Miratohet paketa “Basha”, ja taksat dhe rrugët e reja

Mbledhja e Këshillit Bashkiak

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje me 29 vota pro, 11 projektvendime, mes të cilave edhe 5 propozime direkte të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ai që prek direkt qytetarët ka të bëjë me heqjen dhe uljen e 60 taksave dhe tarifave vendore. Po kështu, një tjetër vendim që kaloi dje ka të bëjë me ndryshimin e strukturës organike të Bashkisë. Kaloi edhe vendimi për hapjen e tenderit për projektin teknik për segmentin e Unazës së Madhe nga Shkolla Teknologjike te qendra “Kristal” dhe kalimin në dy nivele të rreth-rrotullimit të Doganës së Tiranës. Po kështu, u miratua dhënia e titullit “Qytetar Nderi” për Kryeministrin e Kuvajtit, Emirin e Katarit dhe për aktoren shqiptaro-amerikane, Eliza Dushku. Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin për kalimin e Futboll Klub “Tirana” në shoqëri aksionere. Kryetari Basha kërkoi që opozita të bëhet pjesë e këtyre reformave dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim. Më tej, kryebashkiaku analizoi në mënyrë të detajuar vendimet që ai propozoi për miratim në Këshill. Basha shpjegoi arsyet përse bëhen këto ndryshime dhe efektet që ato sjellin në të mirë të qytetit dhe në të mirë të qytetarëve”. Do të veçoja pikë së pari atë për heqjen e taksave dhe tarifave vendore, që ka si qëllim bërjen e qytetit tonë sa më konkurrues, sa më miqësor për biznesin dhe për qytetarët e tij. Eliminimi i 60 taksave e tarifave vendore, në praktikë jo vetëm lehtëson marrëdhënien mes Bashkisë dhe qytetarëve, Bashkisë dhe biznesit, por jep edhe sinjal shumë pozitiv për klimën që duam të krijojmë në këtë qytet, klimë miqësore ndaj biznesit, një Tiranë të hapur për biznesin”, tha Basha. Ai shtoi se 60 taksa e tarifa të reduktuara janë hapi i parë i një reforme gjithëpërfshirëse. Në rendin e ditës, me procedurë të përshpejtuar, u miratua hapja e tenderit për projektin teknik të një segmenti të Unazës së Madhe, nga Shkolla Teknologjike te qendra “Kristal”, do të lidhet aty  me pjesën e Unazës së Madhe, që është në ndërtim e sipër dhe projektimin në disnivel të dy kryqëzimeve, përkatësisht në Rrugën e Kavajës dhe atë të Durrësit . Sipas kryebashkiakut, investimi në këtë pjesë të Unazës së Madhe do të sjellë një përmirësim të jashtëzakonshëm të situatës së rënduar të trafikut në Tiranë me të cilat ndeshemi në jetën e përditshme. “Tani ka ardhur koha t’i lëmë fjalët, t’i lëmë betejat politike që kanë mbajtur për kaq kohë peng projekte të mëdha zhvillimi të Tiranës, ndërkohë që bashki e komuna rreth nesh, në zona më të izoluara, kanë gëzuar frytet e bashkëpunimi mes pushtetit qendror e vendor. Detyra jonë nuk është t’i zëmë sytë njëri-tjetrit me ngjyrat e fanellave përkatëse, por të veshim vetëm një fanellë, atë të interesit të qytetarëve të Tiranës”, tha Basha. Pjesë e këtij projektimi, sipas termave të referencës, do të jetë edhe rreth-rrotullimi i Doganës, një zgjidhje afatgjatë, nëpërmjet propozimit të kalimit me dy nivele në këtë rreth-rrotullim. “Rishikimi i projektit të vjetër, që ekziston për këtë projekt dhe projektimi i plotë në kushtet aktuale të trafikut dhe në projeksionet e rritjes së trafikut, do të jenë specifikat kryesore të këtij tenderi”, tha Basha.

