Shqipëria, Luftë çlirimtare, apo luftë civile?

Trauma kombëtare

Pa u ngritur akoma dollitë e festës, u shtruan gjellët e funeralit! Pas 29 nëntorit, të vitit 1944, Shqipëria festonte triumfin e luftës, por një pjesë e kombit, ishte në zi. Zyrtarët e lartë, nxituan të veshin kostumin e fituesit, por njerëzit e thjeshtë, akoma nuk ishin bindur nëse gjatë kësaj lufte, shqiptarët kishin mundur okupatorin, apo kishin vrarë njëri tjetrin. Tribunat e mitingjeve zhurmonin prej oratorëve, gjatë gjithë ditës, ndërsa natën skuadrat e pushkatarëve, zbatonin udhëzimet tinëzare, duke i mbështetur kundërshtarët e tyre politikë, tek muri i pushkatimit. Muratorët profesionistë u thirrën me urgjencë, në Komitetin Qendror dhe në vend të projekteve për banesa të reja, ata u urdhëruan të riparojnë burgjet, apo të pesëfishonin numrin e tyre. Në të gjithë territorin shqiptar ishin vënë altoparlantët që përhapnin muzikë, por të qarat e fëmijëve jetimë, mbyteshin poshtë bodrumeve të ndriçuara prej kandilave të dobët. Priftërinjtë dhe hoxhallarët faleshin në kultet e tyre për ditë më të mira, por bubullimat e gjëmës së madhe e shqyenin në ajër, zhurmën e kambanës, si një zog të vogël. Udhëheqësit e rinj të partisë së Punës, tregonin prirjet e dukshme autoriale, në forumet komuniste, por njerëzit e thjeshtë, ende nuk ishin të bindur 100 për qind, nëse duhet të gëzoheshin, apo të hidhëroheshin për realitetin e ri. Sepse gjysma e popullsisë përjetonte ekstazën e çlirimit dhe gjysma tjetër, hapte gropat e reja, për viktimat e natës vijuese. Sidoqoftë, Shqipëria u rendit në krahun e aleancës ndërkombëtare të fituesve dhe kjo mjaftonte që njerëzit të ishin optimistë. Kështu, mes këtij optimizmi dhe mes muzikës festuese, Shqipëria u fut në realitetin e ri, pa e ditur se prapaskena e sistemit, kishte përgatitur gijotinën. Dhe pas atij momenti, 45 vjet rresht, kombi ynë u masakrua barbarisht, nga eksperimentet komuniste, të cilat ishin aq të veçanta, saqë, nuk ishin njohur gjer atëherë, në historinë e njerëzimit. Për 45 vjet rresht, njërin nga kombet më të vjetër të Ballkanit, e ndaluan të arsyetonte dhe madje e ndaluan të fliste. Dhe në këtë mënyrë, gjatë asaj periudhe, asnjëherë, nuk u fol për atë fazë të “luftën civile”, që u kish marrë jetën shqiptarëve, në ditët dhe netët e kaluara. Askush nuk u konsultua dot, publikisht me askënd, në lidhje me atë që ndodhi gjatë etheve të pushtetit. Dhe sipas postulatit që “historinë e bëjnë fituesit”, u shkruan me mijra fashikuj librash, për të pavërtetën. Ose, për të vërtetën e pjesshme, të cilës i mungonte gjysma tjetër.

