Adriatik Alimadhi: Komunistët luftë vëllavrasëse, balli ishte nacionalist

Zoti Alimadhi, a ka pasur luftë civile, në Shqipëri gjatë viteve 1939-1944? Jo. Këtu nuk ka pasur luftë civile, por ka pasur luftë vëllavrasëse. Sepse, krimineli i këtij kombi dhe identifikimi i barbarisë, që quhet, Enver Hoxha, ka bërë aq shumë krime, saqë kur të hapen arkivat e Ballit Kombëtar, njerëzit do të shohin aty, përmasat e kasaphanës. Komunistët e kanë goditur mizorisht, Ballin Kombëtar, duke shënuar kështu, rekordet e kriminalitetit, që nuk mund t’i arrijnë dot, as përbindëshat.

 

A ka bashkëpunuar Balli Kombëtar, me pushtuesit, gjatë kësaj periudhe?

Jo. Po të kishte bashkëpunuar Balli Kombëtar, me italianët, apo gjermanët, atëherë, ata pak komunistë që qarkullonin në këtë vend, do të ishin zhdukur, që në krijimin e celulave të para. Por drejtuesit e Ballit Kombëtar, udhëhiqeshin nga filozofia e humanizmit dhe ata nuk e pranonin  asnjëherë, vëllavrasjen. Balli Kombëtar, gjithashtu, nuk luftonte për pushtet, por për çlirimin kombëtar.

Si do t’i përgjigjeshit, atyre, që thonë, se, “Balli Kombëtar është krijuar pas Konferencës së Pezës?

Kjo është një shpifje. Fryma e Ballit Kombëtar është përhapur në Shqipëri, para  krijimit të Partisë Komuniste, madje, qysh në 7 prill të vitit 1939. Mjafton të përmendim këtu Mithat Frashërin dhe Dekalogun e Ballit Kombëtar. Kjo frymë ishte vazhdim i Kuvendit të Lezhës, Kongresit të Lushnjes, apo forumeve të tjera, ku kërkohej bashkimi real i shqiptarëve dhe i trojeve shqiptare. Konferenca e Mukjes ishte një shans historik, por banditi, Enver Hoxha, iu nënshtrua urdhrave të Titos dhe shkatërroi vendin e tij. Për të diskrediduar Enver Hoxhën, nuk ka nevojë të flasim shumë, por mjafton të përmendim këtu, gijotinë e krimit në 40 vitet e qeverisjes, së tij. Mjafton të përmend, këtu, urrejtjen e madhe të qytetarëve të Tiranës, që e tërhoqën zvarrë, bustin e tij, në 20 shkurtin e vitit 91, për ta kuptuar se çfarë monstre ishte ai. Ndërsa figurat e Ballit Kombëtar, janë ndër emrat më të spikatur të elitës intelektuale, shqiptare. Edhe sot, e kësaj dite, emrat e tyre kujtohen me respekt.

Çfarë do t’i thoshit, historianëve që shprehen, se “në Shqipëri, nuk ka pasur luftë civile”?

Do t’u thosha, se ata janë pjesë e nomenklaturës komuniste, që u përpoqën të kamuflohen në realitetrin e ri demokratik. Por, më në fund, e treguan veten edhe me anë të këtyre përfundimeve ,të padrejta historike, që kanë nxjerrë. Për të thënë të vërtetën, unë, vetë, nuk dua të merrem me nivelin e këtyre pseudohistorianëve. Në këtë moment, unë dua t’i drejtohem të gjithë shqiptarëve, duke i thënë, se deri tani, është shkruar, vetëm, gjysma e historisë, madje, nën interpretimin më vulgar të saj. Por së shpejti, kur Balli Kombëtar të hapë arkivat e së vërtetës, atëherë, të jeni të bindur, se këta historianë, do ta lëpijnë atë, që kanë thënë më parë. Dhe atëherë, do të dalë në shesh, e vërteta e fshehur, në gjithë këto vite.