Miratohet struktura e re e Bashkisë
Basha shpjegoi dje në mbledhjen e Këshillit edhe eficiencën që do të sjellë struktura e re e Bashkisë, ku pritet të ngrihen 6 drejtori dhe dy zyra për mbrojtjen e grupeve vulnerabel. Vendimin për ngritjen e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, kryebashkiaku Lulzim Basha e ka cilësuar tepër të rëndësishëm. “Kjo strukturë ka një detyrë shumë të rëndësishme, mbrojtjen e interesave të konsumatorit të Tiranës nëpërmjet investigimit, hulumtimit, ballafaqimit dhe penalizimit të atyre, që duke shkelur rregullat e tregut të lirë manipulojnë, spekulojnë me cilësinë, çmimet, me reklamimin e rremë, duke imponuar një kosto ndaj qytetarëve të Tiranës dhe konsumatorëve në tërësi”, tha Basha.

Vendimet e miratuara
.    Konstituimi i dy anëtarëve të rinj të Këshillit Bashkiak, z. Bojken Laku, subjekti i PD, znj. Blerina Kazaferi, subjekt i LSI.

.    P/vendim për një ndryshim të vendimit nr 6, datë 10.02.2004 “Për caktimin e numrit të komisioneve në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe emërtimin e tyre”.

.    P/vendim “Për disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr. 3, datë 5.02.2007 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”.

.    P/vendim “Mbi miratimin e strukturës dhe organikës së aparatit të Bashkisë së Tiranës”.

.    P/vendim për krijimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit.

.    P/vendim për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Tiranës Madhërisë së tij, Kryeministrit të Kuvajtit, Sheik Nasser Al-Mohammed Al-Ahmend Al-Jaber Al-Sabah.

.    P/vendim “Për transformimin në shoqëri aksionere të Klubit të Futbollit “Tirana”, aktin e themelimit dhe statusin e shoqërisë aksionere K. F. Tirana.

.    P/vendim për “Dhënien e titullit ‘Ambasadore e qytetit të Tiranës’ aktores së mirënjohur Eliza Dushku.
.    Zgjedhja e një anëtari në Këshillin e Qarkut të Tiranës.

.    P/vendim për hapjen e tenderit për segmentin e Unazës së Madhe nga Shkolla Teknologjike te qendra “Kristal”.

.    P/vendim për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për Madhërinë e Tij, Emirit të Katarit.

Kontributet, jepen 3 tituj nderi
Tri vendime për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Tiranës për 3 miq të qytetit, siç i quajti kryebashkiaku Basha. Sipas tij, ata kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë, në mënyra e forma të ndryshme nga njëri-tjetri. “Bëhet fjalë për Lartësinë e tij, Kryeministrin e Kuvajtit. Në këtë kuadër, propozoj edhe dhënien e titullit ‘Qytetar Nderi’ për Madhërinë e Tij, Emirit të Katarit.  Gjithashtu propozoj krijimin e një titulli, sipas praktikave më të mira në botë, atë të ‘Ambasadorëve të Vullnetit të Mirë’, duke i akorduar titullin ‘Ambasadore Nderi’ e qytetit të Tiranës, aktores së mirënjohur shqiptaro-amerikane, Eliza Dushku”, tha Basha. Gjithashtu, u zgjodh Viron Bezhani anëtari i ri i Këshillit të Qarkut.

Prishet shtëpia e aktorit
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës  prishi banesën e aktorit Lulzim Zeqja. Urdhri ishte dërguar pak ditë më parë, ndërkohë që nuk munguan konfliktimet mes pronarit, banorëve të lagjes dhe Policisë Bashkiake. Këta të fundit e cilësuar si të padrejtë prishjen. Madje nuk mungonin edhe alibitë për veprim të qëllimshëm të iniciuar për qëllime përfitim të truallit. Vila dykatëshe në rrugën “Qemal Stafa”, sipas pronarëve të saj, është me dokumentacionin përkatës, pasi gati një vit e gjysmë më parë kjo shtëpi ishte djegur dhe pronarët e saj kanë ndërhyrë për ta rikonstruktuar. Inspektorati Ndërtimor ndërhyri fillimisht në objekt në orët e pasdites të së martës, për ta vijuar më pas aksionin gjatë natës.

ZIRINA LLAMBRO

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s