Mehmeti takoi Kadarenë ditën e agonisë së Enverit

Libri i Ngjelës, “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, 1957-2010
Diktatori në komë kardiake, bashkëpunëtorët e tij në garë të fshehtë për t’i zënë vendin. Komploti që përflitej në Tiranë

Enver Hoxha e kaloi infarktin e miokardit dhe aty nga muaji mars u kthye në punë. Doli edhe për të votuar për zgjedhjet administrative që u kryen aty nga fundi i muajit shkurt i vitit 1974. Kishte edhe një shoqërues me vete, ish-gjeneralin e luftës, Shefqet Peçi. Që të dy bashkë po votonin në një votim enigmë, i cili nuk dihej se çfarë do të sillte më pas: vdekjen e Enver Hoxhës apo ringjalljen e tij për të ndërmarrë vdekjen e atyre që ia kishin pritur vdekjen. Ky votim enigmë u bë në shtëpinë e tij, afër Pallatit të Brigadave, atje ku në fakt i kishte rënë edhe infarkti. Por ndërkohë dukej se e kishte kaluar rrezikun. Megjithatë, ai u ngrit shumë i trembur nga sëmundja. Në fakt e kishte parë vdekjen shumë afër dhe tani nuk kishte se si të mos mendonte për të. Për këtë mendonin gjithashtu, edhe të gjithë pjesëtarët e familjes. Ata ranë në një si gjendje hutimi. Por, sëmundja e tij u bë gjithashtu një shqetësim permanent për të gjithë “Rrethin e Parë”. Vetëm Mehmet Shehu sikur nuk shqetësohej fare për këtë çështje, sepse, siç duket, ndihej i fortë dhe në një shpresë të brendshme se po i vinte shumë shpejt radha e të qënit i pari në këtë vend. Shehu ndërkohë shihej që ishte bërë më tolerant dhe ishte shumë kërkues në lidhje me ata që donte të kishte pranë. I pari që na tha një bisedë shumë intriguese për të  ishte Ismail Kadare. Shehu i kishte kërkuar takim Kadaresë  në një kohë që dihej se marrëdhëniet e tyre nuk kishin qenë fort të mira. Dukej sikur Kadareja ishte beniamin i Enver Hoxhës dhe ndërkohë e kishte shkruar edhe romanin e tij për të “Dimri i vetmisë së madhe”. Shehu gjithmonë i kishte qëndruar ftohtë, por ja që tani, pas sëmundjes së Hoxhës, ata duhej të takoheshin, dhe u takuan në zyrën kryeministrore. Ismaili kishte dalë shumë entuziast nga ai takim. Por ajo që na habiti të gjithëve ne që e dëgjuam, ishte biseda që të dy kishin bërë për Enver Hoxhën. Kadareja i tha Agim Myftiut se Shehu ishte sjellë shumë miqësor me të dhe, midis të tjerave, teksa kishte rënë biseda për Hoxhën, kryeministri shqiptar  kishte shtuar me një pamje shumë serioze: “Pse, ai që ke përshkruar ti në romanin tënd është

ENVER HOXHA GJATE NJE VIZITE ME GRUPIN E MJEKEVE SHQIPTARE DHE TE HUAJ

Enver Hoxha! Ai ka bërë shumë gabime”. Kadareja kishte ngrirë, por që nga ky moment, ata të dy u bënë bashkëpunëtorë dhe kuptohej se që të dy ishin në pritje. Shehu, që dy ditë pas këtij takimi, u shpreh se “Ismail Kadare është shkrimtari më i madh i realizmit socialist në botë”, kurse Kadareja ngrinte në biseda faktin që Shehu ishte një burrë shteti që dinte perfekt pesë gjuhë të huaja dhe përdorte shumë superlativa për karakterin e tij, e sidomos për atë fakt të njohur që Shehu adhuronte nivelin e lartë intelektual te bashkëpunëtorët dhe në përgjithësi, në gjykimin e tij për njerëzit. Megjithatë, muajt e parë të vitit 1974 po kalonin si në një heshtje që nuk dihej se çfarë do të lindte. Hoxha nuk dilte fare në pah e në skenë dhe gjithkush ishte i tulatur e nuk  dinte se çfarë do të ndodhte. Por, ashtu sikurse u paraqitën ngjarjet më vonë,  kuptohet se Hoxha kishte qenë në dilemën