Turku: Ministrat e akuzuar duhet të japin dorëheqjen, drejtësia të vërtetojë akuzat

Nënkryetari i parlamentit Ardian Turku (majtas) Ministri i Transporteve Sokol Olldash

Në rastin e akuzave të njëpasnjëshme duhet të ekzistojë institucioni i dorëheqjes për një ministër. I këtij mendimi është nënkryetari i Parlamentit, deputeti i Partisë Demokratike, Ardian Turku. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai shprehet: “Nëse një ministër e konsideron se drejt atij janë drejtuar shumë akuza dhe që këto cenojnë në një farë mënyre qetësinë dhe punën e qeverisë, mund ta gjykojë në një moment të caktuar të japë dorëheqjen dhe të vazhdojë të provojë pafajësinë e tij”.

Prej më shumë se një jave gazeta ka publikuar dokumente që hedhin dritë më një koncesion monopol që ka firmosur ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, i cili i ka dhënë një firme për 40 vjet të drejtën të fusë internetin nëpërmjet fibrave optike në Shqipëri.
Zoti Turku, qeverisja e koalicionit të djathtë ka hyrë në vitin e tretë të këtij mandati. Në vlerësimin tuaj, a ka vend për përmirësime në kabinetin qeveritar?
Është Kryeministri që e formon kabinetin dhe që bën edhe vlerësimin e punës. Nuk jam i mendimit që kohëgjatësia e qëndrimit në post të një ministri është faktor vendimtar për ndërrimet, por është performanca e kujdesshme edhe e treguesve, dhe performanca e institucionit që do të përcaktojnë ndërrimin ose jo të një ministri. Unë e kam konsideruar gjithmonë dhe vazhdoj ta konsideroj se shumë akuza janë të pabaza. Ne si individë të ndryshëm, shoqëria civile dhe politikanët, akuzat që bëhen për gjëra të ndryshme i emërton si fakte. Faktet duhet të provohen nga Drejtësia nëse janë të tilla dhe, nëse vërtetohen, bëjnë të domosdoshme largimin e një ministri. Unë mbroj dhe jam i pikëpamjes edhe në rastin e akuzave të njëpasnjëshme, mund dhe duhet të ekzistojë, ose të institucionalizohet më tej, dorëheqja e një ministri. Nëse një ministër e konsideron se drejt atij janë drejtuar shumë akuza dhe që këto cenojnë në një farë mënyre qetësinë dhe punën e qeverisë, mund ta gjykojë në një moment të caktuar të japë dorëheqjen dhe të vazhdojë të provojë pafajësinë e tij. Problemi, sipas meje, qëndron edhe në atë tjetrën, që akuza të pabaza, të pavenda dhe me pseudofakte u bëhen të gjithëve, aq më tepër qeverisë. Nëse në raste të tilla ministrat do të kërkonin dorëheqjen, do të mbërrinim në një situatë ku çdo tre muaj, çdo ministër, pasi të emërohej, do të jepte dorëheqjen. Unë e shoh institucionin e dorëheqjes si një gjë që ka vend që të demonstrohet në Shqipëri, por duhet ruajtur masa apo sensi që nuk mund dhe nuk duhet t’u lejojmë vend akuzave të pabaza, me qëllimin që këto po na sjellin dorëheqje, po sjellin rrëzimin e X apo Y ministri, apo të një pjese të kabinetit, apo të vetë qeverisë. Mendoj që Shqipëria është qeverisur mirë sepse treguesit e zhvillimit ekonomik janë shumë pozitivë. Tregues të tjerë të sigurisë, të rendit, të luftës kundër kriminalitetit janë shumë të mirë. Por kemi edhe fenomene negative që duhen parë me kujdes. Tregues të tjerë të zhvillimit të arsimit të lartë në disa aspekte janë shumë të mirë. Përgjithësisht konsiderohet si një performancë pozitive e qeverisë. Në këto kushte, nuk mund të flitet për tërheqje të ministrave pa kriter, thjesht e vetëm për shkak të akuzave që bëhen dhe që në shumë raste janë shumë të tepruara. Problemi shqiptar është ky: që duke u akuzuar shumë dhe pa baza, “helmohet” perceptimi qytetar duke sjellë paaftësinë e opinionit për të ndarë të vërtetën nga gënjeshtra.
Në këndvështrimin tuaj, ka pozicione ministrore që mund të rishikohen, për t’i dhënë një tjetër hov qeverisjes përpara zgjedhjeve të ardhshme?