Shënimet e Abaz Ermenjit: Si nisi lufta civile

Sipas Abaz Ermenjit, “Komunistët e prishnë marrëveshjen e Mukjes me shtytjen e agjentëvet jugosllavë, siç e tregojnë dokumentat e Ministrisë së Jashtëme jugosllave botuar më 1949 nënë titullin “Gjaku i Trathëtuar”. Prishja e marrëveshjes filloi me një radhë atentatesh mizore kundër antarëvet të Ballit Kombëtar, në një çast që s’e prisnin. Vranë me pabesi, në Zeqisht të Korçës, gjashtë të rinj intelektualë të Ballit, më 8 të shtatorit. Zunë në një fshat të Lushnjës 68 ushtarë të Ballit Kombëtar, fshatarë të thjeshtë, dhe i shkuan të gjithë në plumb me urdhër të Mehmet Shehut. Bjenë në Gjirokastër si bishat dhe vrasin katërmbëdhjetë antarë të Ballit Kombëtar, ndër’ ta edhe profesor Tare Kalon, si edhe një djalë 15 vjeçar që e therin përpara syvet të s’ëmës. Vrasin në qarkun e Korçës Baba Zylfon, Josif Frashërin, Bame Gjonomadhin e sa e sa Shqiptarë të pafajshëm, ndër kufomat e të cilëvet u-gjetën, tre muaj më vonë, 185 të mbuluara në prruan e Shipskës. Vrasin Besnik Canon e Qeramudin Sulon, vrasin në qarkun e Vlorës, vrasin në të katër anët e Shqipërisë. Në Mars 1944, komunistët erdhën në përpjekje edhe me fuqitë e Ballit që komandonte Nezir Muzhaqi, në Polis t’Elbasanit, dhe me ato të Xhem Gostivarit, në Dibër. Në Prendverën e në Verën e 1944-ës, përpjekjet midis fuqivet të Ballit dhe komunistëvet u-përgjithësuan edhe në Shqipërinë e Mesme, në rrethet e Kavajës, të Shijakut e të Tiranës. Dhe në Vjeshtën e atij viti komunistët sulmuan fuqitë e Ballit në Kosovë, që komandonte Ejup Binaku, si edhe çetat e Ballit në rrethe të Shkodrës e në Dukagjin, që patën organizuar vëllezrit Kazazi, Mark Sadiku e Ndue Pali”.

Nexhmije Hoxha: Ballistët bashkëpunuan me pushtuesit

Gjakderdhjen e nisën ballistët”. Kështu, tregon Nexhmije Hoxha, e cila i bën një radioskopi të ndryshme, nga ai, i Ermenjit, ngjarjeve që ndodhën. Sipas saj, “Të nesërmen e masakrës së 4 shkurtit, në gazetën “Bashkimi Kombit”, në një artikull “Gjaku don gjak thuhej: “një ditë terror, siguron 10 vjet qetësi”. Dhe pas thirrjeve të tilla, vazhduesit e pinjollët e këtyre kalemxhinjve dhe padronëve të tyre, kuislingë kanë sy e faqe të akuzojnë Lëvizjen N-Ç për luftë civile. Nëqoftëse ka pasur Luftë civile është pikërisht ajo skotë që kërkonte gjak shqiptari… që kërkonte dhe organizonte”terror kundër nacionalçlirimtarëve (madje edhe) kundër simpatizantëve të tyre… “Këto thirrje ngjanin si genocid si pogromet hitleriane. Dëgjojmë dhe lexojmë se po bëhen përpjekje që kuislingë si Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva dhe disa bajraktarë që kanë lyer duart me gjak shqiptari të rehabilitohen siç po bëhet në fakt me regjentët kuislingë, Mehdi Frashëri, Patër Anton Harapi, Lef Nosi e lidera të tjerë kolaboracionistë të kompromentuar me pushuesit nazifashistë, si Mit’hat Frashëri i Ballit dhe Abaz Kupi i Legalitetit. Por kjo nuk është e drejtë”, përfundon Nexhmija.

Urdhri i Enver Hoxhës: Kujdes nga lufta civile

“Lufta jonë të mos shndërrohet në luftë civile”. Me këtë porosi, i drejtohet Enver Hoxha, Komitetit Qarkor, të Partisë Komuniste, të Shqipërisë, për rrethin e Gjirokastrës. Në këtë letër, Hoxha i njofton krerët e bazës për rezultatet e Konferencës së Mukjes, duke përdorur fjalët: “ballistët nuk hanin pykë”. Pastaj, ai i udhëzon komunistët që të kishin kujdes, ndaj nacionalistëve. “Puna me nacionalistët është shumë delikate”,- shprehet Hoxha dhe vijon më tej – “Këta s’janë  të organizuar, s’kanë principe, as maturitet politik, por s’mund të themi se s’kanë influencë. Pra, këtë influencë të tyre, duhet ta kanalizojmë në rrugën e luftës”. Dhe më poshtë, Hoxha, nënvizon: “Kini të drejtë që mund t’ju ketë ardhur shpirti në majë të hundës, nga plehrat reaksionare, politikanë të falimentuar, kompromisaxhinj, si Bahri Omari dhe Ali Këlcyra, me shokë, por punën merreni me gjakftohtësi. Se do të vijë rasti, që së shpejti, secili të gjejë vendin e tij”. Letra e Enver Hoxhës më 23 shkurt 1943