se çfarë duhet të bënte. Sigurisht që ai merrej me të dhënat e servirura nga Sigurimi i Shtetit dhe rrjeti i tij agjenturor. Nga këto burime ai kishte informacion se gjatë komës së tij kardiake, midis grupeve te Katërshes kishte pasur vigjilencë dhe përçapje për forcë. Po, gjithsesi, ajo që i ishte dukur më acaruese kishte qenë fakti se në këtë kohë që ai ishte në shtratin e vdekjes, kishte spikatur si shumë i ashpër konflikti midis Beqir Ballukut, ministër i Mbrojtjes dhe Petrit Dumes, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Në realitet, këta të dy ishin dhe kishin qëndruar në konfliktin e tyre  për arsyet që i kemi shprehur, sepse që të dy u takonin grupimeve të ndryshme që balanconin Katërshen. Si pasoje e kësaj, në çastet e infarktit të Hoxhes, madje kur menduan se ai nuk kishte me shpresë që të ngrihej, rezultonte se të dy këta kishin përgjuar njeri-tjetrin në lidhje me ushtrinë. Por, nga gjithkush dihej si e vërtetë që, shtatëdhjetë për qind e gjeneralëve dhe e shefave të lartë të ushtrisë ishin njerëz të Shehut dhe Dumes. Një shpërndarje e tillë nuk kishte sesi të mos e shqetësonte Ballukun. Nga balanca e forcave në raport me ushtrinë, dihej se Shehu ishte më i fortë, por Balluku siç duket kishte filluar të vepronte. Kjo, sigurisht që e shqetësonte Hoxhën, i cili e kuptonte mirë që ky konflikt nuk ishte në interes të tij, në një kohë që e kuptonte gjithashtu që Shehu ishte forcuar shumë.
Sëmundja e deprimonte Hoxhën dhe, siç e tregoi e ardhmja e afërt, e kishte disekuilibruar edhe mendërisht. Krerët absolutë të komunizmit, të gjithë pa përjashtim, kanë qenë të trembur për pushtetin e tyre, sepse asnjëherë nuk kishin pasur siguri se çfarë mund të gatuanin bashkëpunëtorët. U ruheshin gjithmonë komploteve, se të gjithë kishin qenë vetë komplotistë, dhe një i tillë sigurisht që ka qenë edhe Enver Hoxha. Duke u nisur nga të dhënat që kishte marrë Hoxha me butësinë e një babai, aty nga mesi i qershorit, u kishte thënë Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut që në emër të tij të thërrisnin Beqir Ballukun dhe Petrit Dumen e t’u kërkonin atyre “t’i linin grindjet me njëri-tjetrin”. Siç u pa më vonë, Hoxha kishte ditur diçka më shumë për grindjen e këtyre të dyve dhe prandaj kuptohet që i duhej një rrugë shmangëse për ta mbyllur konfliktin me anë të Shehut e Kapos, të cilët realisht ishin krerët e atyre që po grindeshin.
Prandaj, Hoxha dukej sikur u kishte thënë: “Shkoni ju dhe shuajeni konfliktin të afërmve tuaj”. Në të vërtetë, Hoxha e kishte menduar mirë e jo pa djallëzi këtë fakt, sepse ai nuk donte që në atë situatë,  kur nuk po dilte dot as në punë, të kishte konflikte në Katërshen. Ai donte që të rivendosej sërish ekuilibri që kishte qenë dhe t’i vihej kapak një çështjeje shumë delikate për ekuilibrat e brendshëm politikë. Hoxha donte të tregonte se ndër të tre anëtarët e Katërshes nuk kishte asnjë preferencë. Dhe kështu ndodhi. Aty nga fundi i qershorit të atij viti, Shehu dhe Kapoja  i thirrën që të dy ata, Ballukun dhe Dumen, dhe u kërkuan që t’i linin mosmarrëveshjet. U tha atëherë që kjo mbledhje kishte qenë informate dhe u zhvillua në zyrat e kryeministrit Shehu. Nga burime të brendshme të Ministrisë së Mbrojtjes, më vonë morëm vesh se Balluku e kishte marrë me njëfarë droje këtë mbledhje, dhe atë mëngjes, para se të shkonin në takim, kishte biseduar me Dumen në zyrën