Sot ishte gjyqi: Ekzekutohet me pesë plumba Arjan Selimi

Pritë kapos së “Kompas” te pallati. Policia: U filmua

Pesë plumba, katër nga të cilët në gjoks, i kanë marrë jetën mbrëmë Arjan Selimit, personazh i njohur në Tiranë, pas arrestimit nga operacioni antidrogë “Kompas”, por edhe nga lidhja me artisten Inis Gjoni. Partneri i regjisores u ekzekutua mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:15, në rrugën “Stavri Themeli”, tek ish-Parku i Autobusëve në kryeqytet. Ai ndodhej pranë makinës së tij tip “Land Rover”, në oborrin e pallatit ku banonte kur u qëllua me armë zjarri nga të paktën dy persona. Burime nga grupi hetimor thanë se dy persona që kanë lëvizur me motor kanë qëlluar të paktën 20 herë me automatik në drejtim të Arjan Selimit, 38 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend, me 4 plumba në qafë e kokë dhe një plumb tjetër në këmbë. Ndërkohë, 19-vjeçari Klevis K., kalimtar i rastësishëm në vendin e ngjarjes, ka mbetur i plagosur me dy plumba, në bark e këmbë, teksa po kalonte në sheshin para pallatit ku banon Arjan Selimi. Të njëjtat burime konfirmuan se atentati ka qenë i mirorganizuar dhe një person i tretë ka futur në kurth 38-vjeçarin e njohur edhe me emrin Armando Andoni. Ky person i tretë e ka çuar viktimën në pritën që i kishin ngritur autorët me motor e me skafandra në kokë. Ngjarja ndodhi në një rrugicë të errët para pallatit ku Arjan Selimi banon prej më se një viti bashkë me partneren e tij, Inis Gjoni, e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ngjarja është regjistruar pjesërisht nga disa kamera sigurie të një prej vilave private që ndodhen pranë vendngjarjes.
Forcat e policisë së Komisariatit Nr. 2 kanë shoqëruar gjatë mbrëmjes 11 persona si dëshmitarë, një prej të cilëve konsiderohet paraprakisht edhe i dyshuar. Ndërsa hetimet e oficerëve të seksionit kundër jetës dhe shëndetit janë përqendruar rreth të kaluarës së biznesmenit me origjinë nga Shkodra, pasi ai ishte një prej tetë të arrestuarve të operacionit të koduar “Kompas”, i zhvilluar më 23 qershor të vitit 2004 në Shqipëri, SHBA, Itali dhe Kosovë. Aktualisht Arjan Selimi vazhdonte të ishte në “arrest shtëpie”, por për shkak të shtatzënisë së partneres së tij, ishte lejuar që të kryente disa lëvizje.
ATENTATI

Kufoma e Arjan Selimit mbrëmë në vendngjarje

Rreth orës 19:15, Arjan Selimi ka qenë duke dalë nga apartamenti i tij, në katin e dytë të një pallati 8-katësh, për të bërë xhiron e tij të zakonshme në lagje, pasi, sipas banorëve, ai nuk para lëvizte jashtë zonës së ish-Parkut të Autobusëve. Por, me sa duket, autorët e dyshuar të ngjarjes kishin ndjekur më parë çdo lëvizje të tij dhe në këtë mënyrë i kishin ngritur pritë para makinës së tij, tip “Land Rover”, të parkuar në anë të pallatit. Sipas të dhënave hetimore, në momentin kur ai ka zbritur në sheshin e pallatit dhe është drejtuar për te makina e tij, ka parë një person të dyshimtë, të cilin e ka ndjekur për të kuptuar se kush ishte. Por ka qenë pikërisht ky person që e ka çuar Selimin drejt autorëve që po e prisnin mbi një motor në një rrugicë të errët të zonës. Më pas, personi i dyshimtë ka humbur në errësirë, ndërsa autorët kanë qëlluar rreth 20 herë me automatik në drejtim të Selimit. Trupi i pajetë i Selimit u gjet pranë automjetit të tij, poshtë një pallati 8-katësh, ndërsa dëshmitarë pohuan se janë dëgjuar disa të shtëna arme me breshëri. Mësohet se në momentin kur është qëlluar, viktima po tentonte të hipte në makinë, por pa arritur ta hapte atë. Në vendngjarje janë gjetur dhjetëra gëzhoja, që dyshohet se i përkasin një arme automatike. Nga plumbat e atentatorëve të Selimit është plagosur edhe një banor i zonës, i cili ka qenë duke lëvizur në sheshin para pallatit. I plagosuri tashmë është një prej dëshmitarëve kryesorë të grupit hetimor, pasi mund të japë ndonjë të dhënë të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes.

