Françesk Radi: Juritë e paafta dhe të korruptuara në festivalin e RTSH kanë larguar artistët

Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar nga publiku. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Sot pas disa dekadash kantautori Françesk Radi i kujton ato vite si momentet e veçanta të krijimtarisë së tij artistike. Në intervistën dhënë për gazetën “SOT”, kantautori Radi tregon se kënga “Biçikleta” ka qenë dhe videoklipi i parë shqiptar i xhiruar në vitin 1972. Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun.

Përmendim këtu këngët “Telefonatë zemrash”, “Të kesh para”, “Kemi dasëm o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut. Ndërsa flet me nostalgji për vitet kur publiku mezi priste ta shikonte në skenën e festivaleve të këngës, kantautori Françesk Radi tregon se i vjen keq që sot Festivali i Këngës në RTSH nuk e ka madhështinë e viteve më parë, kur edhe pse ishte censura ishte një eveniment me plot vlera artistike. Kantautori pohon se kënga shqiptare ka pësuar ndryshime në vite. Nëse ne i referohemi këngës shqiptare nga vitet ’50, ajo erdhi thjeshtë dhe natyrshëm, erdhi si muzikë e lehtë, ndoshta me pak reminishenca nga komshinjtë tanë, por sërish ajo erdhi shqip e bukur, dhe fakti ishte që publiku e pëlqeu. Edhe pse në vitet ’60 filloi censura në krijimtari, kantautori pohon se edhe  pse u vunë këto barriera muzika e lehtë shqiptare pësoi ndryshime për mirë. Sipas tij, nga një anë kjo lloj censure e këngës shqiptare i bëri mirë kompozitorëve, sepse disa prej tyre filluan të marrin temat e këngës popullore shqiptare dhe ti përdorin në krijimtarinë e tyre dhe fakti është që ne kemi shumë këngë të bukura ndër vite, të cilat po këndohen edhe sot dhe janë shumë të kërkuara. Pas viteve ’90 krijimtarinë muzikore kantautori Françesk Radi e shikon me shumë probleme, ndërsa thekson se festivali i këngës duhet të jetë i tëri live. Kantautori pohon se sot kënga shqiptare është në krizë, sepse muzikantët e vërtetë që njohin krijimtarinë artistike, njohin artin, kanë mbetur në hije, sepse atyre nuk iu jepet mundësia për të krijuar. Sipas tij, sot janë bërë këngëtarë ata që nuk janë të tillë, janë bërë kompozitorë ata që nuk dinë se çfarë është muzika e vërtetë dhe janë bërë orkestrues ata që nuk dinë se çfarë është akordi. Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio “Tirana” si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme në RTSH. Aktualisht punon në si redaktor muzike pranë Orkestrës Simfonike të RTSH dhe merret me koncertet e saj.

-Jeni një nga emrat e njohur të këngës shqiptare, por si ka ndryshuar ajo ndër vite?

