Vetëm të bashkuar mund të bëjmë punë të mira

Interviste me Murat Jasharin

REPORTAZHI NE VIDEO PER VIZITEN E MURAT JASHARIT NE MICHIGAN DO TA NDIQNI NESER NE ALBDREAMS.

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari pati takime të rëndësishme me komunitetin shqiptaro-amerikan. Përpos takimeve të shumta me bashkatdhetarë, ai bëri edhe një hap të rëndësishëm ku i ofroi shqiptarët e Miçiganit, të cilët ishin të përçarë gjatë katër viteve të fundit. Ai në një intervistë ekskluzive për Kosovapress thotë se vetëm të bashkuar mund të bëjmë punë të mira.

Kosovapress: Kësaj radhe ju jeni duke e vizituar një pjesë tjetër të SHBA-ve dhe jo Nju Jorkun apo Uashingtonin siç bënit më herët. Cila është arsyeja e kësaj vizite?

Jashari: Arsyeja kryesore është shfaqja e një monodrame për familjen Jashari e më konkretisht për Adem Jasharin e cila u bë në Çikago të Ilinoisit. Unë isha i ftuar nga organizatorët dhe nga bashkatdhetarët tanë këtu dhe ky ishte qëllimi i vizitës sime në SHBA e më konkretisht në Viskonsin dhe Ilinois.

Kosovapress: Ju ishit edhe ne shtetin e Miçiganit, a mund të na përshkruani vizitën tuaj atje dhe çfarë përshtypjesh keni nga kjo vizitë?

Jashari: Unë atje kisha një ftesë nga komuniteti shqiptaro –amerikan që ishin mbledhur me iniciativën e veprimtarit Luigj Gjokaj, të cilët me vite të tëra i kanë shërbyer çështjes kombëtare, por njëkohësisht edhe me një bashkëpunim të mirë me institucionet dhe popullin e këtij vendi. Dihet që familja Jashari iu takon të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë e kanë familjen Jashari si familjen e vet. Unë u ndjeva i obliguar, por edhe me kënaqësi të madhe shkova atje. Ishte një mbrëmje jashtëzakonisht e mirë dhe disa bashkatdhetarë, duhet të kihet parasysh se rreth një milion shqiptarë që jetojnë në Amerikë, unë nuk mund t’i takoj të gjithë për shkaqe fizike, por ata të cilët e kishin organizuar ishin figura që i kanë kontribuar çështjes kombëtare në vazhdimësi.

Fillimisht në Miçigan bëra një vizitë te Xhamia dhe pastaj te Kisha. Më vonë shkuam në shtëpinë e atdhetarit Gjok Martinit, ku ishin prezent edhe përfaqësuesi i Kishës katolike Don Fran Kolaj dhe përfaqësuesi i xhamisë Imami Shaip Gërguri. Aty kishte edhe shumë veprimtarë të tjerë të komunitetit.

Kosovapress: A mendoni se do të ishte mirë që edhe institucionet e atdheut të vizitojnë këtë pjesë të komunitetit tonë, ku nuk mund të jenë me numër si në Nju Jork, por dihet se ka një numër të theksueshëm të shqiptarëve në shtetet Viskonsin, Ilinois dhe Miçigan?

Jashari: Mendoj që jam më i lirë për të lëvizur në vende të ndryshme, sepse mua nuk më kushtëzon asnjë procedurë administrative. Unë kam një liri hyjnore dhe familjare, sepse atë që e kemi thënë që të gjithë shqiptarët janë vëllezërit dhe motrat tona më ka mundësuar që të shkoj në çdo familje anekënd botës pa marrë parasysh bindjet dhe interesat e ngushta grupore. Kjo, pra, më ka bërë që kudo që shkoj të ndjehem mirë dhe i afërt me secilin.

Monodrama që ishte përgatitur këtu në Amerikë kishte të bënte me shpirtin e Adem Jasharit dhe komunikimi i tij me shekuj, shpeshherë duke e bërë krahasimin me faktorin kohë dhe me familjen. Ajo që më bëri të ndjehem më krenar ishte se kësaj radhe të dy sakrificat e mëdha u përputhën në një datë. E ndjeva veten të emocionuar ku u përkujtua familja Jashari në të njëjtën datë ku përkujtohet edhe 11 shtatori në Amerikë, që për mua ishte një ditë jashtëzakonisht e madhe dhe ishte një motivim i për të ardhmen time, sepse pas gjithë këtyre viteve është krijuar një lidhshmëri edhe më e fortë përpos interesave politike neve me amerikanët na ndjek sakrifica e përbashkët.