e tij. Balluku kishte dashur t’i ulte tonet, por Dumja nuk kishte pranuar. Madje, siç pohonte shefi i kabinetit të Ballukut, Dumja kishte dalë nga takimi shumë i revoltuar. Siç duket, Balluku, i cili në fakt ishte shumë më i mprehte si politikan sesa Dumja,e dinte se mund të ndodhej përballë me ndonjë aksident të papritur. Atij nuk i kishte pëlqyer që këtë takim e drejtonin ata të dy, sepse nuk ishte në dijeni se në çfarë marrëdhëniesh kishin qenë Shehu e Kapoja gjatë infarktit të Enver Hoxhës. Dhe këtu ka pasur të drejtë, sepse e gjithë vëmendja e tij kundrejt Dumes në ato muaj të infarktit të Enver Hoxhës, kishte qenë në fakt vëmendje kundrejt Shehut. Gjithkush e mendonte atëherë se nëse vdiste Enver Hoxha, pasardhësin e tij do ta zgjidhte pa dyshim ushtria. Por ne nuk e dimë nëse në ato ditë Balluku luante për vete apo për Hysni Kapon. Por, sido që të ishte, ai nuk e kishte fuqinë që me anë të ushtrisë të eliminonte Shehun nga suksesioni. Në fakt, lëvizjet kishin ndodhur, Hoxha i kishte marrë vesh ato dhe tani ai donte paqe, se ende ishte i paqartë se çfarë  duhej të bënte. Ndërkohë, në Pekin, Çian Çini, gruaja e Maos dhe Katërshja e saj dukej se po forcoheshin dhe realisht ishin forcuar. Hoxha këtë gjë e ndiqte me shumë vëmendje, njëlloj sikurse kishte ndjekur në vitet 1955-1957 ecurinë e fatit politik të Molotovit e të gardës staliniane në Moske. Ai kishte më shumë se një vit që në Pekin si ambasador kishte dërguar një nga njerëzit më të vjetër e më të aftë të diplomacisë së atëhershme shqiptare, ish-ministrin e Jashtëm për shumë vjet, Behar Shtyllën. Dhe Behari e vinte në dijeni rregullisht për çdo gjë. Im atë dhe Behar Shtylla vijimisht kishin pasur marrëdhënie shumë të mira, deri në fund, në një kohë që vetë Kiçoja ishte një vizitues i rregullt i Pekinit. Behari dhe të dhënat e tjera anësore i kishin dërguar lajmin Hoxhës se Katërshja kineze kishte marrë në dorë të gjithë propagandën në Pekin. Sipas Kiços dhe të tjerëve, Hoxha ishte qetësuar, por kjo i dukej pak. “Çfarë do të bëjnë me propagandën?”, pati pyetur atëherë ai me një farë marazi, duke lënë të kuptuar se e rëndësishme është se kush i ka tanket dhe jo propagandën, në një kohë kur Ten Hsiao Pini ishte bërë edhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, edhe zëvendëskryetar i Komisionit Ushtarak. Kurse ministër i Mbrojtjes ishte vendosur ndërkohë Jeh  Çen Jih, ish-marshalli i grupit të marshallëve që shkruan memorien për ndërrimin e politikës së Maos drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Në muajin tetor, 1973, Kiçoja kishte qenë në Pekin për të biseduar në lidhje me çështjen e grurit. Hoxha ia kishte kërkuar si favor, sepse në kontratën e fundit që kishin firmosur si marrëveshje para një viti, nuk ishte futur sasia prej 100 mijë tonësh grurë që Kina ia lëvronte si kredi Shqipërisë për çdo vit. Kiçoja në fakt nuk kishte qenë dakord, por Spiro Koleka kishte ngulur këmbë që të hiqej se do ta prodhonin të gjithë grurin në Shqipëri. Por, asgjë nuk ishte bërë dhe tani duhej ndrequr kontrata, sepse në Shqipëri rrezikonte që të vendosej buka e misrit si e përditshme edhe në disa rrethe të mesme e të vogla të vendit. Kiçoja shkoi në Pekin që nga fundi i muajit shtator, por Li Sih Nieni, atëherë zëvendëskryeministër në hije, por shumë i afërt me Çu En Lain dhe Ten Hsiao Pinin, i kishte thënë Kiços në konfidencë se Çu En