Si e shpjegoni sot, numrin relativisht, të pakët, të mbështetësve të Ballit Kombëtar, duke u nisur nga numri i votave, në zgjedhjet e fundit?

Këtu ndërthuren një sërë problemesh, që fragmentarizojnë elektoratin  Duke filluar nga interesat personale, të individit, për punësim, shkollim, mbijetesë, etj, e deri tek ligji elektoral. Por numri real i mbështetësve tanë është shumë më i madh, se ai që publikohet nga votat.

Flet kreu i Partisë Konservatore, Armando Ruço

Komunistët e  qëlluan pas koke, xhaxhanë tim, Lefter Lefteri

Komunistët janë një racë e pabesë dhe ata i vrisnin njerëzit, pas shpine”. Ky është thelbi i rrëfimit, të kryekonservatorit, Armando Ruço, i cili tregon me detaje, se, si xhaxhanë e tij, Lefter Ruço, apo, siç cilësohet në film, Lefter Lefteri, e kanë vrarë komunistët, prapa shpine

Zoti Ruço, a ka pasur luftë civile në Shqipëri?

Po ka pasur. Komunistët janë një racë e pabesë dhe ata të vrisnin prapa shpine. Kështu, në Korçë, komunistët vranë xhaxhanë tim, Lefter Ruçon, i cili ishte njëri nga intelektualët, më të vlerësuar të këtij qyteti.

Përse e vranë?

Atë, e dinë ata, që dhanë urdhrin, por edhe ata që bënë ekzekutimin. Xhaxhai im ishte thjesht, një përkthyes dhe ai, si intelektual, dinte 5 gjuhë të huaja, që në atë kohë. Asnjëherë, në jetën e tij, nuk kishte bashkëpunuar me të huajt, për çështje lufte. Vetëm, ai punonte, si përkthyes. Por komunistët tinzarë, të cilët, gjatë atyre viteve, montuan gjakderdhjen, më të tmerrshme të historisë, e kishin për zanat vëllavrasjen. Madje, më vonë, pas luftës, ata që ekzekutuan xhaxhanë tim, u vranë në pritë, nga vetë, komunistët. Sepse, zakoni i tyre ishte barbaria. Prandaj, më vonë, montuan sistemin monstër, të diktaturës më të egër të kohës. Por, përveç xhaxhait tim, komunistët vranë qindra e mijra bijë e bija nënash, të pafajshëm, duke i qëlluar, pabesisht. Ndërsa sot, pinjollët e tyre dalin e mburren. Përse mburren vallë? Për krimet që kanë bërë? Apo për shkatërrimin që i sollën Shqipërisë? Unë them, se kjo fantazëm tinzare, ishte krijesa më kriminale e historisë sonë.

Si e gjykoni, qëndrimin e nacionalistëve, gjatë kësaj lufte?

Nacionalistët ishin njerëzit më përparimtarë, më të ditur dhe më humanë, të asaj kohe. Por, ata u ndeshën me barbarinë e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, e të tjerëve, të cilët pasi vranë njerëzit tanë, iu vërsulën më vonë edhe njerëzve të tyre. Kështu, Enveri, vrau kunatin, e tij, Bahri Omarin, ndërsa, më vonë, vrau edhe vetë, Mehmetin. Ja, kjo, ishte skema e lakuriqëve të natës, që u kamufluan me lloj lloj emërtimesh, duke e kthyer vendin tonë, në një varrezë, për ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve.

Rrahman Parllaku: Nuk kishte luftë civile

Gjenerali Rrahman Parllaku, i cili ka drejtuar në luftë formacione të tëra partizanësh, ka një optikë më realiste për këtë çështje. Midis të tjerave, ai shprehet se:  “Luftë civile në kuptimin klasik nuk bëhet kur ka një okupator brenda dhe kur një pjesë i bashkohet okupatorit dhe një pjesë lufton kundër tij… Ata që duan ta quajnë luftë civile e paraqesin sikur në Shqipëri nuk ka pasur pushtues, por ne luftuam me njëri-tjetrin. Kjo s’është e vërtetë”.