Kënga shqiptare ka pësuar ndryshime në vite. Nëse ne i referohemi këngës shqiptare nga vitet ’50, ajo erdhi thjeshtë dhe natyrshëm. Erdhi si muzikë e lehtë, ndoshta me pak reminishenca nga komshinjtë tanë, por sërish ajo erdhi shqip e bukur, dhe fakti ishte që publiku e pëlqeu. Pas viteve ’60 filloi një lloj censurimi dhe kjo sa i takon tematikës. Në ato vite shumë këngëtarë filluan të priren drejt sistemit të asaj kohe, sepse u vunë disa barriera dhe artistët nuk mund të binin jashtë tyre. Megjithatë edhe pse u vunë këto barriera muzika e lehtë shqiptare pësoi ndryshime për mirë. Nga një anë kjo lloj censure e këngës shqiptare i bëri mirë kompozitorëve, sepse disa prej tyre filluan të marrin temat e këngës popullore shqiptare dhe ti përdorin në krijimtarinë e tyre. Fakti është që ne kemi shumë këngë të bukura ndër vite, të cilat po këndohen edhe sot dhe janë shumë të kërkuara. Kjo periudhë nxori dhe këngëtarët më të mirë shqiptarë, doli e madhja Vaçe Zela, Anita Take, Tonin Tërshana, më vonë erdhën emra të tjerë si Sherif Merdani, Luan Zhegu, Ema Qazimi, Irma Libohova etj, kështu që muzika shqiptare pësoi ndryshime për mirë. Para viteve ’90 filloi një lloj zbehje, sepse muzikantët filluan të mendonin më shumë për anën tjetër të jetës së tyre se sa atë të muzikës. Ata filluan të mendonin për pasojat e një sistemi që po merret fund, për tmerret që kishin filluar të groposeshin. Në këtë kohë pati një moment kur muzika shqiptare filloi një periudhë stanjacioni, dhe kjo ishte para viteve 90 dhe pas viteve ’90. Kjo ndoshta se në atë kohë shumë prej nesh emigruan, sigurisht në kërkim të një jete më të mirë. Të gjithë muzikantët e asaj kohe shkonim me muaj në Zvicër, Gjermani, Suedi. Mes tyre isha dhe unë, Selim Ishmaku, Frederik Ndoci, etj, shkonim të punonim jashtë, sepse këtu u bë një gjendje shumë e vështirë nga ana ekonomike. Artisti nuk mund të jetonte me atë lloj sistemi, që ende ishte në embrion. Pas viteve ‘90 pati një lloj frymëmarrje në krijimtarinë  muzikore. Duket që njerëzit u qetësuan dhe filluan të mendojnë ndryshe për këngën shqiptare. Filloi të dilte dhe një brez i ri muzikantësh dhe kompozitorësh, dhe unë vetë u ktheva sërish në muzikë, sepse për shkak të sistemit të viteve para ‘90 unë e ndërpreva krijimtarinë muzikore që në vitin 1972. Personalisht unë e fillova krijimtarinë muzikore pas viteve ’90. Veç kësaj dolën dhe një brez i ri këngëtarësh dhe muzikantësh si Elton Deda, Bledar Sejko, Redon Makashi, Gjergj Jorgaqi, grupe si “Ritfolk” etj, dhe këto i bënë shumë mirë muzikës shqiptare sepse filluan të dalin edhe disa stile muzikore. Elton Deda ishte me një krijimtari muzike rock por pak e egër, Bledar Sejko me grupin e vet kishte një rrymë si të “Metalica”, veç kësaj u krijuan dhe disa grupe të muzikës, të cilët sollën një tjetër atmosferë në krijimtarinë muzikore.

-Megjithë këto zhvillime humbi interpretimi live?

Më e rëndësishmja nga problematikat ishte se humbi interpretimi live. Për arsye të kushteve që u krijuan edhe interpretimi live që ishte për shumë dekada humbi. Kjo ndodhi sepse shumë gjëra u rrënuan, filluan shumë probleme, asgjë nuk rinovohej më dhe studiot mbetën ashtu siç ishin para viteve ’90, ndryshuan dhe shumë gjëra të tjera dhe teknika linte shumë për të dëshiruar. Disa persona u treguan shumë të shkathët, pasi ata e kuptuan këtë gjendje dhe iu sulën elektronikës për të kapur edhe ato paaftësitë e tyre. Veço këtu Shpëtim Saraçin, Elton Dedën apo dhe ndonjë emër tjetër, të tjerët ishin të paaftë që të krijonin muzikë me vlera artistike. Ato qenë vite shumë të vështira për artin, por kjo nuk ishte vetëm në Shqipëri ishte dhe në Itali, sepse edhe Italia për dhjetë vite në festival nuk kishte orkestër. Këngëtarët në festival këndonin live, por nuk ishte orkestra dhe ishte me playback. Ndërsa tek ne kjo gjë mbeti më gjatë.