Lai nuk bënte asnjë lëshim në lidhje me grurin, sepse “nuk ishte dakord që të prekte kontratën e firmosur”. Kurse Hoxha i pat thënë para se ta niste: “Shko Kiço, se e kemi emergjencë. Viti që vjen është viti i tridhjetëvjetorit të çlirimit dhe ne jemi në gjendje të vështirë”. Megjithëse Kiçoja kishte dhjetë ditë që ndodhej në Pekin, Çu En Lai nuk pranonte ta priste, sepse nuk kishte ndërmend që ta ndryshonte kontratën. Ndërkohë, politika e tyre drejtohej tërësisht nga Çu En Lai dhe Ten Hsiao Pini, që të dy njerëz që nuk e honepsnin dot Enver Hoxhën. Të dy dëshironin që në politikën e jashtme europiane të ndërtonin një trekëndësh komunist në Ballkan, të rreshtuar jashtë Moskes: Bukuresht, Beograd, Tiranë. Por, këtë trekëndësh, rezistonte dhe nuk po e pranonte Hoxha. Në këtë rast kuptohet se ata po i bënin presion vetë Hoxhës. Të njëjtën gjë i kishte thënë në ato ditë Kiços edhe ambasadori Shtylla, por edhe Li Sih Nieni. Madje, ky i fundit sa nuk ia kishte thënë hapur se me ardhjen e Ten Hsiao Pinit, Çu En Lai e ka ndërruar krejt qëndrimin kundrejt Hoxhës. Por Kiçoja më në fund i dërgoi një letër  Çu En Lait, ku i thoshte: “Unë nuk kam ardhur për majmëri këtu, sot është e hënë, të enjten unë largohem nga Kina për në Shqipëri”. Kjo e kishte tronditur Çunë dhe kishte pranuar që ta priste. Në bisedime, ai nuk pranonte që të ndërronte kontratën, por Kiçoja kishte qenë i përgatitur. “Nuk kam ardhur të kërkoj shtesë në kontratë”, i ka thënë ky që në krye të takimit:. “Atëherë”, ka thënë Çu En Lai, “më ofroni kërkesën”. Pastaj Kiçoja i ka propozuar kërkesën e tij, sipas së cilës duhej të bënin vetëm një këmbim të llojit të mallit në marrëveshje, pa i ndërruar vlerën kontratës. “Ne kemi një sasi orizi në kontratë, e cila ka vlerën e 100 mijë tonëve grurë, prandaj le të ndërrojmë orizin me grurin dhe gjithçka është në rregull”. Çu En Lai kishte qenë dakord, por me habi kishte pyetur: “Po orizin ku do ta gjeni, shoku Ngjela?” “Do ta marrë në Rumani”, i ishte përgjigjur Kiçoja i sigurt, “E kam biseduar në Bukuresht”. Çu En Lai ishte gëzuar shumë dhe menjëherë kishte urdhëruar që të bëhej këmbimi në marrëveshjën kino-shqiptare. “I shndërritën sytë”,  më tha Kiçoja, posa që ky i kishte përmendur Rumaninë. Kuptohet se ishte ajo politika e re e tij dhe e Tenit për trekëndëshin ballkanik, që sigurisht se mund të kishte edhe një shtysë amerikane brenda saj. Kur u kthye në Shqipëri, pasi me propozim të Ç En Lait, kishte vizituar Panairin Ndërkombëtar të Kantonit, Hoxha e priti mirë Kiçon. E kishte falënderuar, por edhe e kishte pyetur hollësisht se çfarë thoshte  Çuja dhe Li Sih Nieni. Kiçoja i shpjegoi atë që kishte konstatuar: një ftohje të tyre me Enver Hoxhën dhe një kërkesë që i kishin bërë këtij, si sugjerim, që të rriste volumin e tregtisë me Jugosllavinë dhe me Rumaninë. “Kjo ishte hera e tretë që ma sugjeron këtë  Çu En Lai”,  i tha Kiçoja Hoxhës, dhe ai sigurisht që e dinte. Por Hoxha nuk ia vari fare këtij fakti  se ishte i shqetësuar shumë për fatin e marrëveshjes për pesëvjeçarin, për të cilën Kiçoja e kishte siguruar që ajo do të vijonte me përpikmëri, pa saktësuar dhe pa shtuar asgjë mbi të. “Megjithatë”, i kishte shtuar Kiçoja Hoxhës në atë takim, “duhet menduar se marrëdhëniet ekonomike me Pekinin  nuk do të jenë më ashtu sikundër kanë qenë”. Por Hoxha kishte heshtur sërish pa e prishur fare mimiken, kishte