Liri Belishova: Vrasja e Ramizesë

Ata vranë edhe Ramize Gjebrenë. Nuk mund të justifikohet ky krim me argumentet e fanatizmit dhe të rrethanave të luftës. Natyrisht edhe këto kanë lozur rolin e tyre, por nuk kanë determinuar vrasjen e Ramizesë. Në raport, Ramizeja akuzohet se është “tradhtare e partisë”, por nuk jepet asnjë shpjegim. Është absurde që dashurinë Ramize-Zaho, edhe po të ishte e vërtetë, ta quash tradhti të partisë. Në raport thuhet edhe se kanë neglizhuar punën, por pa asnjë shpjegim.

Artur Roshi: Kur nisi lufta civile

Për ne, ajo që quhet Luftë Nacionalçlirimtare deri në gusht 1943, ishte luftë me qëllime internacionale, pra, në ndihmë të Rusisë, dhe me ardhjen e gjermanëve nuk pati më luftë kundër pushtuesit (përjashto disa raste në fillim të vjeshtës ‘43), por luftë civile e cila, u iniciua nga komunistët. Historiani Uran Butka ka bërë një punë cilësore për sqarimin e kësaj periudhe historike me librin e tij dhe leximi përmbys shumë mite të rreme të historiografisë komuniste.

Historianët e huaj: Ja e vërteta

Historianët e huaj që kanë studiuar zhvillimet ushtarake në Shqipëri gjatë një periudhës së luftës së Dytë Botërore, si dhe oficerët anglezë që ndihmuan për organizimin e rezistencës kundër pushtuesve italianë e gjermanë konfirmojnë se lufta civile e dëmtoi luftën kundër pushtuesve. Mukja shënon fillimin e luftës civile, ndërsa Hoxha, nga fundi i tetorit dha urdhër për likuidimin e Ballit Kombëtar konstaton, thotë B. J. Fischer. Lufta Nacionalçlirimtare thirri konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare në Labinot. Aty u hodh poshtë marrëveshja e Mukjes dhe u shpall lufta për asgjësimin e gjithë anëtarëve të Ballit Kombëtar.

Historianët shqiptarë: Mukja është kthesa

Në konferencën shkencore të organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë, mbi marrëveshjen e Mukjes e cila është mbajtur, më 1 gusht, të vitit 1943, historianët tanë vunë theksin, mbi rishikimin e statistikave dhe verifikimin e tyre, lidhur me luftën nazi-fashiste, pasi pretendohet që shifrat e deritanishme, nuk janë të besueshme. Historianët thonë, se fill mbas konferencës së Mukjes, filloi lufta civile. Ndërsa, tanimë i mbetet studiueseve aktualë, për të zgjidhur këtë çështje, lidhur me saktësimin e statistikave.

Dokumenti: Lufta nisi më 1 tetor

Po më 1 tetor 1943, E.Hoxha i dërgonte një letër-qarkore Liri Gegës (“Muzhikut”) dhe për veprim gjithë komiteteve qarkore të PKSH, në të cilën urdhëron nisjen e luftës pa marrë parasysh asnjë rrethanë e pasojë kundër Ballit Kombëtar si armik kryesor. “Puna politike kundër Ballit nuk duhet të jetë e vetme në këto raste, ajo duhet të ndihmojë veprimet ushtarake të cilat duhet të jenë deçizive, nuk mjaftojnë mitingje e konferenca, por duhet menjëherë të merret pushteti”, kërkonte me këmbëngulje E. Hoxha. Në këtë qarkore shpallet hapur synimi, mënyra dhe vendosmëria e patundur për të marrë pushtetin nëpërmjet luftës së armatosur dhe asgjësimit politik e fizik të Ballit Kombëtar dhe të çdo partie tjetër.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s