Maringlen Verli: Lufta civile, pas pushtimit nazist

Lufta civile ka nisur në periudhën e fundit, të pushtimit, pikërisht, pas ardhjes së ushtrisë gjermane”. Kështu, u shpreh historiani i njohur dhe ish – drejtori i studimeve historike, Maringlen Verdhi, i cili nënvizoi, se kjo ndodhi pas disa tentativave të dështuara, për të firmosur marrëveshjen dypalëshe, ku padyshim, dështimi më i madh, ishte Konferenca e Mukjes. Në këtë kontekst, Verli vë në dukje, se të dy palët kanë shënuar raste të njohura sulmesh, të egra kundër njëra-tjetrës. I pyetur, se, cili ishte fajtori kryesor i kësaj lufte, Verli thotë: “Emocionet e luftës, nuk mund të gjykohen në kushtet e sotme, por duhet të kemi parasysh rrethanat dhe detajet historike, ku u frymëzua dhe ku u krijua kjo përplasje.

Alfred Cako: Luftën civile e urdhëroi Enveri

Ish deputeti i Ballit Kombëtar, Alfred Cako në cilësinë e studiuesit dhe botuesit shpreh mendimin e tij, se periudha e rezistencës shqiptare, kundër pushtuesve duhet ndarë në dy periudha. Sipas tij, në periudhën e parë që nis nga viti 1939, e deri afër fundit të vitit 1944, ka qenë një periudhë bashkëpunimi midis Ballit Kombëtar dhe komunistëve të Shqipërisë. Cako thotë se, gjatë kësaj periudhe, janë bërë aksione të përbashkëta kundër italianëve duke arritur fitore të rëndësishme. Sipas tij, numërohen rreth 70-80 beteja të përbashkëta në të gjithë vendin. “Mbahet mend sidomos lufta e Ruzhdijes, e Luarit, apo Barmashit, pa përmendur këtu betejën historike të Ballit Kombëtar, më 13 shtator, nën drejtimin e komandantit trim, Hysni Lepenica. Gjatë kësaj beteje, së bashku me të, u vranë edhe 34 ballistë. Duke folur për rrjedhën e mëtejshme të luftës, ish deputeti i Ballit Kombëtar, Alfred Cako, shprehet se ky bashkëpunim u shkatërrua nga Enver Hoxha, me rezolutën e 9 shtatorit. Sepse, deri atëhere gjërat po shkonin mirë dhe konferenca e Labinotit, më 25 korrik solli Mukjen, ku u hartua marrëveshja me tre pikat kryesore. Por Enver Hoxha i nxitur nga ndikimi i Vukmanoviç Tempos dhe jugosllavëve, refuzoi marrëveshjen dhe nisi kështu, periudhën e luftës civile.

Sabri Godo: Asgjë nuk e ul madhështinë e luftës

Në prononcimin e tij, plaku i republikanëve Sabri Godo tha se: “Pjesa më e madhe e Ballit Kombëtar ka qenë kolaboracionist, ka luftuar krah për krah me italianët dhe më pas me gjermanët kundër lëvizjes nacionalçlirimtare. Por nuk mund të jem kurrsesi dakord me ata që mbrojnë luftën me fanatizëm, duke thënë që gjithçka ka qenë e pastër, e ndershme dhe e mirë. Janë bërë krime të përbindshme nga brigadat dhe repartet partizane. Janë dënuar dhe pushkatuar njerëz pa gjyq dhe në disa raste edhe të pafajshëm, familjet e të cilëve kanë vuajtur 45 vjet të regjimit komunist. Kështu që të dyja anët të ulen e të mendojnë si ka qenë e vërteta. Kjo nuk e ul madhështinë e luftës, përkundrazi. Sa më mirë ta njohin njerëzit, aq më tepër do të besojnë në të dhe do të kenë respekt për atë periudhë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s