Batutat Berisha-Rama, dështon nisma e Holtkemper për shtrëngim duarsh

Berisha e Rama dje gjate ceremonise

Edi Rama dhe Sali Berisha, edhe pse ishin fare pranë njëri-tjetrit, nuk kanë mundur të shtrëngojnë duart.Në 20-vjetorin e krijimit të fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”, organizatorët kishin ftuar dy krerët e politikës shqiptare, atë të maxhorancës dhe opozitës. Protokolli i kësaj ceremonie kishte parashikuar fjalime nga të dy politikanët, por dhe një përpjekje të ambasadores gjermane në Tiranë, Carole Muller-Holtkemper, për t’i vendosur të dy pranë njëri-tjetrit dhe në një shtrëngim duarsh. Ishte Edi Rama që e ka refuzuar këtë përpjekje të saj, por ceremonia nuk u shpëtoi batutave, të zakonshme në raste të tilla dhe në situata të tilla politike. Në fund të fjalës së tij, kryesocialisti, duke ironizuar deklaratat e Kryeministrit Berisha në lidhje me lulëzimin dhe rritjet e ekonomisë shqiptare, tha: “Shpresojmë që kriza ekonomike të mos ndikojë në financimin që shteti gjerman i bën këtij fondacioni, se as bëjmë dot gjë për ta ndihmuar në rast të shkurtimit të fondeve. E thashë se kam dhe hall se mos shkon në Berlin fjala e Saliut, se jemi ekonomia e dytë në botë pas Gjermanisë dhe pastaj do të ishte punë dreqi”. Por, Kryeministri Berisha nuk e la pa përgjigje batutën e Ramës, duke marrë mikrofonin e duke i kujtuar Ramës hobin e tij për t’u marrë me publicistikë. “Nuk do të shkoj, sepse ke zëvendësuar fjalimet me editoriale. Ju lexoi editorialin e radhës”, iu përgjigj Berisha. Por edhe kryesocialisti nuk mund ta linte situatën pa batutën pasardhëse, duke krijuar humor në sallë e duke e fokusuar të gjithë ceremoninë në finalen e saj, në batutat politike mes kundërshtarëve politikë. “E ka si zakon ky, edhe në Parlament flet pa radhë”, iu përgjigj Rama Kryeministrit. Këto batuta i kanë dhënë fund ceremonisë zyrtare, ndërsa Rama është larguar nga foltorja ku në krah kishte ambasadoren gjermane, parlamentarët gjermanë të mbërritur në Tiranë dhe drejtorin e fondacionit
“Friedrich Ebert” në Tiranë. Rama është rikthyer te miqtë gjermanë vetëm pasi prej tyre ishte larguar Sali Berisha, duke shkëmbyer batuta me ta. Më pas Rama është takuar dhe me ambasadorin e OSBE-së, Eugen Volfarth dhe atë austriak në Tiranë. Ceremonia u zhvillua dje pasdite, në ambientet e Hotel Sheraton, ndërsa merrnin pjesë politikanë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, drejtues të instituteve studimore që kanë bashkëpunuar me  “Frie-drich Ebert” përmes projekteve të shumta që ai zhvillon në Shqipëri.
Fjalimet
Në fjalën e tij në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e fondacionit “Friedrich Ebert” në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Fondacioni “Friedrich Ebert”, vijoi Kryeministri, solli një kontribut real për të promovuar frymën e dialogut dhe të mirëkuptimit në vendin tonë, por njëkohësisht ka kontribuar edhe në fusha të tjera, në fushën e legjislacionit, në arsim, me një spektër shumë të gjerë. “Fondacioni ka përshtatur të gjitha përpjekjet e tij në funksion të shoqërisë dhe të vendit tonë, dhe unë jam shumë i lumtur që ende ata vijojnë të punojnë në këtë vend”, tha Kryeministri. Kreu i Ekzekutivit u shpreh optimist se “rruga nuk është e lehtë, por jemi të sigurt se do t’ia dalim me miqtë tanë më shpejt se shumë shqiptarë e mendojnë”.
Në fjalën e tij, Rama, pasi vlerësoi rolin që ka luajtur ky fondacion në Shqipëri në këta 20 vjet, shfrytëzoi rastin të flasë dhe për kursin e ri të PS-së në këtë sezon politik. “Me qëndrimin tonë pa asnjë ekuivok si alternativë e re për Shqipërinë europiane; me nismat tona të reja parlamentare për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe ndryshimet e domosdoshme të rregullave të procedurës parlamentare, në funksion të rivendosjes së normalitetit në Kuvendin e Shqipërisë edhe në dritën e raportit të progresit e të deklaratës kuptimplotë të baroneshës Ashton e të komisionerit Fyle; si edhe me gatishmërinë që të bëhemi pjesë e një procesi demokratik e transparent parlamentar, që t’i kthejë votimet me 3/5-tat nga arnime kodesh e ligjesh për të bërë shkel e shko detyrat e shtëpisë, në jetësim të një vizioni kombëtar e europian për shtetin shqiptar”. Rama tha se “ky 20-vjetor përkon me një kohë të vështirë për Shqipërinë. Vendi ynë përballet me rrezikun e dështimit të përsëritur për aplikimin e statusin e kandidatit në BE. Dhe dita e sotme është një ditë e veçantë për të diskutuar mbi domosdoshmërinë e daljes nga rrethi vicioz, ku Shqipëria rrezikon seriozisht të futet në këtë vjeshtë me një refuzim të ri të Komisionit Europian”.

Pikaso në funksion të reformave
Kreu socialist, Rama, duke tentuar të japë një tablo të situatës në vend, solli në fokus një përcaktim të ambasadores gjermane për raportin e zgjedhjeve, që e krahasonte me Guernikën e Pikasos. “Që pamja dhe përmbajtja e zgjedhjeve të ardhshme të mos ngjajë me Guernikën e zymtë, por me ngjyrat e ndritshme të flamujve të Europës së bashkuar, ne jemi të angazhuar të bëjmë çdo gjë na takon për të reformuar ligjin dhe administratën zgjedhore në Shqipëri”, u shpreh Rama.

Ish-presidenti dhe shoqëria civile
Në ceremoninë e djeshme në 20-vjetorin e krijimit të fondacionit “Friedrich Ebert”, morën pjesë politikanë, kryesisht të majtë, dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ish-presidenti Rexhep Meidani dhe drejtues të instituteve studimore që kanë bashkëpunuar në këto vite me këtë fondacion morën pjesë në ceremoninë e djeshme. Vetëm ministri i Inovacionit Genc Pollo dhe Kryeministri Berisha ishin përfaqësues të maxhorancës në pushtet, ndërsa nuk mungonin dhe ambasadorët.

ARISTIR LUMEZI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s