ndenjur kështu për pak çaste e mandej kishte shtuar:” E di, por kjo është një çështje që do ta studiojmë më vonë. Tani kam dërguar Ballukun në Kine; ti e lë atë atje”. Dhe ashtu kishte qenë; gjatë muajit tetor Balluku ishte në Kinë, kurse, pas shtatë muajsh, ai po përballej me takimin më të vështirë që kishte pasur ndonjëherë në jetën e tij politike. Pasi ishte konfliktuar në Pekin me Çu En Lain për Enver Hoxhën, po takohej me Shehun e Kapon, për të nisur konfliktin e tij më të madh me Enver Hoxhën. Pikërisht, në atë fund qershori, në zyrën e Mehmet Shehut, nisen takimin e tyre të katër personat që duhej të sheshonin kontradiktat e acaruara që ishin shfaqur midis Beqir Ballukut e Petrit Dumes. Takimi kishte nisur i qetë. Edhe Kapoja, edhe Shehu nuk kishin pasur dëshirë që ta zgjasnin shumë atë çështje, sepse siç duket, politikisht, nuk i interesonte as njërit e as tjetrit. Që të dy e dinin mirë se ku kishin qenë rrënjët dhe arsyet e konfliktit Dume -Balluku. Në fakt, ky nuk ishte fare konflikti midis atyre, por vetë konflikti i heshtur dhe i vjetër, midis Shehut dhe Kapos. Balluku, në këtë takim, fillimisht ishte dukur shume i qete dhe i predispozuar të pranonte faktin e të krijonte një atmosferë tjetër në Ministrinë e Mbrojtjes. Kishte pranuar që në fillim se kishte pasur kontradikta midis tij dhe Dumes dhe, madje, kishte pranuar se ai vetë duhej të ishte disi më i vëmendshëm, sepse gjithçka që kishte ndodhur, nuk kishte karakter politik, por vetëm një diferencë në mënyrën dhe në stilin e punës. “Do bëj çmos, kishte përfunduar Balluku, që kjo diferencë të mbyllet menjëherë”. Madje, ishin duke dalë që të katër të qetë nga takimi, kur befas  Dumja, me një farë toni kishte ndërhyrë duke thënë: “Jo, këtu nuk është fjala për një diferencë në stilin e punës, sepse ky është një konflikt i ashpër politik dhe ideologjik”. Shehu ishte i pari që kishte thënë në fillim, me një gjest nënvleftësues: “Len mor’ Petrit këto dhe vijoni punën e krijoni afërsinë që ju duhet”. Por Dumja nuk ishte reshtur. Ai madje kishte shtuar me një ton shumë serioz e të vendosur: “Beqir Balluku ka disa kohë që, në mënyrë të fshehtë, kërkon të revizionojë tezat e Këshillit të Mbrojtjes”. Këtu, menjëherë kishte ndërruar gjithçka. Shehu ishte ulur sërish në tryezë dhe siç duket me një ndjenjë dyshuese, që ndoshta e kishte shqetësuar prej kohësh, kishte pyetur: “Ka dashur të revizionojë tezat e Këshillit të Mbrojtjes fshehurazi nesh?” Kurse Petrit Dumja menjëherë e kishte shpjeguar me detaje këtë çështje duke dhënë kohën kur kishte filluar ndërmarrja, pjesë nga tezat e reja, personat që kishin marrë pjesë në këtë revizionim dhe fshehtësinë në të cilën mbahej ky material. Pastaj, ai kishte theksuar se vetëm kundërshtimi i vendosur i atij vetë nuk e pati lejuar që kjo  çështje të kishte shkuar më tej, se ajo ishte bllokuar. Që të dy, edhe Shehu, edhe Kapoja, më shumë të hutuar sesa kuriozë për  çështjen, kishin pyetur Beqirin për këtë, kurse ai, më një siguri të madhe që i kishte habitur të dy këta, i kishte rënë tryezës me grusht, duke thënë me një farë toni: “Këtë çështje duhet ta çojmë deri në fund!” Dakord i ka thënë menjëherë Shehu, aty për aty: “Unë do ta çoj çështjen deri në fund” dhe me nervozizëm ishte ngritur nga tryeza dhe e kishte mbyllur mbledhjen. Të dy, Kapoja dhe Shehu, kishin dalë nga zyra pa u folur fare dy të tjerëve. Menjëherë