoj me një hije në vend të femrës, që nuk kapet asnjëherë, pra që është gjithmonë ajër. Vargjet e këngës flasin për një femër, që nuk e lë asnjëherë të qetë këtë njeri të marrë frymë, aq sa i shfaqet dhe në gjumë.

Është një këngë vjeshte, e momentit, apo një krijim që je marrë gjatë?

Keni të drejtë kur thoni këngë vjeshte, pasi në përgjithësi për mua fundi i muajit gusht është një periudhë kur ndihem i frymëzuar, për të shkruar në fillim vjeshte. Por kjo këngë nuk është një krijim i momentit, pasi kam që në pranverë që punoj për të, bashkë me Gent Myftarajn.

Thua që dashuria perceptohet si një hije, është ky një konkluzion artistik apo nga jeta jote reale?

(Qesh) Është një konkluzion artistik, pasi në jetën e vërtetë dashuria është një ndjenjë më e kapshme, më reale.

Të flasim pak më konkretisht, cila është dashuria jote e vërtetë, e madhe?

Ndoshta po flas me egoizëm, por është muzika ajo që më shoqëron. Është ajo që jam dashuruar shumë, dhe brenda saj janë të gjitha, femrat dhe dashuria.

Për disa artistë, martesa është hap që s’bën për ta, po ti e ke në planet e tua?

Unë do martohem një ditë patjetër. Por mendoj se për të mbërritur atje, më duhet të bëj hapa të ngadaltë, por të sigurt. Asgjë konkrete s’mund të them tani, pasi do shprehem vetëm në momentin që do t’i bëj publike gjërat. Dhe këtë e bëj jo pa qëllim, por pasi kam dëshirë t’i hedh hapat ashtu si duhet, që pas një martese të mos ketë ndarje.

Por shpesh je diskutuar për lidhjet e tua, cili je ti jashtë muzikës?

E di që qarkullojnë opinione të ndryshme, qarkullojnë zëra sa të vërtetë, aq edhe të pavërtetë. Deri tani kam qenë pak i tërhequr në botën time e, meqë ra fjala, kështu e kam titulluar dhe albumin tim të ri, pikërisht «Bota ime».

Pse “Bota ime”, sa të vërteta nga jeta jote gjen në këngët e tij?

“Bota ime” është për faktin se shumë vite kam bërë tërheqje në muzikë, pasi nuk e gjeja veten në këtë treg. I gjendur shpesh i stopuar në këtë mish-mash të tregut muzikor, herë pas here ndihesha i përjashtuar. Ndaj, mendova si fillim festivalin «Kënga Magjike», si një trampolinë apo një vend ku do parkoj si fillim, për të rinisur prapë me muzikën.

Si një artist me emër, i rikthehesh pas tetë vitesh konkurrimit. Çfarë ndjesie është kjo?

Normal që në konkurrim përballesh me vlerësime nga më të ndryshmet, dhe kjo të bën ta mendosh disa herë pjesëmarrjen në një garë, sidomos kur hyn në konkurrim me një background të gjatë. Konkurrimi është shumë emocionues për këdo dhe unë personalisht më të lehtë e kam të jap një koncert recital. Por mendova që këtë vit të dal fuqishëm në treg dhe t’ia nis kështu që të mos thonë Redoni po fle gjumë. Përkundrazi, gjithmonë kam punuar dhe puna ime do të dëgjohet me daljen e disa klipeve dhe albumit.

Një këngë pa dashuri, cila mund të ishte?

Është një klip tjetër, që i kushtohet dashurisë, por jo për femrën, për qytetin e Tiranës. Është një protestë për ndryshimet e mëdha në qytetin tim, sa tani ndihem unë i huaj. Jam ndier keq, që s’janë më shtëpitë e vjetra dhe miqtë e dikurshëm. Ndaj kam menduar që me rok klasik të sjell një protestë të brezit tim, që ndien nostalgji për Tiranën e dikurshme.

KLOTILDA HARKA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s