Arjan Selimi ndërroi jetë menjëherë nga 5 plumba
Transportimi me autoambulancë për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore Arjan Selimit ka qenë i kotë, pasi 38-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga goditja me pesë plumba. Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe matjet e nevojshme përreth një orë, duke e mbajtur kufomën në vendin ku u qëllua. Më pas trupi i pajetë i Arjan Selimit është transportuar drejt Morgut të Tiranës. Sipas ekspertëve, 38-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga 5 plumba në trup. Atentatorët kanë qëlluar rreth 20 herë në drejtim të tij, por katër plumba e kanë goditur në qafë dhe kokë, ndërsa plumbi i fundit në këmbë. Disa nga plumbat kanë goditur edhe makinën tip “Land Rover” të Selimit, pasi sipas të dhënave ai mund të ketë parë atentatorët dhe ka tentuar të hipë në makinë, por pa arritur ta hapte mjetin.

Selimi sot kishte gjyqin për drogën
Arjan Selimi, viktima e mbrëmshme e një atentati mafioz pranë zonës së ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, kishte sot seancën e tij të radhës në Gjykatën për Krimet e Rënda. Në këtë proces, Arjan Selimi (Armand Andoni), ishte i bashkëpandehur me Arjan Xhemalin (Shabanin). Për seancën e sotme, e caktuar për në orën 13:00, e dyzeta në radhë, ishin njoftuar për t’u thirrur dëshmitarët e parë. Selimi dhe Xhemali po rigjykoheshin për akuzën e “trafikut të narkotikeve”. Gjykimi i dosjes ndaj tyre te Krimet e Rënda zhvillohet në një proces normal. Me një vendim të ndërmjetëm në prill të këtij viti, gjykata rrëzoi kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar. Kjo dosje mbërriti te Krimet e Rënda në fund të korrikut të vitit 2010. Ajo u regjistrua për rigjykim në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë. Një kolegj penal i Gjykatës së Lartë vendosi në maj të vitit 2010 rigjykim e dy prej të pandehurve të dosjes “Kompas”. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, gjatë shqyrtimit të dosjes në shkallët më të ulëta të Gjyqësorit ishin konstatuar shkelje të shumta procedurale. Ndërkohë që për të bashkëpandehurit e tjerë të tyre u la në fuqi vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Sipas Gjykatës për Krimet e Rënda, të pandehurit e dosjes “Kompas”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin trafikuar drejt Italisë në vitet 1998-2002 sasi të shumta lëndësh narkotike.      ar.ba

Inis Gjoni sheh ngjarjen, Ingridi anulon koncertin
Kufoma e Arjan Selimit ka mbetur aty ku ndodhi atentati për më tepër se një orë. Policia dhe hetuesit, pasi kanë konfirmuar se 38-vjeçari kishte humbur shanset për jetë, e kanë lënë kufomën në tokë dhe kanë nisur fotografimet dhe fiksimin e provave materiale. Gjatë gjithë kësaj kohe, Inis Gjoni, shtatzënë 6 muajshe, me një fëmijë me Arjan Selimin, ka qenë në katin e dytë të pallatit pranë të cilit ndodhi ngjarja. Rreth 90 minuta pas atentatit, të afërmit e saj kanë mbërritur aty dhe e kanë marrë me vete Inis Gjonin për në banesën e tyre. Ngjarja, me sa duket, ka qenë shokuese për të gjithë. Dje në mbrëmje gazeta tentoi të kontaktonte me motrën e Inisit, Ingridin, por ajo nuk kishte koment për ngjarjen nga e cila kishte mbetur e shokuar. Ingrid Gjoni tha se kishte ndërprerë një koncert dhe po kthehej urgjentisht në shtëpi pas ngjarjes së ndodhur, e cila kishte qenë diçka shokuese dhe e papritur për të gjithë. Në muajin gusht të këtij viti, Arjan Selimi u fiksua nga paparacët së bashku me Inis Gjonin në plazhet e njohura në Jug të vendit, ku kaluan pushimet. Nga fotot dukej qartë se Inis Gjoni ishte shtatzënë me partnerin e saj me të cilin organizoi ceremoninë e lidhjes në pranverë 2011, pak kohë pasi Arjan Selimi rifitoi lirinë bazuar në vendimin e Gjykatës së Lartë.