Problemi qëndron që në atë që asnjëherë një qeveri, kudo qoftë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet me tradita të konsoliduara, nuk mund të thotë se ka bërë më të mirën e mundshme. Ashtu edhe këtu tek ne nuk mund të thuhet se kemi qeverisjen me parametrat më maksimalë të mundshëm. Duhet të kemi parasysh se mjedisi shqiptar nuk është shumë i lehtë për t’u qeverisur. Megjithëse jemi në një mjedis të tillë, treguesit janë pozitivë në shumë aspekte. Në shumë fusha ne paraqitemi relativisht mirë. Në këto kushte vështirësohet, për këdo qoftë, për të vënë gishtin në një ministri, për të caktuar deri në nivelin e domosdoshmërisë të ndërrimit të një ministri. Në rast se qeverisja e dobët është e dukshme, është e lehtë të vihet gishti. Në kushtet tona, pamundësia për të vënë gishtin buron nga fakti që analiza duhet të jetë shumë e kujdesshme, gjë që nuk e kemi aq të lehtë. Unë nuk e quaj sakrilegj ndërrimin e ministrave, por në këto kushte është Kryeministri që e formon kabinetin qeveritar, i cili mund të shohë hallkën që është më e dobët sesa të tjerat. Niveli i vërejtjeve tona është i tillë që jo domosdoshmërisht të vëmë gishtin te ndërrimi i një ministri apo të një pjese të kabinetit qeveritar. Unë e kam të vështirë të vë gishtin te një ministër i caktuar për mosarritje të objektivave. Më tepër në qeverisjen e këtij vendi luajnë rol jo aq ministrat dhe kabineti qeveritar, sesa disa probleme të tjera të natyrës politike, të lidhura me ngërçin politik.
Gjatë këtyre dy mandateve të PD-së ka pasur një precedent të Ilir Rusmalit, i cili ka dhënë dorëheqjen pas një akuze që u bë dhe atë e ndoqi pa qenë në karrigen ministrore. Prej më se një jave, gazeta “Panorama” ka publikuar një urdhër të ministrit Olldashi, i cili i ka dhënë një koncesion monopol për 40 vjet një firme për shtrirjen e fibrave optike për marrjen e internetit. Duke qenë se precedenti ekziston, a duhet që edhe Olldashi të japë dorëheqjen dhe ta ndjekë këtë çështje në pozicionin e ish-ministrit?
Unë mund t’ju sjell edhe shumë raste të tjera kur për një urdhër, një ministër ka dhënë dorëheqjen. Jashtë shtetit në vende me demokraci shumë të konsoliduar, krahas rasteve të tilla me dhënien e dorëheqjes në mënyrë të menjëhershme, ka edhe raste me shumë më tepër pasoja që nuk ka dhënë dorëheqjen. Jo domosdoshmërisht një dorëheqje e menjëhershme mund të jetë pozitive, jo domosdoshmërisht dorëheqja e ministrit çon në një gjykim të çështjes deri në fund për të nxjerrë në shesh të vërtetën, sepse edhe duke qenë në pozitat e ministrit dikush, Drejtësia mund ta bëjë detyrën e saj. Ministri i hap rrugën Drejtësisë. Sidoqoftë, këto janë perceptime dhe vendime shumë individuale. Meqenëse është akuzuar ministri Olldashi, unë, deri tani, por besoj edhe shumë njerëz të tjerë, pavarësisht nga ajo ç’ka duket në plan të parë, kur njihem me një akuzë të tillë, nuk mund të them fakt të tillë, e kemi të vështirë të gjykojmë akoma nëse gjërat qëndrojnë apo jo ashtu siç paraqiten nga të tjerët. Në fund të fundit, kemi pasur shumë raste në të kaluarën që paraqiten akuza monstruoze për të cilat një ministër, deputet, do të duhej të merrte një dënim shembull dhe në fund analiza del që e gjithë ajo që ka dalë ka qenë një blof. Unë e kam të pamundur ta gjykoj si fajtor zotin Olldashi, pasi nuk jam njohur me rastin konkret dhe nuk e di nëse aty ka vërtet shkelje apo jo. Kjo është një çështje që me apo pa dorëheqjen e zotit Olldashi, Drejtësia mund të merret dhe të nxjerrë të vërtetën. Unë mendoj që dorëheqja është një institucion që përgjithësisht vlerësohet, por në mjedisin shqiptar, për arsye të akuzave të panumërta dhe pa përgjegjësi shpesh-herë, do të na duhej që të gjithë të jepnim dorëheqjen nga një herë në javë të paktën. Në këto kushte, institucioni i dorëheqjes mund të keqpërdorej dhe të komprometohej rëndë.