-Pas gjithë këtyre problemeve dhe zhvillimeve, ku e shikoni sot këngën shqiptare?

Për mendimin tim kënga shqiptare është në krizë, sepse muzikantët e vërtetë që njohin krijimtarinë artistike, njohin artin, kanë mbetur në hije sepse nuk iu jepet mundësia për të krijuar. Nuk ju jepet mundësia, sepse kanë ndryshuar shumë gjëra. Sot janë bërë këngëtarë ata që nuk janë të tillë. Janë bërë kompozitorë ata që nuk dinë se çfarë është muzika e vërtetë. Janë bërë orkestrues ata që nuk dinë se çfarë është akordi. Pra janë shumë gjëra që bëjnë që muzika të jetë kalimtare.

-Elektronika çfarë solli në krijimtarinë muzikore shqiptare?

Në radhë të parë elektronika hoqi orkestrën, që çdo vend do ta kishte zili të kishte një orkestrës simfonike dhe çdo artist në botë dhe tani që ne flasim e ka komoditet të japi një koncert me orkestër live, me instrumente të gjalla siç kishim ne për shumë vite në festival të këngës. Për mua ka qenë një zgjedhje shumë e gabuar që harqet live, baza orkestrale e regjistruar dhe këngëtari live, për mua është e papranueshme kjo gjë. Unë si muzikant nuk e dua këtë. Këtë vit me sa mora vesh është vendosur që festivali në RTSH të jetë i tëri live dhe ky është një lajm i mirë, sepse është e para herë që pas kaq vitesh orkestra do të luajë direkt me të gjitha elementët e saj.

-Sipas jush, pse vazhdon të jetë nostalgjia e këngës shqiptare para viteve ’90?

Muzika dhe kënga nuk ka flamur, nuk ka ngjyrë. Kënga ka ngjyrën e profesionalizmit, nëse një këngë i është kushtuar partisë, por është kënduar mirë dhe ka qenë me muzikë të bukur, ajo sigurisht që do të mbetet tek publiku. Kjo do të qëndrojë sido që të jenë kohët. Kemi p.sh këngën “Për ty atdhe”, por Pjetër Gaci nuk humbet ai është një artist i madh dhe aty çdo gjë është e ndjerë dhe prandaj janë  këngë që kanë mbetur. Nuk janë këngë si sanduiçe që bëhen në darkë dhe dalin nesër. Ato lloj këngësh janë të sajuara dhe bëhen shumë shpejt. Janë këngë konsumi dhe prandaj kemi vite që nuk po mbeten këngë. Unë vetë edhe pse ka shumë fitues të festivalit nuk mbaj mend këngët.

-Jeni shumë i lidhur me muzikën italiane?

Jo vetëm muzikën italiane, por dhe atë botërore e kemi dëgjuar që në vitet ’70. Mendoj se ajo ka qenë një anë e rëndësishme në formimin tim, por dhe të shumë muzikantëve, të cilët mësuan shumë nga muzika evropiane dhe botërore. Në atë kohë kishe se çfarë të mësoje nga emrat e atyre viteve. Ata ne na hapën një rrugë tjetër në krijimtarinë tonë kur ne filluam të kompozonim dhe krijonim mbi baza profesionale. Italianët kanë qenë muzikantë të mirë, përmend Morandin, Celentanon, Masimo Ranieri, etj. Muzika italiane ka nxjerrë këngëtarë dhe muzikantë shumë të mirë.

-Cili ka qenë momenti më i veçantë në karrierën tuaj artistike?

Momente të bukura ka pasur disa herë, por mendoj se fillimet kanë qenë më të bukura. Ato mbajnë gjithmonë një vulë që të bën ta kujtosh atë moment. Moment i bukur ka qenë dalja për herë të parë në skenën e festivalit, kompozimi i parë.

-Po më i vështiri në karrierën tuaj?