Duke marrë parasysh kontributin e bashkatdhetarëve tanë me shekuj të tërë, mendoj se e kemi për obligim qoftë institucionet apo edhe ne si familja Jashari që të jemi me ta, të paktën për t’ua shtrënguar dorën, për të bërë një falënderim, një urim dhe t’ua kujtojmë se nuk janë të harruar nga atdheu. Unë jam më se i bindur se pa bashkatdhetarët tanë nuk do të jetë e ardhme e mirë dhe e ndritshme për neve.

Tani ka përfunduar ajo koha e sakrificave të mëdha, por mendoj se ka ardhur koha për sakrifica të reja që kërkojnë bashkëpunimin ndërshqiptar, sepse mendoj se bashkatdhetarët tanë janë personalitete të çmueshme në Amerikë, qoftë në biznes, në fushën e sigurisë, edukimit e shume fusha të tjera dhe të gjithë kanë krijuar një rreth të mirë shoqëror. Unë ndjehem jashtëzakonisht mirë kur i shoh bashkatdhetarët tanë këtu, të cilët përpos që kanë krijuar personalitetin e tyre tek amerikanët në të njëjtën kohë po e përfaqësojnë denjësisht edhe kombin.

Është e rëndësishme që të mbahen këto kontakte, posaçërisht me Ministrinë e Diasporës dhe institucionet e Kosovës të luajnë rolin e lidhshmërisë, sepse mendoj unë i kemi të gjitha, por nganjëherë mungon menaxhimi dhe koordinimi më i mirë i këtyre punëve.

Kosovapress: Po kthehemi prapë tek vizita e juaj në Miçigan. Ju e bëtë një veprim që ishte i domosdoshëm, por në anën tjetër dukej edhe i pamundur për momentin. Ju i bashkuat të dy përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe dhanë një shembull të mirëkuptimit dhe tolerancës duke e vënë në rend të parë çështjen kombëtare e pastaj fenë, A ishte vështirë që të bëhej kjo punë kaq domethënëse për komunitetin shqiptar të Miçiganit?

Jashari: Së pari, mendoj që ua kemi borxh të parëve tanë, unë them shpeshherë në takimet e mia e po e përsëris edhe në këtë intervistë, se mbi të gjitha e kemi krijuesin. Çdo popull e thërret me një emër tjetër, por ai është një. E dyta, njerëzimin e krijoi prej Ademit dhe Havës ose Evës dhe Adamit, pastaj flasim për ata që ne i quajmë profet, të krishterët e quajnë Jezu Krishti si te birin e zotit ndërsa besimtarët e fesë islame e quajnë Isa. Kështu që për një njeri interpretohen dy profetë derisa është një që e ka krijuar Zoti. Në anën tjetër kemi porosinë e Pashko Vasës që thotë “Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria”. Pra, duhet te kihet parasysh se e kaluara e jonë e përbashkët që ka vënë së pari gjakun e shqiptarit dhe më në fund nëse i radhisim të gjitha këto mendoj se do të ishte së pari është krijuesi ynë, është familja, vjen kombi e më në fund feja që mendoj se kjo radhitje duhet të jetë e përbashkët për ne shqiptarët.

Tash po i kthehem edhe njëherë vizitës ku për mua ishte një nder i madh që t’i vizitoj të dyja kultet fetare ne Miçigan. Takova dy njerëz që vërtetë më kanë lënë mbresa të mira si qenie njerëzore të devotshme, me kulturë dhe traditë shqiptare, si dhe besim të sinqertë te Zoti e që të dytë përmbi fe kishin atdheun. Kur takon kësi njerëzish është krenari, nga ata jam pritur përzemërsisht dhe kanë mbetur në mendjen time. Bashkë me ata të dytë kemi shkuar në darkë te shtëpia e Gjokë Martinit, ku takuam edhe shumë atdhetarë që i kanë kontribuar çështjes kombëtare në vazhdimësi. Unë atyre ua dhashë një shembull se si ne në Kosovë kemi pasur të ndjerin Imzot Mark Sopin dhe prijësin e BIK-ut që tash është ambasador në Arabinë Saudite, këta dy prijës fetarë ishin atdhetarë të cilët mbi fetë e tyre kanë vënë kombin dhe ishte një bashkëpunim i shkëlqyer ndërmjet tyre. Edhe këtu tek bashkatdhetarët tanë në Amerikë, veprimtarët tanë nuk i ka penguar në asnjë mënyrë feja edhe pse tash lufta globale që po i kontribuon ndasive tek bashkatdhetarët tanë nuk ka ndikuar fare, por vazhdojnë të bashkuar t’i kontribuojnë çështjes kombëtare.