Afera
Në dhjetor të vitit 2009, me katër shkresa të së njëjtës ditë, ministri Olldashi anulon katër kontrata të lidhura nga Drejtoria e Rrugëve me 4 firma për përdorimin e rrugëve kombëtare për shtrimin e fibrave optike. Kontrata u anuluan me justifikimin e mungesës së kompetencës dhe konkurrencës. Tetë muaj më vonë, i njëjti ministër i jep një firme të vetme, pa tender, por me urdhër, të drejtën e shtrimit të fibrave optike në rrugët kombëtare për një periudhë 40-vjeçare. Ministri i garanton me firmën e tij, firmës “ATU”, se do të ketë ekskluzivitet në aktivitetin e saj. Firma do të shtrojë 6 fibra optike, 2 nga të cilat do të jenë të sajat dhe 4 të tjerat do t’i tregtojë. Pra, Olldashi hoqi nga tregu 4 kompani dhe vendosi me firmën e tij vetëm një.

Konkurrenca
Pas zbulimit të aferës, gazeta pyeti zyrtarisht Autoritetin e Konkurrencës nëse e gjithë kjo kontratë kishte apo jo shkelje të konkurrencës në treg. Autoriteti u përgjigj zyrtarisht se ministri kishte shkelur ligjin “Për konkurrencën”. Ja çfarë tha Autoriteti: “Ligji për mbrojtjen e konkurrencës detyron të gjitha institucionet të japin të dhëna pretendimi dhe të marrin vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës, gjë që në këtë rast nuk është bërë. Neni 69 i ligjit të Konkurrencës kërkon që të jepen informacione nga institucionet për vendimet që mund të cenojnë konkurrencën dhe kërkimi i vlerësimit bëhet paraprakisht pa u marrë vendimi. Kjo për të marrë mendimin e Autoritetit, gjë që në këtë rast nuk është bërë. Kjo mund të përbëjë kufizim potencial të konkurrencës”.

AKEP
Gazeta zbuloi gjatë këtyre ditëve edhe një shkresë që AKEP i dërgonte Avokaturës së Shtetit, lidhur me kontratën e Olldashit. AKEP tregonte se ministri kishte shkelur një tjetër ligj, atë të komunikimeve elektronike. Ja çfarë shkruante AKEP për Avokaturën:
“Vlerësuar nga këndvështrimi i rregullimeve ligjore të përcaktuara në ligjin Nr. 9918 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, termat e “ekskluzivitetit”, të përcaktuara në urdhrin nr.120, datë 23.08.2010 “Për dhënien e lejes për përdorimin e pasurisë së paluajtshme publike, aksit rrugor kombëtar, me kundërshpërblim”, lëshuar nga MPPT për “ATU” sh.a., mendojmë se përbëjnë pengesë për arritjen e objektivave rregullatorë lidhur me nxitjen dhe realizimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në sektorin e komunikimeve elektronike.”

ADI SHKEMBI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s