Zija Çela: Ju rrëfej bashkëjetesën midis të gjallëve dhe të vdekurve në “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”

Shkrimtari i mirënjohur Zija Çela rikthehet për lexuesin me një libër të ri. Pas suksesit të “Goja e botës” shkrimtari dje promovoi “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”. Një libër që  rrugëton nëpër lagjet, parqet, baret e hotelet e Tiranës mes një morie personazhesh alegorikë e situatave ireale. Në intervistën dhënë për gazetën “SOT” autori i njohur Zija Çela pohon se në qendër të romanit “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” është bashkëjetesa midis të gjallëve dhe të vdekurve. Për shkrimtarin, struktura e romanit është një labirint i lëvizshëm, të cilin gjithkush mund ta eksplorojë në bazë të përvojave vetjake. Ndërsa na zbulon detajet rreth botimet të tij më të fundit, shkrimtari pohon se personazhe e romanit ndonëse fiktivë janë të përshtatur në realitetin ku jetojmë. Zija Çela ka filluar të shkruajë qysh në vitin 1972. Ai cilësohet nga kritika si një nga shkrimtarët më të mirë në Shqipëri. Disa nga librat që ka sjellë autori për lexuesit janë “Goja e Botës”, “Sos një buzëqeshje”, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, Gjaku im i errët”, etj.

-Riktheheni tek lexuesi me romanin tuaj më të fundit “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, në promovim mungojnë referuesit si herët e tjera, ndërsa keni zgjedhur që të komunikoni vetëm ju me lexuesit?

Ju falënderoj shumë që pranuat ta ndani këtë çast me mua. Përveç të tjerave, ju më nxorët nga burgu, nga vetmia njëvjeçare ku isha mbyllur, sepse vetmia është qelia e domosdoshme e shkrimtarit. Po ju siguroj se sot, me vetëdije e bindje të plotë, ju jeni të zgjedhurit e mi të veçantë. Askush, përveç jush, nuk e di se unë jam këtu me një roman të ri në dorë. Nuk e dinë familjarët e mi, as bija ime e shtrenjtë, as miqtë me të ngushtë. Por faktin që tashmë romani u botua dhe autori ndodhet para jush, nuk e dinë gjithashtu as vetë recensuesit, personalitete të shquara të letrave që e kanë lexuar në dorëshkrim dhe i kanë lënë dëshmitë në parathënien e librit. Në sallë ndodhet i ftuar vetëm një njeri. Dhe nuk është njeri publik, as shkrimtar, as kritik a studiues me tituj, aktualisht një i papunë, një qytetar i zakonshëm dhe, falë formimit e kulturës autodidakte, një lexues i pazakontë. Me këtë formë promovimi a mos po i kundërvihem mënyrës tradicionale, mënyrës së rëndomtë ku librat e rinj paraqiten me disa referues dhe me sallën plot, kur asnjë prej pjesëmarrësve në sallë s’e ka lexuar librin?! Unë nuk jam refuzues kategorik, sepse edhe në atë rast ka një të mirë: të pranishmit nuk do të dëgjojnë se u vra një njeri, por se u bë edhe një përpjekje në frontin pa armë, atë të kulturës. Kështu që në thelb unë refuzoj vetëm klishetë monotone. Standardet kërkohen e vlejnë tjetërkund, për artin dhe punën kulturore standardi, si formë e ngurosur, bëhet armik i krijimtarisë. Vitin e kaluar, kur nga “Toena” promovova romanin “Goja e Botës”, zgjodha tjetër formë, bëra një intervistë të drejtpërdrejtë përpara auditorit me një kolegun tim. Dhe nuk mbeti vetëm aty, pati gazeta që e botuan të plotë duke e çuar te lexuesi i gjerë.

-Po këtë herë pse zgjodhët këtë mënyrë për të promovuar romanin tuaj më të fundit?

Ashtu si për librat që shkruaj, nuk më pëlqen të jem përsëritës, prandaj e kërkoj formën. Por mbi të gjitha ma diktonte tema e romanit, siç e tregon edhe titulli. Në çastin që po dilja nga shtëpia pata një thyerje, nuk mund t’ia fshihja më sime shoqeje se për ku isha nisur. Ajo ka qenë korrektore e librit, pra e ka lexuar dhe kur tundi kokën për mirëkuptim, besova se iu kujtua një skenë nga romani. Është një situatë që djali i thotë të atit: “Më fal, baba, por unë nuk mund të bëj asgjë për ty përpara shtetit. “Dhe tjetri ia kthen: “S’ka gjë, mor bir, por as unë s’do të mund të bëj asgjë për ty përpara Zotit”. E kjo do të thotë se, një ditë, gjithkush do të ndodhet i vetëm para Zotit. Siç ndodhemi ne këtu, në rrugën fillestare të këtij libri, vetëm për vetëm. Por në tokë punët rregullohen ndryshe dhe s’kemi pse të hiqemi modest për pushtetin që zotëron media, kur jemi bashkë është njësoj si të jemi me të gjithë.

-Çfarë është “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”?