Bashkatdhetarët tanë janë shumë të vetëdijshëm se si duhet kontribuar për evitimin e ndarjeve dhe prijësit e tyre fetarë pohuan se ata që bëjnë gabime duhet të përgjigjen individualisht dhe e ardhmja do të jetë e përbashkët, sepse asnjëherë nuk na kanë ndarë fetë. Unë jam jashtë mase i nderuar dhe i lumtur që m’u dha mundësia të jem në këtë kohë në SHBA për shkak se u përkujtua sakrifica e familjes Jashari, e cila për çdo ditë po merr përmasa më të mëdha, e dyta ishte se pikërisht në datën ku u mbajtën shumë aktivitete ne të gjithë Amerikën për të kujtuar ngjarjet e 11 shtatorit 2001 që kjo ngjarje e dhimbshme është përkujtuar nga të gjithë shqiptarët, kudo që janë të cilët e kanë ndarë dhembjen bashkë me popullin amerikan. Ky ishte një moment i veçantë dhe së fundi dua të shtoj se jam munduar t’i vizitoj bashkatdhetarët tanë në këto tre shtete duke udhëtuar pa ndërprerë, dhe kam fjetur vetëm nga tre orë gjumë, sepse kohën më të madhe e kam kaluar në takimet e ndryshme që i kishin organizuar këtu në komunitet.

Nuk guxojmë të lejojmë që bashkatdhetarët tanë të përçahen për shkak të bindjeve të tyre politike, sepse edhe ashtu politika nuk zgjidhet këtu në mërgatë. Partitë politike ju takojnë në atdhe atje ku mund të bëhet një jetë parlamentare dhe ka pluralizëm politik, atje përmes partive politike konkurrohet edhe për pushtetin e këtu në diasporë nuk duhet t’i fryjnë përçarjes partitë politike, ideologjia e as feja sepse ne jemi shqiptarë, i kemi kontribuar çështjes kombëtare në vazhdimësi dhe duhet të vazhdohet në këtë mënyrë që ta forcojmë atdheun tonë sa më shumë. Ne ua kemi për obligim paraardhësve tanë që ta vazhdojmë rrugën e tyre, në mënyrë që brezat që vijnë të krenohen me ne. Ne bashkërisht mund ta ndërtojmë një të ardhme të mirë dhe mos t’u japim rast përçarjeve në kombin tonë. Unë e kam bërë këtë kërkesë gjatë këtyre ditëve që isha në mesin e bashkatdhetarëve që në emër të çdo gjëje që është e shenjtë për neve të flasim me gjuhen e ëmbël, t’i zgjidhim problemet tona dhe të bëjmë punë të mira për atdheun.

Kosovapress: Cili do të ishte mesazhi i juaj për komunitetin shqiptar në Amerikë?

Jashari: Në SHBA kemi një komunitet shumë ta madh, pa marrë parasysh se cilës krahinë, fe apo parti ju takojnë të gjithë duhet të punojnë për të mirën e atdheut. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky shtet ka liri të mjaftueshme për të bërë të gjitha aktivitetet e le ta marrim edhe këtë liri të këtij shteti si një shembull të tolerancës dhe të punohet për një të ardhme më të mirë. Jemi shqiptarë dhe ja kemi borxh të kaluarës, tashmes e të ardhmes që të respektojmë njëri tjetrin.

Në fund dua ta them një shprehi që e kam mësuar këtu për shqiptarët që do t’ju kisha drejtuar bashkatdhetarëve tanë me të: I love you! Dhe shtetit amerikan dua t’i them Thank You! Po kthehem në atdhe me shpresë se secili nga kjo mërgatë e jona do të bëjë punë të mira për veten, familjen dhe atdheun. /Intervistoi: Qazim Doda/

REPORTAZHI NE VIDEO PER VIZITEN E MURAT JASHARIT NE MICHIGAN DO TA NDIQNI NESER NE ALBDREAMS.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s