Momente të vështira ka pasur dhe kam kaluar momente jo shumë të këndshme, sidomos në festivalet e këngës në RTSH. Më kanë ndodhur shumë probleme që më kanë shqetësuar, por dhe fansat e mi, të cilët më shkruanin ose kur më takonin në rrugë më bënin komplimente për këngën. Kjo ka ndodhur sepse juritë e festivaleve në RTSH në shumë raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Juritë kanë qenë të paafta, mund të kenë qenë dhe të korruptuara dhe nuk kanë vlerësuar atë që duhet. Mua më vjen mirë që sot dhe  kësaj dite që ne flasim këngët e mia kanë mbetur tek publiku. Ato i njohin njerëzit, përmend këtu këngët “Biçikleta”, “Adresa”, “Telefonatë zemrash”, “Të kesh para”, “Kemi dasëm o” etj. Pra janë këngë që kanë lënë gjurmë dhe publiku i njeh. Pas viteve ’90 juritë në festivale nuk kanë ditur të vlerësojnë, ose nuk i kanë kuptuar këngët. Juritë kanë qenë të manipuluara siç u bë dhe në festivalin e fundit ku unë u prezantova me këngën “Kemi dasëm o”. Kjo është një këngë që trajton një dasmë rome është me nota të bukura, është me nota optimizmi që të gjithë ata që e kanë dëgjuar janë ndjerë mirë pasi kjo sjellë një lloj optimizmi për jetën, për lirinë e njerëzve që të jetojnë të lirë të shëtisin. Në festival veç këngës fituese që ishte profesionale, kënga ime ishte motive të pastra shqiptare por në fund juria nuk bëri vlerësimin që duhej. Këto juri po dëmtojnë festivalin, i cili ka vite që po e ndjen këtë. Festivali po dëmtohet nga disa njerëz të brendshëm, disa pseudokonsulentë që futen në stafe vetëm për të prishur festivalin. Ka vite që shumë artistë janë larguar nga festivali i RTSH vetëm për shkak të këtyre njerëzve. Më vjen keq, sepse festivali ka qenë një ngjarje shumë e rëndësishme për çdo artist. Çdo këngëtar ka dëshirë ta gjejë veten në këtë festival.

-Përmendët pak më parë këngët tuaja të para “Adresa” dhe Biçikleta”. Si i kujtoni ato kohë kur u krijuan?

“Adresa” ka qenë kënga ime e parë, nuk ka qenë në festival por ka qenë në anketën muzikore të atyre viteve. Ajo këngë që kur u dëgjua nga komisioni i asaj kohe, pati probleme. Njëherë e hoqën nga transmetimi dhe ia kaluan një tjetri për ta kënduar. Më pas me këmbënguljen e mjeshtrit Gaspër Çurçia, i cili kishte bërë dhe orkestracionin, po ashtu ishte dhe këmbëngulja e Gjon Simonit që ishte shef muzike, u vendos që kënga të këndohej nga unë. Për herë të parë dola si kantautor, ishte kënga e parë radiofonike. Pas dy muajve erdhi dhe “Biçikleta”. Ajo kishte një këngë që kishte një fabul konkrete në atë kohë. Në ato vite kishte shumë vajza me biçikleta dhe aty lindi dhe ideja e kësaj kënge. Më pas në RTSH më kërkuan që bëheshin me videoklipe. Kënga “Biçikleta” është dhe videoklipi i parë shqiptar i realizuar në vitin 1972, dhe  është xhiruar nga regjisori Ylli Pepo. Për çudi ai videoklip është zhdukur nga arkivi i RTSH. Klipi u xhirua në bulevard, në plazh. Më pas u realizua me klip dhe kënga “Adresa”.

-E ndërkohë, po ju vetë me çfarë po merreni këto kohë?

Unë punoj si redaktor muzike pranë Orkestrës Simfonike të RTSH dhe merrem me koncertet e saj.

Intervistoi: Julia Vrapi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s