Megjithëse më kanë shërbyer edhe Bibla, edhe Kurani, romani flet për atë tjetrin, atë që njerëzit ia shkaktojnë vetë njëri-tjetrit, apokalipsin që po jetojmë. Më duket se Mehmet Kraja shprehet për thelbin kur shkruan: “Në këtë “Apokalips” i bëhet gjëma Tiranës njerëzore, Tiranës intelektuale, Tiranës politike, Tiranës mikroborgjeze, Tiranës provinciale e hipokrite. Dhe përkundër kësaj përballjeje, vepra nuk ngjall ndjenjë refuzimi, përkundrazi, sepse të vërtetat e një shoqërie vijnë si të vërteta universale.

-Po për personazhet, çfarë mund të na zbuloni?

Askush nuk përjashtohet, janë të gjitha shtresat e shoqërisë, të gjallët dhe vdekagjallët që ngrihen së vdekurish, të varfrit dhe pasanikët, prindërit dhe bijtë, profesorët, artistët, njerëzit e medias së shkruar dhe asaj televizive, privatët dhe nëpunësit e administratës publike, deputetët dhe kryetari i bashkisë, maxhoranca dhe minoranca, ministra dhe maja më e epërme e piramidës shtetërore. Natyrisht, patjetër ndërkombëtarët. Në këtë kuptim, unë besoj se secili do ta gjej diku veten. Ndoshta edhe do të trazohet në ndërgjegje, do të trazohet vetvetiu apo dhe nga të tjerët, pëshpëshet, thashethemet dhe hamendjet identifikuese. Prandaj kam një porosi për lexuesit: Çdo përpjekje për t’i identifikuar personazhet me emrat realë, është e pafrytshme për letërsinë e zhanrit triller. Nëse të tjerët paralajmërohen, i vetmi që mund të identifikohet në libër është autori dhe i vetmi që e pëson nga ky apokalips jam unë. Unë ruaj zakonin e dikurshëm, tekstin e parë e shkruaj me dorë. Me kalimin e viteve, në shtëpi kam krijuar (megjithëse disi në rrëmujë) arkivin e dorëshkrimeve të mia. Dorëshkrimin e këtij romani do t’ia dhuroj një miku. Mos më pyesni për emrin. Emrin s’ia di as unë, kurrë s’jemi takuar, sepse ai vetë ka bërë këtë zgjedhje. Me sa duket është nga ata princat e pashpallur, të cilët nuk kanë vetëm xhep, por edhe zemër të madhe. Gjestit të tij unë nuk kam mundësi t’i përgjigjem ndryshe përmes ndërmjetësit tonë, veçse me dhuratë shpirtërore.

-Pas këtij romani, a po përgatisni diçka tjetër për lexuesit?

Vitet e fundit unë kam botuar një roman në vit. Jam në gjendje krijimtarie dhe me siguri vitin e ardhshëm do të botoj përsëri një libër. Se di nëse do të jetë një roman i ri, ose do të jetë një përmbledhje me tregime nga vitet e shkuara. Projekti im është që të botoj dy libra me tregime dhe të dy të njëkohshëm. I pari do jetë me titullin shumë të njohur, që është botuar para viteve ’90, “Eklips” me shënimin -90, dhe botimi i dytë do të jetë +90, pra do të jenë tregime që unë i kam shkruar pas viteve ’90. Në atë kohë besoj se ne do të shihemi sërish, sepse nëse unë do të dilja shumë shpesh, nëse do të jepja shumë intervista, nuk do të kisha kohë që unë ti përgjigjesha ritmeve që kërkon krijimtaria ime.

-Çfarë ndjesie ju shkakton fakti se jeni një ndër emrat më të preferuar për lexuesin, i cili ju vlerëson për krijimtarinë që ju keni sjellë?

Unë kam një të keqe dhe e shikoj me sy kritik tek vetja. Duhet ta dal më shpesh, sepse lexuesit nuk janë vetëm ata që ta përcjellin me zemër atë vlerësim, duke komunikuar me facebook, por lexuesit duhet dhe ti takosh drejtpërdrejtë dhe kjo është ndjesa ime. Jam i sigurt, që edhe në atë vetminë e rreptë që unë jetoj, nga mëngjesi kur bie dielli në dritaret e studios sime unë ndjej një rrezatim dashurie nga lexuesit, kudo që janë. E dua lexuesin kudo, në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo Itali, kudo që janë shqiptarë deri në Amerikë.

-Çfarë mendoni sot për letërsinë shqiptare?

Unë kam mendim pozitiv për letërsinë shqiptare dhe do ta ndaja në zhanre. Ne kemi disa poetë, të cilët janë në nivelin e poetëve europianë që shkruhet sot. Gjithashtu ne kemi dhe prurje në prozë, e cila më duket jo dhe aq e konsoliduar me përjashtim të disa shkrimtarëve, të cilët e kanë formuar individualitetin e tyre. Edhe në vende të tjera botohen shumë libra, por nuk duhet të mendojmë se çdo libër me poezi është kryevepër. Letërsia në vendin tonë të vogël ka pasur lexues besnikë. Ata kanë qenë, janë dhe shpresoj se do të jenë dhe në të ardhmen. Kjo është siguria më e madhe për një shkrimtar, sepse pasi ti e ke shkruar librin, ti ke dërguar një mesazh dhe pret që ai të përgjigjet dhe unë e ndjej përgjigjen. Intervistoi: Julia Vrapi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s