pas kësaj, të dy këta ishin paraqitur përpara Hoxhës; ia kishin bërë të qartë çështjen, dhe Hoxha me një nerv disi të shtirur, u kishte thënë se kjo është në thelb një veprimtari armiqësore e thellë. Menjëherë pas takimit me Hoxhën, Shehu nisi punën me Dumen dhe me njerëzit e tij në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai e gjeti edhe materialin, i cili ishte në një kasafortë të një ish-gjenerali që kishte punuar për tezat dhe, po sa e shtiu në dorë, pasi mori edhe emrat që kishin punuar, u përgatit që të sistemonte sulmin e tij. Në të njëjtën kohë, Kapoja ishte në një gjendje shpirtërore shumë të rënë, i tensionuar dhe disi i mënjanuar nga vetë Hoxha, por jo nga Shehu, i cili e vinte në dijeni përditë për të gjitha të rejat që po nxirrte nga kjo çështje. Por çfarë kishte ndodhur në të vërtetë? Para disa kohësh, ndoshta një vit më parë, në një plenum të Komitetit Qendror, ishte marrë në diskutim çështja e mbrojtjes. Në këtë plenium Hoxha e kishte ngritur në qiell Ballukun. Në një mënyrë diabolike, Hoxha po i tregonte Ballukut dhe grupit të tij se ai kishte hapur një rruge të re në ushtri, në mënyrë që ky te kuptonte se ai po i kërkonte që të dominonte ushtrinë dhe të mënjanonte aty forcën e Shehut, e cila kishte qenë ingredient kryesor i saj. Menjëherë pas plenumit, sipas burimeve të brendshme dhe pohimeve private të vetë Ballukut, Hoxha e kishte thirrur vetë këtë dhe i kishte kërkuar me takt të rishihte tezat e Këshillit të Mbrojtjes, të cilat Hoxha kërkonte t’i shtronte në një mbledhje të Byrosë Politike. E parë kështu, kjo çështje nuk kishte ndonjë gjë të veçantë brenda vetes, por rëndohet në analizë kur kësaj i shton faktin që tezat e Këshillit të Mbrojtjes, ato ekzistueset që kishin marrë fuqi institucionale, i kishte hartuar vetë Mehmet Shehu. Në fillim, detyra për përpunimin e këtyre tezave, të cilat duhej të ishin filozofia apo vetë doktrina e mbrojtjes në Shipëri, i ishte vënë Ballukut, por duke parë që ky po i zvarriste e nuk po bënte gjë, përpilimin e tyre e kishte marrë në dorë vetë Mehmet Shehu. Në fakt, sipas dëshmive të kohës, Shehu e mori shumë seriozisht këtë çështje, dhe për një kohë rekord i kishte përpiluar tezat me ekipin e tij dhe ato tani ishin të miratuara nga Këshilli i Mbrojtjes dhe nga Byroja Politike, dhe ishin kthyer ndërkohë në një doktrinë mbrojtjeje. Sipas kësaj, kuptohej se vetë revizionimi i doktrinës së mbrojtjes ishte një presion që kërkohej t’i behej Shehut në lidhje me pozicionin e tij politik. Sipas të dhënave që erdhën më pas, por edhe në ato ditë, ishte e qartë që Enver Hoxha ishte në dijeni të këtij materiali, por asnjëri nuk mund të thoshte dot gjë përse i duhej ky material Hoxhës. I kuptueshëm ishte edhe fakti që edhe Hysni Kapoja kishte dijeni dhe e kishte studiuar materialin që po përgatitej. I vetmi njeri që kishte qenë në dijeni, por nuk e kishte pranuar revizionimin e doktrinës, kishte qenë Petrit Dumja. Por ky nuk e kishte denoncuar sepse, siç duket, e kishte kapur që kishte nisur lëvizja kundër Shehut dhe ai nuk mund ta niste vet angazhimin total me Shehun, nëse ky nuk do t’i hapej. Por siç doli, Shehu nuk kishte pasur fare dijeni për materialin dhe prandaj i ra si bombë denoncimi i Dumës. Tani ai kishte një armë të fortë në dorë, por a do të dinte ta luante?
vijon…

SPARTAK NGJELA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s