ETLEVA DELIA

Dëshmia e Inisit ktheu në gjykim dosjen e Selimit
Historia e menaxherit nga arrestimi, publikimi i videos intime e pritja e fëmijës

Në pamje të parë, Arjan Selimi të jepte përshtypjen se ishte “peshku më i madh” që kishte rënë në grackën e operacionit antidrogë “Kompas”, më 23 qershor 2004. Arjan Selimi ishte mes 22 personave që u ndaluan nga policia në operacionin që u shtri në Tiranë, Durrës, Fier dhe Elbasan. Asokohe, autoritetet deklaruan se ishte goditur një organizatë kriminale e trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë, por një ditë më vonë, nga 22 të ndaluar, vetëm tetë prej tyre mbetën në burg. Gjithë të tjerët u lanë të lirë për mungesë provash. Por, pikërisht në këtë “blof” nis edhe historia e famës së Arjan Selimit. Arrestimi i tij ndodhi në zonën e Brrylit, pranë “Rozafa” ku ai kishte punuar si menaxher. Megjithatë, arrestimi dhe përballja me drejtësinë shqiptare në vitin 2004 ishte ngjarja më publike, por jo më e rëndësishmja në jetën e Arjan Selimit. Familja e tij ishte larguar nga Shqipëria në vitin 1986 dhe ishte vendosur në SHBA, si një nga të parat që morën guximin të kapërcejnë kufirin asokohe. Prej asaj kohe, deri në vitin 1998, asgjë e jashtëzakonshme nuk mund të zinte vend në CV-në e Arjan Selimit, derisa atë vit, nën emrin e rremë Armand Andoni, shqiptari u arrestua në Michigan, teksa po trafikonte plot 1 mijë kilogramë marihuanë. Nuk dihet sesi i arrestuari përfitoi lirinë me kusht dhe shfrytëzoi rastin, duke u larguar nga SHBA për t’u vendosur në Shqipëri, ku mori emrin Arjan Selimi. Para se të arrestohej, në cilësinë e një menaxheri biznesi të suksesshëm, Arjan Selimi ishte frekuentues i ambienteve VIP në Tiranë, ku mesa duket ishte njohur me prezantuesen dhe balerinën e mirënjohur Inis Gjoni. Historia e Arjan Selimit me show-girl-in e njohur do të bëhej publike në vitin 2006, me publikimin e një videoje intime, në të cilën i akuzuari për trafik droge dhe vajza e ekranit, shfaqeshin lakuriq në banesën e tyre. Videoja ngjalli kuriozitet dhe interes të madh mediatik për shkak të veprimeve të protagonistëve me disa pluhur që u mendua se ishte drogë, e mandej për skenat intime. Prokuroria, madje, hapi një hetim pa rezultat për mënyrën sesi videoja, që gjendej në celularin e Arjan Selimit, kishte bërë xhiron e botës në internet e më pas ishte publikuar në të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara. Për disa muaj me radhë, historia e videos sikur eklipsoi akuzat e rënda që ishin ngritur ndaj Arjan Selimit, derisa Prokuroria dorëzoi në Gjykatë dosjen penale ndaj tij. Të akuzuarit, së bashku me anëtarët tjerë të bandës, që iu vu emri Kompas, akuzoheshin për një seri ngarkesash me drogë që ishin nisur me automjete të ndryshme nga Shqipëria dhe ishin dërguar në Itali, pas kthimit të Arjan Selimit nga Amerika në Tiranë. Për shumë kohë, Arjan Selimi nuk i pranoi akuzat. Ai madje shënoi një incident të pashoq në qelitë e Burgut 313 në Tiranë, kur u zhvesh lakuriq në qeli vetëm që policia të mos e çonte me fortë në sallën e gjyqit. Gjatë gjithë kësaj kohe, kur drejtësia shqiptare hapi dosjen e tij, autoriteteve shqiptare iu kërkua nga SHBA-ja që Armando Andoni të ekstradohej në Amerikë për t’u gjykuar në lidhje me trafikimin e 1 mijë kileve marihuanë. Për shkak të akuzës në SHBA, Ambasada Amerikane në atë vit ka shkruar një kabllogram për Departamentin e Shtetit, në të cilin shpjegon ngjarjen e ndodhur me Arjan Selimin, i cili u dhunua nga policia, e cila për të mos i lënë shenja i vendosi një skafandër në kokë dhe e goditi.
Historia me Drejtësinë
Më 7 maj 2010, një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë, i kryesuar nga gjyqtari Gani Dizdari, prishi një vendim të Gjykatës së Apelit dhe të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, që dënonin me 14 dhe 16 vjet burg Arjan Selimin (Armand Andonin), për akuzën e trafikut të narkotikëve. Sipas vendimit të Kolegjit, dosja në ngarkim të Selimit duhet të dërgohej për rigjykim në Gjykatën për Krimet e Rënda me një trupë tjetër gjykuese. Referuar vendimit të Gjykatës së Lartë, shkak i dërgimit të dosjes për rigjykim ishin një sërë shkeljesh procedurale të vërejtura në gjykimin e tij në Shkallën e Parë dhe në Apelin e Krimeve të Rënda. Një nga shkeljet ka qenë edhe vlerësimi si provë nga Krimet e Rënda të deklarimeve të dëshmitares Inis Gjoni. “Gjykata ka vlerësuar si provë deklarimet e dëshmitares Inis Gjoni, në një kohë kur nga dosja gjyqësore, por edhe pretendimet e të gjykuarit, ka të dhëna se kjo shtetase, deri në momentin e arrestimit, ka qenë bashkëjetuese e të pandehurit Arjan Selimi, ndaj kjo dëshmi vjen në kundërshtim me nenin 158/1/ç të K.Pr.Penale, sepse marrja dhe përdorimi i saj ishte i lidhur me vullnetin e të pyeturit, vullnet i cili nuk rezulton të jetë shprehur, pasi nuk i është komunikuar e drejta për të mos dhënë deklarime me cilësinë e personit që bashkëjeton me të gjykuarin. Në të tilla rrethana, gjykatat nuk mund të përdorin si provë këto deklarime”, thuhej në arsyetimin e Gjykatës së Lartë. Shkelje u konsideruan nga Gjykata e Lartë edhe refuzimet e kërkesave të Selimit për thirrjen e disa dëshmitarëve në proces. Njëkohësisht, shkelje u konsideruan edhe mënyra e marrjes si provë të disa përgjimeve telefonike të realizuara në Itali. Në të njëjtën dosje me Selimin ishin të bashkëpandehur edhe shtatë persona të tjerë. Ata u deklaruan fajtorë për akuzën e trafikut të sasive të mëdha të heroinës dhe kokainës drejt Italisë. Gjykata e Lartë ktheu për rigjykim, veç Selimit, edhe dosjen në ngarkim të Arjan Shabanit (Xhemalit). Për gjashtë të pandehurit e tjerë, vendimi i Apelit u la i pandryshuar. “Sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria për Krime të Rënda, ka rezultuar se gjatë periudhës dhjetor 2000, deri në korrik 2001, janë trafikuar në shtetin italian nga Shqipëria sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit heroinë dhe kokainë. Autoritetet e drejtësisë italiane, konkretisht Prokuroria dhe Gjykata e Milanos, kanë hetuar dhe gjykuar një grup shqiptarësh të cilësuar si organizatorë, furnizues, transportues, apo korrierë të kësaj lënde narkotike. Nga ana e autoriteteve italiane, nëpërmjet vënies në përgjim të numrave të ndryshëm të telefonisë celulare e fikse, dhe vëzhgimit të tyre, është arritur identifikimi i plotë, apo i pjesshëm, i personave të përfshirë në këtë trafik, arrestimi në flagrancë i disa shtetasve shqiptarë të përfshirë në këtë trafik, në posedim ose jo të lëndës narkotike të ardhur nga Shqipëria, si dhe sekuestrimi i lëndës narkotike”, thuhej në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Lartë. Pas lirimit, Arjan Selimi iu rikthye lidhjes me Inis Gjonin. Pas ceremonisë së fejesës në pranverë të këtij viti ata prisnin një fëmijë.

Vrasja e partnerit të parë të Inisit
Alban Dani, i njohur publikisht si partneri i parë i Inis Gjonit është vrarë në Durrës në mars të vitit 2000. Sipas policisë, partneri i Inis Gjonit 11 vjet më parë u ekzekutua në Durrës më 14 mars 2004. Vrasja e tij u lidh me një ngjarje të ndodhur më parë në Burgun 313 në Tiranë, ku ishte ekzekutuar me snajper shtetasi Ilir Bardhi. Sipas policisë, vrasja e Alban Danit u konsiderua në atë kohë si larje hesapesh.

Trazhgim Sokolaj/ Armand Bajrami

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s